Vizat Nuk Hiqen As Më 2014

Samuel Zhbogar, kreu i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, thotë kosovarët nuk do të marrin liberalizim të vizave pa sundim të ligjit, luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit. As më 2014.

Kurdoherë që Serbia është larguar nga negociatat ajo ka humbur.

NDËRLIDHUR

Kështu e ka paralajmëruar Beogradin shefi i delegacionit të Bashkimit Eropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një intervistë për Jeta në Kosovë.

“Ata u larguan nga Rambujeja (Francë) dhe pasuan bombardimet. Ata u larguan nga Vjena dhe pasoi Ahtisaari dhe pavarësia”, deklaroi Zhbogar. “Pra mendoj që Serbia humb nga çdo negociatë nga e cila është larguar”.

Diplomati slloven foli teksa palët qenë rikthyer në bisedime pasi që disa javë më herët delegacioni i udhëhequr nga kryeministri serb Ivica Daçiq refuzoi një draft-marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe për çka kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, thoshte se Prishtina dhe Brukseli kanë qëndrim harmonik.

Sipas Zhbogarit, “Serbia duhet të përfundojë dialogun me Kosovën në pranverë” nëse dëshiron të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

E në Kosovë, qeveria është kritikuar nga opozita se po pajtohet me një autonomi të fortë për serbët përmes asociacionit të komunave, por që kryeministri Thaçi e ka quajtur brenda rregullimeve kushtetuese. Edhe Kosovës i përmendet ecja në dialog në kontekst të integrimit.

“Ata u larguan nga Rambujeja (Francë) dhe pasuan bombardimet. Ata u larguan nga Vjena dhe pasoi Ahtisaari dhe pavarësia. Samuel Zhbogar

Zhbogar thotë se për Kosovën vera mund të sjell progres në proceset integruese.

“Verës duhet të fillojnë negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Kosovën”, tha ai, megjithëse, sipas tij, janë vendet anëtarë të BE-së që do të thonë fjalën e fundit për këtë çështje.

Në tetor të vitit të kaluar Komisioni Europian miratoi fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën si një parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e njohur shkurt si MSA. Qeveria e Kosovës kishte pritur që marrëveshja të nënshkruhej në fund të vitit 2012, por BE kishte vendosur që Kosova duhet të plotësonte edhe disa kushte.

Kryeministri Thaçi kishte kritikuar Brukselin për mosunitet politik ndaj Kosovës. “Mendoj se ky paragjykim negativ në raport me Kosovën në Bruksel duhet të tejkalohet. Ky paragjykim i Brukselit është zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”, kishte thënë Thaçi, më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

MSA është marrëveshje e cila thellon bashkëpunimin, investimet dhe dialogun e drejtpërdrejtë të BE-së dhe vendit nënshkrues. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të thotë se e ardhmja evropiane e një vendi është e pashmangshme ndërsa afron vendin nënshkrues drejtë anëtarësimit përfundimtar në BE.

Telefonia, kodi bankar, kartoni i gjelbër

Zhbogar thotë se me bisedimet është arritur shumë.

Përveç se për herë të parë kryeministrat e dy vendeve janë ulur për të biseduar njëri me tjetrin, ai përmend IBM-in, këmbimin e zyrtarëve ndërlidhës, pajtimin për fondin special për veriun etj.

Sipas IBM-së, Kosova dhe Serbia krijonin pika të përbashkëta kufitare me doganierë dhe policë me prani të balancuar, shkëmbenin “diplomatë” që do të vendosen në zyrat respektive të Komisionit Europian si dhe dedikonin fondet që nxirren nga pikat doganore në veri për zhvillimin e veriut të Kosovës.

Ai tha se për çështje të këtilla asnjëherë në bisedime nuk publikohen dokumente – duke mos u pajtuar me kritikat për mostransparencë – por shtoi se prej tyre mund të varet zhvillimi në veri.

Pasi Kosova nuk ka kod telefonik, kod bankar dhe nuk është pjesë e kartonit të gjelbër, jeta e kosovarëve është shumë më e shtrenjtë se fqinjëve të tyre. Pa to, Kosova është e detyruar t’u “paguaj” haraç vendeve tjera për shfrytëzimin e këtyre shërbimeve.

Kreu i delegacionit të BE-së mendon se disa nga këto çështje do të zgjidhen shumë shpejt. “Për shembull, njerëzit tanë janë duke punuar edhe në këtë drejtim me Byronë e Kartonit të Gjelbër në Bruksel duke u përpjekur që të gjejnënjë zgjidhje për këtë problem”, tha ai.

Kosova nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër i cili përfshin të gjitha vendet e Europës dhe disa vende tjera të Mesdheut. Me të mundësohet që polisa e sigurimit të një automjeti nga një vend anëtar i Kartonit të Gjelbër të vlejë në të gjitha vendet anëtare të kësaj marrëveshje.

“Për shembull, njerëzit tanë janë duke punuar edhe në këtë drejtim me Byronë e Kartonit të Gjelbër në Bruksel duke u përpjekur që të gjejnënjë zgjidhje për këtë problem. Samuel Zhbogar

Për shkak se Kosova nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshje, qytetarët e saj detyrohen të paguajnë sigurim shtesë sa herë që duan udhëtojnë në vendet e tjera të Europës dhe më gjerë.

Zhbogar gjithashtu ka premtuar se është duke u punuar në Bruksel që të gjendet një Swift kod për Kosovën ndërsa çështja e kodit telefonik shtetëror dhe energjetika pritet të zgjidhen brenda vitit.

