Viti i Parë i Hashim Thaçit, Sytë nga e Kaluara

Pritjet pa rezultat për t’ua shtrënguar dorën liderëve opozitarë, udhëtimeve të shumta jashtë e vizitave të rralla të burrështetasve të huaj në zyrën e tij, si dhe kthimit në zhvillimet e të kaluarës përmes iniciativave personale, kanë shënuar 365 ditëshin e parë të Hashim Thaçit që nga votimi i tij i mjegullt në Kuvend.

Një vit i përcjellë me plot veprime që u konsideruan të papritura për opinionin.

Këtë e ka bërë kur papritur ka shkuar për të bërë homazhe te pllaka përkujtimore e civilëve serbë të vrarë në korrik të vitit 1999 në Gracke të Lipjanit, kur ka shkuar në Gorazhdec për t’i nderuar fëmijët e vrarë në vitin 2003 nga persona të cilët drejtësia nuk ka mundur ende t’i gjejë, por edhe kur është përpjekur t’i vë prokurorët në lëvizje për të nisur procesin e hetimit të shumë vrasjeve që kanë tronditur vendin në 17 vitet e pasluftës.

Por e kaluara dhe e tashmja e Presidentit nxjerr përfundime konfuze për vetë atë.

Në 2001 e injoroi, në 2016 u inaugurua para Skënderbeut

Kur komuna e Prishtinës më 28 nëntor 2001 e kishte sjellë në qendër të Prishtinës përmendoren e Skënderbeut, Hashim Thaçi që atëbotë ishte kryetar i PDK-së, nuk kishte dalë për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të saj.

Deri në atë kohë, në dy vjet e gjysmë pas përfundimit të luftës në vend, ardhja e Skënderbeut të shkrirë në bronx në Prishtinë, konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të asaj periudhe.

Kryetari i atëhershëm i komunës së Prishtinës, Salih Gashi, bashkë me kryetarin e atëhershëm të Partisë Shqiptare Demokristiane (PShDK), Mark Krasniqi, tashmë i ndjerë, ishin më të angazhuarit për ta sjellë Skënderbeun në Prishtinë, e kujton atë ceremoni.

Salih Gashi i takonte LDK-së dhe në zgjedhjet e paratë pasluftës, në vitin 2000 ajo e kishte befasuar PDK-në e Thaçit duke ia marrë shumicën dërmuese të komunave, përfshirë edhe Prishtinën me rezultat të thellë në vota.

Gashi thotë se ftesat për të marrë pjesë në ceremoni u ishin dërguar të gjitha partive politike.

“Pse nuk ka marrë pjesë, duhet ta pyesni atë. Megjithatë unë mendoj që ai (Thaçi) ka dëshiruar ta zbulojë vetë përmendoren, pa marrë parasysh protokollin e Këshillit Organizativ”,  thotë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë ceremoni, përveç Gashit e Krasniqit, kishin folur edhe kryetari i atëhershëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, ish kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle dhe ish drejtuesi i Fondit UFORK, Bujar Bukoshi.

Por gati 15 vjet më pas, Thaçi e trajtoi krejt ndryshe përmendoren në përurimin e të cilës nuk kishte marrë pjesë.

Në prill të vitit të kaluar, ai zgjodhi që të inaugurohet si President në një ngjarje me përplot të ftuar, pikërisht para këtij monumenti.

Salih Gashi e sheh Presidentin të ketë reflektuar brenda kësaj periudhe.

“Sigurisht e ka ndërruar mendjen, sepse atëherë ka bërë gabim”, thotë Gashi.

Analisti politik, Bajrush Morina, e vlerëson “të vonuar”. Por, sipas tij, më mirë vonë se kurrë.

Në opinionin e Morinës, Hashim Thaçi i vitit 2001 ishte “politikan inatçor, me huje e idhnak”.

“Mbase me qëllim e ka zgjedhur sheshin ‘Skënderbeu’. Nuk e di a i ka vajtur mendja se kush e ka sjellë Skënderbeun në Prishtinë, nuk e di a e ka brerë pak ndërgjegja se nuk ishte kur u përurua busti i Skënderbeut, por më mirë vonë se kurrë”, thotë Bajrush Morina.

Gazeta JNK ka provuar të marrë përgjigje nga këshilltari i Thaçit, Ardian Arifaj, por ai nuk është përgjigjur as për këtë, as për çështje tjera.

 ‘Jo-unifikuesi’

Hashim Thaçi u zgjodh President mes lotsjellësit e protestave në rrugë, më 26 shkurt të vitit të kaluar.

I zënë ngusht kur dështoi që të votohej në dy raundet e para që kërkonin votat e 80 nga 120 deputetët e Kuvendit, kamerat e pranishme në seancë e kapën Thaçin në një moment të sikletshëm për partnerin e tij në koalicion, Isa Mustafa, duke ia bërë me shenjë që të shkonte të fliste me deputetët e tij të rebeluar ndaj kandidaturës së Thaçit për kreun e shtetit.

Presioni i dukshëm kreu punë. Votimi i tretë e nxori Thaçin president të Kosovës për pesë vitet e ardhshme.

