Isa Mustafa në Trieste | Foto: ZKM

Vizitat sa për “Shopping” e Delegacioneve Megalomane të Kosovës

Imazhi i Kosovës në nivel rajonal e ndërkombëtarë reflekton brishtësinë institucionale dhe ngecjen e brendshme të zhvillimit të vendit në arsim, ekonomi, mos funksionalizim të sistemit të drejtësisë, etj..

Mjafton të merret për rast referimi samiti i Ballkanit Perëndimor i mbajtur në Trieste, në të cilin kishte një varg takimesh të nivelit të kryeministrave dhe ministrave të punëve të jashtme nga rajoni, vendet e Kuintit dhe zyrtar të lartë të BE-së. Krahas samitit me pjesëmarrës politik, u mbajt edhe Forumi i Shoqërisë Civile për Ballkan, që për qëllim kishte qasjen mbi zbatimin e Procesit të Berlinit, iniciativë kjo e zhvilluar me qëllim të përafrimit të bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndihmës në përmbushjen e kushteve nga këto vende (Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe BiH) për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ndër fushat kryesore shtytëse për të zhvilluar një proces të tillë është menduar krijimi i një zone të lirë ekonomike në mes të këtyre vendeve. Kosova është pjesë e këtij procesi dhe i kërkohet që të dakordohet me krijimin e zonës së lirë ekonomike duke qenë kështu bashkëpunuese në Ballkan. Por, Kosova deri më tani ka qenë më shumë se bashkëpunuese me vendet e rajonit, duke mos shkaktuar asnjëherë pengesa për mallrat e rajonit që vijnë në Kosovë. Vendet e rajonit edhe më herët kanë qenë pjesë e një marrëveshje për tregti të lirë- CEFTA, mirëpo ishte vetëm Kosova që në këtë marrëveshje nuk mbrojti asnjë produkt vendorë. Kjo ishte njëra prej arsyeve të mungesës së prodhimtarisë në Kosovë, duke rezultuar me një import të lartë të Kosovës dhe me një eksport simbolik. Kosova sot ka raport negativ tregtar me të gjitha vendet e rajonit, me theks të veçantë me Serbinë, që kryeson me import në të gjitha fushat.

Në të njëjtën kohë që ‘Procesi i Berlinit’ mëton që përmes lëvizjes së lirë të mallrave të nxisë zhvillimin ekonomik, të rris bashkëpunimin dhe të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt antarësimit në BE, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që ende kanë problem të lëvizin pa viza në vendet Evropiane. Regjimi i vizave ende shkaktohet pengesa për të rinjët që dëshirojnë të shkollohen jashtë Kosovës, apo për bizneset që dëshirojnë të kërkojnë partner nëpër Europë. Për procedurat, koston, kohën dhe trajtimin e qytetarëve me rastin e aplikimit për viza janë të njohura, të paktën për ata që “plotësojnë kriteret” për të pasur viza.

Ajo që është shqetësuese për vendin tonë është mungesa e një agjende të qeverisë dhe diplomacisë publike të Kosovës kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe shtetet e BE-së. Nga një qasje e tillë pasive, Kosova përfundon duke u bërë pjesëmarrëse e iniciativave të ndryshme që kanë për qëllim zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, por asesi të arrijë të jetë faktor në këto iniciativa apo të arrij t’i kapitalizoj ato me projekte që do të ndikonin me zhvillim në vend.

Në rastin e Samitit të Triestes, vetëm Kosova nuk kishte arritur t’i fuste projektet e saja në agjendë me qëllim të kërkimit të fondeve që BE ka zotuar me qëllim të zhvillimit në Ballkan. Krijohet përshtypja, sikur edhe në përkrahjen financiare të projekteve nga BE-ja vetëm Kosova është lënë anash.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas çlirimit dhe nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nuk përbën më lajm për qytetarët vetëm fakti që zyrtarët e lartë shtetërorë nga Kosova takohen me zyrtar të ndryshëm të lartë nga rajoni dhe BE-ja. Nëse këto takime, konferenca, samite nuk prodhojnë rezultate dhe nuk paraqesin projekte zhvillimore, atëherë as edhe shpenzimi që të shkohet aty është i kotë dhe i turpshëm. Samiti është vetëm shembulli i fundit, sepse ka shumë konferenca të investitorëve të cilat vetëm investitor nuk kanë sjellë në Kosovë.

Udhëtimeve të tilla nuk u dihet qëllimi përderisa kemi një qasje e tillë ku zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës, nuk shkojnë me ndonjë plan konkret, propozime dhe projekte konkrete që të adresojnë interesin e vendit duke e konkretizu qëllimin e takimeve. Me të drejtë shpesh këto vizita të tipit të “delegacionit kinez” përqeshen si njerëz që shkojnë atje vetëm për “Shopping”.

Nëse vazhdon një trend i tillë i pjesëmarrjes në takime rajonale apo ndërkombëtare, pa plane dhe pa projekte, këto vizita të udhëheqësve të qeverisë dhe diplomacisë kosovare të shoqëruar nga stafi i tyre politik e administrativ do të jetë vetëm një shëtitje më tepër të cilën obligohet ta paguajnë qytetarët e shtetit më të varfër dhe më të izoluar në Ballkan.

Autorja është Sociologe. Aktualisht është koordinatore projektesh në Balkan Sunflowers Kosova, organizatë që merret me aktivizëm shoqëror dhe ajo ishte pjesëmarrëse në takimin e shoqërisë civile që u mbajt me 12 korrik në Triestë.