Vizita e Tadiçit me Leje

(E plotësuar) Vizita e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në Deçan e Pejë bëhet me lejen e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha sot për gazetarët se Qeveria ka dhënë pëlqimin për vizitën e Tadiçit, pasi ajo ka karakter fetar.

“Tadiçi ka kërkuar leje nga zyra e BE-së në Beograd, ajo leje është dërguar në zyrën e BE-së në Prishtinë, e më pas zyra e ka dërguar në Qeveri. Qeveria i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, pasi është interesuar dhe se vizita ka të bëjë me karakter fetar”, tha Kuçi të enjten, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Kemi marrë garancë ndërkombëtare se Tadici nuk do ta përdorë vizitën për çështje politike”, ka thënë Kuçi, megjithëse ai nuk e përjashton mundësinë që Tadiçi të japë deklarata politike, sikur ka bërë edhe viteve të kaluara.

Tadiç për Krishtlindje në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të qëndrojë në Kosovë me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse.

Tadiç pritet të arrijë në Manastirin e Deçanit mbrëmjen e së premtes, më 6 janar. Ndërkaq të shtunën do të marrë pjesë në liturgjinë e mëngjesit, kanë konfirmuar nga kabineti i Tadiçit, për agjencinë e lajmeve Beta,

Pas këtij riti fetar, është planifikuar edhe një deklaratë për medie. Zëdhënësja e Tadiçit, Jasmina Stojanov, i ka thënë Klan Kosovës se presidenti serb nuk e ka ndërmend të flasë për politikë.

Kështu u pat premtuar edhe para vizitave të mëhershme, por Tadiç nuk ka mundur të përmbahet pa thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.

Për sigurinë e tij, edhe kësaj radhe, do të jenë përgjegjës KFOR-i dhe Policia e EULEX-it.