Vizat Ndërlidhen me Mosnjohjen

Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, thotë se premtimi që i është bërë Kosovës për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave në dhjetor, nuk është i brishtë, por një premtim i fuqishëm.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Mirel e pranon se një nga arsyet pse Kosova ka mbetur e fundit në rajon, pa e fituar liberalizimin, është sepse ajo nuk njihet ende nga pesë shtete të BE-së.

Në intervistën me Jeta Xharrën, Mirel i cili është njëri ndër autorët kryesorë të Raportit të Progresit për shtetet e Ballkanit, flet për të gjeturat kryesore në Raport dhe kushtet mbi të cilat bëhen vlerësimet. Ai thotë se çështje brengosëse jo vetëm në Kosovë, për për tërë rajonin është pikërisht sundimi i ligjit. Por disa shtete, sipas tij, janë duke funksionuar më mirë, siç është rasti i Malit të Zi, me të cilin është propozuar të hapen negociatat.

Sa i përket veriut, ai tregon se në raport i është sugjeruar Qeverisë që të ketë një plan dhe vizion për këtë pjesë veriun. Ai rikujton se në veri janë bërë fare pak investime, pothuajse zero, për vjet të tëra.

Mirel thekson se Raporti i Progresit nuk është lehtë të përpilohet, sepse duhet të grumbullohen informata nga shumë burime të ndryshme. “Natyrisht, kemi parashtresat nga vetë Qeveria, ku ata paraqesin vlerësimet e tyre, mbajmë takime të rregullta dhe zhvillojmë dialog të përhershëm, por mundohemi të jemi të drejtë, të balancuar dhe objektivë”.

Nëse lexohet raporti me kujdes, sipas tij, një vlerësim “në mënyrë të tërthortë” i bëhet edhe pranisë së BE-së në Kosovë. “Për shembull, kur ne themi se janë hapur rastet e para të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mund të nënkuptohet se kjo punë është kryer në mënyrë të përbashkët nga EULEX-i dhe gjyqësori, apo jo?”

Nëse do ta lexonte Raportin nga perspektiva e një qytetari të Kosovës, Mirel thotë se “fillimisht, do të bënte një vlerësim të sistemit gjyqësor, sistem ky që ka kohë që është tejet i dobët dhe mbetet i tillë”.

“Tani, dhe ky është vlerësim ynë, korniza legjislative është në masë të madhe e përcaktuar, së voni është plotësuar me ligjin e ri për mbrojtjen e dëshmitarëve; strukturat ekzistojnë, kemi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial; pagat janë ngritur për 50 për qind. Kësisoj, mbase është koha që qytetarët të thonë: ne tani kërkojmë gjykata efikase dhe kërkojmë që gjykimet të mos mbahen në zyra të gjyqtarëve, por në gjykatore. Qytetarët duhet të kërkojnë këtë, sepse kurdo që ne përmendim e bëjmë për të mirën e vetë qytetarëve”, thotë drejtori për Ballkanin Perëndimor, në intervistën e transmetuar të enjten mbrëma në RTK.

“Mendoj se para se që të keni një gjyqësor efikas, ju duhet të plotësoni tërë kornizën legjislative. Mbase Kosovës i është dashur pak më shumë kohë për këtë, por tani ajo është e kompletuar. Ju duhet të keni edhe strukturat, dhe riemërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve posa ka përfunduar. Tani ata janë në pozitat e tyre. Ende mbeten pozita të hapura, dhe këtë e dimë, por, strukturat tani ekzistojnë dhe u mbetet këtyre njerëzve të kryejnë punët e tyre, e po qe se edhe vitin e ardhshëm do të kishim një vlerësim identik me këtë të sivjetmin – atëherë kjo do të paraqiste një çështje serioze. Aktualisht, të gjitha strukturat janë krijuar dhe këta njerëz duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të punojnë në mënyrë transparente, të jenë efikas dhe të jenë profesionalë”.

Duke bërë një krahasim ndëmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit, Mirel shprehet se nëse lexohen, jo vetëm Raportet e Progresit, por edhe Dokumenti Strategjik, që Komisioneri Stefan Fuele, ia paraqiti të mërkurën Parlamentit Evropian, do të shihet se çështja e parë që shfaqet si brengosëse për tërë rajonin është pikërisht sundimi i ligjit. “Në të gjitha shtetet. Disa shtete janë duke funksionuar më mirë, siç është rasti i Malit të Zi, me të cilin kemi propozuar të hapim negociatat, ndërsa nga të tjerët ende kërkohen përpjekje në këtë drejtim”.

Duke komentuar përshtypjen e kosovarëve se Kosova është shumë e diskriminuar, në krahasim me rajonin, duke filluar nga mungesa e lirisë së vizave, Mirel thotë se “një nga arsyet është se, për fat të keq, ende nuk mund të nënshkruhen dokumentet, ngase pesë shtete ende nuk e njohin Kosovën, sepse çështja e riatdhesimit kërkon vendim të njëzëshëm, ndërsa vendimi për vizat, shumicë të cilësuar”.

