Vizat e Bëjnë Krenar Kryeministrin

Megjithëse dialogu për liberalizimin e vizave me shtetet e BE’së ende nuk ka filluar dhe përkundër deklarimeve të zyrtarëve të lartë europianë për problemet që vijnë nga fakti se pesë shtete të bllokut nuk e njohin vendin, Kryeministri i Kosovës duket se e sheh këtë temë në një dritë krejt tjetër.

Kreu i Qeverisë Hashim Thaçi vizitoi të premten punimet që po bëhen në terminalin e ri në Aeroportin e Prishtinës i cili pritet të lëshohet në përdorim vetëm pas dy vitesh. Deri atëherë, në nëse Kosova i plotëson disa kushte, mund të pritet që edhe kosovarët të mund të udhëtojnë më lirshëm në disa shtete të BE’së.

Por kjo s’e ka penguar kryeministrin e vendit, të vetmit në rajon, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në BE, që të ndihet krenar.

“Kjo është Kosova e re, me liberalizim të vizave dhe me aeroport të ri, për të udhëtuar në çdo vend të Evropës pa viza. Kjo duhet të na bëjë të ndjehemi shumë mirë dhe krenarë të gjithë neve, qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, kryeministri Thaçi ka vizituar sot punimet që po bëhen në terminalin e ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”. Duke lavdëruar punën e shkëlqyer që po bëhet nga konsorciumi “Limak-Aeroport de Lyon”, ai është shprehur se ndërtesa e re është një mrekulli që i mungoi Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe se ky do të jetë njëri nga aeroportet më të mira evropiane.

Gjatë vizitës, Thaçi ka vërejtur se po punohet sipas standardeve dhe kohës së planifikuar, dhe se kështu po krijohen edhe vendet e reja të punës.

Nga ana e tij, Sezai Bacaksız, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Konzorciumit “Limak- Aeroport de Lyon”, ka falënderuar Qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme, dhe tha se do të punohet që gjithçka të përfundohet në kohë.

Aktualisht në pjesën e ndërtimit të terminalit të ri po punojnë 150 kosovarë, dhe në të ardhmen ky numër do të shtohet edhe më shumë.

Terminali i ri do të jetë në një sipërfaqe prej 45 mijë metra katrorë, ndërsa pritet që të lëshohet në përdorim pas dy vitesh, bëhet e ditur në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.