Kosova nuk ka një Swift kod të vetin bankar. Swift ofron një rrjet i cili mundëson institucioneve financiare anembanë botës të dërgojnë dhe pranojnë informacione lidhur me transaksionet financiare në mënyrë të sigurt dhe të standardizuar.

Në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, zëvendëskryeministrja EditaTahiri njëkohësisht përfaqësuese e palës kosovare në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, kishte thëne se Kosovës i takon kodi telefonik 383 ose 384, pasi, sipas saj, ITU ka alokuar tetë kode telefonike për tetë ish-njësitë federale të ish-Jugosllavisë dhe “Kosova është njëra ndër to”.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave në një raport i bënte thirrje Kosovës të pranonte kodin katërshifror +3815 të ofruar nga Serbia në bisedimet teknike për shkak se kjo do t’i kursente Kosovës para që paguan për shfrytëzimin e kodeve telefonike të Sllovenisë dhe Monakos.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës kishte konfirmuar se kishte propozuar zgjidhjen që një nënkontraktor lokal të bëjë faturimin e rrymës në emër të KEK-ut në veri dhe se është pro vendosjes së operatorëve lokalë virtualë të telefonisë në atë rajon.

Liberalizimi i vizave

Besimi se Kosovës do t’i hiqen vizat me vendet e BE-së në vitin 2014 duket jo fort i mundshëm, lë të kuptohet kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Por, ai beson se Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave me vendet e Schengenit para se atij t’i skadojë mandati i tij në Kosovë në vitin 2016.

“Shihni, është më mirë të befasohesh pozitivisht sesa të dëshpërohesh.Unë nuk dua që populli i Kosovës të rrisë pritjet sa i përket udhëtimit pa viza”.

“Shihni, është më mirë të befasohesh pozitivisht sesa të dëshpërohesh.Unë nuk dua që populli i Kosovës të rrisë pritjet sa i përket udhëtimit pa viza. Samule Zhbogar

Sipas Zhbogarit, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë çështje në të cilat Kosova duhet të përmirësohet nëse dëshiron liberalizim të vizave.

“Ne duam të shohim edhe zvogëlim të numrit të lëndëve (në gjykata)…”, ka shtuar Zhbogar.

Sipas të dhënave të gazetës, nëpër gjykatat e Kosovës rezultojnë të jenë rreth 230 mijë lëndë të patrajtuara. I bie që gati çdo i shtati banor i Kosovës të ketë një lëndë gjyqësore të pa trajtuar.

Ndërkohë Andy Sparks, ish-zëvendësshefi i EULEX-it, në një interviste për emisionin Jeta në Kosovë në fillim të vitit, pati potencuar luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar duke deklaruar se një pjesë e elitës politike në Kosovë është duke u hetuar nga EULEX-i.

Guvernatori, Ipko…

Samuel Zhbogar deklaron se ardhja e Bedri Hamzës, ish-ministrit të Financave, në krye të Bankës Qendrore të Kosovës në muajin mars nuk është ndonjë shqetësim për Bashkimin Europian pasi raste të tilla ndodhin edhe në BE.

“Ne kemi raste në Bashkimin Europian kur ministrat u bënë guvernatorë, kështu që ne e kemi vështirë të themi se kjo nuk guxon të ndodhë në Kosovë”, tha ai.

Megjithatë, përfaqësuesi europian la të kuptohet se pavarësia e këtij institucioni do të monitorohet nga Bashkimi Europian.

Ish-Ministri Ekonomisë, tash Guvernator i Bankës Qendrore në Kosovë, Bedri Hamza ishte pjesë e konventës së fundit zgjedhore të PDK-së.

“Ne kemi raste në Bashkimin Europian kur ministrat u bënë guvernatorë, kështu që ne e kemi vështirë të themi se kjo nuk guxon të ndodhë në Kosovë. Samuel Zhbogar

Raste tjera ku anëtarë të rëndësishëm të partisë Demokratike të Kosovës u vendosen në pozita të fuqishme mund t’i gjeni këtu dhe emërimet përfshijnë shefin e shërbimit civil të vendit, shefin e tenderëve dhe drejtuesin e gazetës zyrtare. 

Shefi i BE-së në Kosovë vjen nga Sllovenia e cila sëfundi ka hapur hetime lidhur me dëmtimin e mundshëm të interesit publik të Sllovenisë me rastin e blerjes së kompanisë Ipko nga Telekom Slovenije.

Po ashtu, sipas mediave sllovene biznesmeni kosovar Ekrem Lluka dyshohet të ketë pranuar një shumë prej 10 milionë eurosh nga Telekomi Slloven për t’u tërhequr nga tenderi për licencën për telefoninë e dytë në Kosovë që e kishte fituar.

“Kjo është e vështirë”, tha Zhbogar. “Së pari, unë këtu përfaqësoj Bashkimin Europian e së dyti unë nuk mund t’i komentoj rastet gjyqësore si të tilla. Ky është një rast gjyqësor që është duke u zhvilluar në Slloveni dhe çfarë implikacionesh kjo do të ketë edhe në Slloveni, mbetet të shihet”.

22 Prill 2013 - 00:04

Përgatiti: Bardh Shkreli 22/04/2013 - 00:04
NDËRVEPRIMI0

Vizat Nuk Hiqen As Më 2014

by Gazeta JNK
NA NDIQNI