Por ai konsideron se çështja e vizave është një propozim shumë i rëndësishëm që është ofruar nga Komisioni. “Ne fillimisht do të lansojmë dialogun për viza në dhjetor dhe mbesin tri kushte të cilat duhet plotësuar. Këto kushte janë të lehta…Në fakt disa kushte mund të plotësohen brenda disa javësh, dhe ne do ta presim një raport që duhet të dorëzohet në fillim të dhjetorit, dhe ne do ta lansojmë dialogun e vizave në dhjetor. Unë kam menduar se do të jeni shumë të kënaqur me këtë, pasi që këtë e keni kërkuar ka qe dy vjet”, ka thënë Pierre Mirel.

“Ju bëtë vërejtje dhe thatë se kemi bërë një premtim të brishtë për dialogun e vizave. Nuk është ky një premtim i brishtë, por një premtim i fuqishëm. Cili është saktësisht ky premtim, se do të fillojmë të flasim lidhur me këtë çështje? Para se të arrihet fundi – diku duhet të fillohet, apo jo?”, thekson ai.

Sa i përket “shpërblimit” të Serbisë me kandidaturë, Mirel shprehet se kur përpilohet mendimi, Komisioni vlerëson dy lloje të rëndësishme të kushteve. “Lloji i parë i kushteve, të cilin nëse do duhesha ta vlerësoj me notë, do ta konsideroja se mban 80% të rëndësisë, përfshin ato që ne i quajmë kriteret e Kopenhagës për anëtarësim. Këtu përfshihen kriteret politike, reformat në vend, kriteret ekonomike dhe masa deri në të cilën vendi ka pranuar standardet evropiane dhe normat juridike të Bashkimit Evropian. Kjo paraqet pjesën kryesore të të opinioneve që janë dhënë për Malin e Zi, vitin e kaluar dhe për Serbinë këtë vit. Më pastaj, vlerësohen edhe ato që ne i quajmë kushtet e stabilizim-asocimit. Këtu përfshihen dy elemente: i pari është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, të cilin Serbia e ka realizuar plotësisht; dhe i dyti është bashkëpunimi rajonal, në të cilin Serbia nuk ka shënuar përparim. Kjo është arsyeja përse ne presim që dialogu të vazhdojë dhe që çështja e bashkëpunimit rajonal të jetë pjesë e këtij dialogu”.

A ka BE-ja vizion për veriun e Kosovës? Mirel thotë se edhe në Raport i është sugjeruar Qeverisë së Kosovës të ketë një vizion për veriun. “Po ta kishin ata një vizion të tillë, ju fare nuk do të kishit pasur nevojë që të kërkoni një gjë të tillë. Por ne mund të kontribuojmë dhe mund të ndihmojmë. Siç tha Komisioneri Fule, për të fituar zemrat dhe mendjet e tyre. Për këtë arsye, ne kemi sugjeruar që të sajohet një plan dhe një vizion për veriun, në implementimin e të cilit ne mund të kontribuojmë. Një nga problemet e veriut, ku unë kam qenë me Komisionarin Fule vitin e kaluar, dhe jam i sigurt se ju do të pajtoheni me mua, është se atje janë bërë fare pak investime, pothuajse zero, për vjet të tëra. Situata sociale ekonomike atje është shumë e vështirë dhe ju sigurisht pajtoheni me mua në këtë çështje”.

Mirel rikujton se Miniera e Trepçës, e cila në të kaluarën kishte punësuar shumë njerëz, më nuk punon, dhe në situata të tilla shfaqen njerëz të cilët e keqpërdorin këtë situatë. “Ne këtë e kemi dëshmuar gjatë disa javëve të fundit. Mendoj se koha ka ardhur që të sajohet një vizion i ri, i cili përmban masa të cilat mbase mund të jenë të vështira për t’u implementuar në rrethanat aktuale, por së paku do të kemi një plan, një ide do të mund të implementohet në muajt dhe vitet në vijim, ngase, jam i sigurt se ne nuk jemi të vetmit që janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë drejtim”.

Në intervistën më të gjatë, Pierre Mirel flet edhe zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë, kritikat që bëhen në Raportin e Progresit, megjithëse menjëherë pas mbylljes së votimeve, Zyra e Catherine Ashton ishte nxituar t’i lavdërojë ato.

Mirel thotë se lavdërimi ishte për zgjedhjet, në kuptim të përfshirjes së serbëve, pasi kishte një pjesëmarrje shumë më të lartë të serbëve në jug të Ibrit, sesa që është pritur. “Ajo deklaratë i ka lavdëruar zgjedhjet në përgjithësi. Vëzhguesit tonë, nëse e keni lexuar raportin e tyre, kanë bërë vërejtje shumë kritike, me mangësitë, siç i kemi quajtur ne”.

Ajo çka mbetet të bëhet tani, sipas tij, është të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet, për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë përsëritje të këtyre mangësive.