Kushtetuta e Kosovës thotë që Presidenti është unifikues i popullit, por sa ka mundur Thaçi ta luajë këtë rol në 365 ditët e para në këtë post?

Përkundrazi, analisti Belul Beqaj e konsideron Thaçin si “përçarës”.

Për plot 12 muaj, ai nuk arriti asnjëherë ta takojë ndonjë nga liderët e opozitës ulë ndaras apo në ndonjë tryezë të përbashkët.

As ka arritur t’i afrojë qëndrimet e tyre në pole të kundërta me ato të qeverisë rreth çështjeve që kanë dominuar skenën politike të Kosovës në dy vitet e fundit: demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Analisti Beqaj nuk sheh ndonjë hapësirë të daljes së vendit nga ky qorrsokak politik. Madje ai pret që përçarjet të vazhdojnë të thellohen edhe më tej.

“Paradoksalisht, pikërisht përçarja ka qenë metodë se si z. Thaçi ka përforcuar pozitën e vet në hierarkinë politike”, thotë Belul Beqaj.

Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ‘bojkoti’ ndaj Thaçit si President do të vazhdojë.

Në zhargonin e vet, zyrtarë të Vetëvendosjes, shpesh kur i referohen pozitës së Thaçit e cilësojnë si “i ashtuquajturi President”.

“Hashim Thaçi në asnjë aspekt nuk ka përmbushur asnjë kusht për të qenë President. Kjo mbi të gjitha për faktin e thjeshtë se ai nuk është treguar asnjë herë si faktor unifikues i klasës politike. Përpos kësaj, mënyra e zgjedhjes së tij, duke blerë votat e deputetëve dhe nën protesta e bën atë një President jolegjitim dhe të papranueshëm si të tillë”, tha Driton Çaushi, deputet i Vetëvendosjes.

Por jo të gjithë pajtohen me versionin e Vetëvendosjes.

Ganimete Musliu, deputete nga PDK, thotë se tash e një vit, Thaçi është “në krye të detyrës” si President.

Ajo mohon mundësinë që Thaçi të jetë përzier në punët e partisë, qëkur e ka dorëzuar atë në duart e Kadri Veselit, sapo u votua në pozitën e Presidentit.

“Si anëtare aktive e PDK-së nuk kam parë të ketë interferuar në ndonjë mënyrë në parti dhe kjo nënkupton që Presidenti i Kosovës është akomoduar dhe përshtatur me lehtësi në rolin e ti si i pari i vendit”, thotë Musliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Musliu thotë se në vitin e parë të punës, Thaçi është përballur me një “opozitë inatçore” dhe “të papjekur politikisht”.

“Besoj që do të mësohen shpejt me realitetin dhe do të ulen një ditë në një tavolinë me Presidentin. Sa më shpejt ta pranojnë këtë realitet do të jetë më mire për liderët opozitarë dhe për politikën e Kosovës në përgjithësi”, tha deputetja Ganimete Musliu.

Partia tjetër e opozitës, NISMA me Kosovën, thotë se krejt çka ka kundër Thaçit, janë çështjet e parimeve.

“Nëse Thaçi pranon të angazhohet në zhbërjen e marrëveshjeve për demarkacion the Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, në atë rast do të mund edhe të shikohej mundësia e shkuarjes në takim te ai. Por si duken gjërat, gjasat që ai të reflektojë janë të vogla”, tha Valdete Bajrami.

‘I paanshkalueshmi’

Belul Beqaj është i mendimit se gjatë gati dy dekadave karrierë politike, Hashim Thaçi është kujdesur më së shumti për fatin e vet politik.

“Thaçi për tu shndërruar si faktor i paanashkalueshëm në të gjitha proceset kryesore është në gjendje, jo për t’u zhveshur nga petku i PDK-së , por edhe nga lëkura e vet. Nuk e ka pasur rastësisht nofkën ‘Gjarpër’”, thotë ai.

I lindur në Burojë të Skënderajt, politikani 49 vjeçar erdhi në Prishtinë si student i historisë. Në vitet e studimeve ai kreu edhe funksionin e prorektorit- student të UP-së.

Në një gjykim në mungesë në Gjykatën e Prishtinës të administruar nga serbët, në vitet 1990, Thaçi u dënua më 10 vjet burg.

Ky dënim dhe fletarrest i lëshuar nga gjykata serbe i nxori atij telashe në një rast kur qe ndaluar nga autoritetet hungareze në vitin 2003.

Në Kosovë, në këtë kohë, përveç se drejtonte partinë e dytë më të madhe politike, Thaçi kishte rolin e një deputeti.

Partia e tij, PDK, e drejtonte qeverinë e vendit falë një marrëveshjeje tripartiake për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve të para parlamentare, por konsensusi ndërpartiak LDK-PDK-AAK e kërkoi që dikush tjetër, e jo Thaçi, ta drejtonte qeverinë.

Zgjedhjet e vitit 2004 e lanë PDK-në në opozitë deri në fund të vitit 2007, pasi Ibrahim Rugova e Ramush Haradinaj e morën qeverinë për vete.

Por çarja e LDK-së të cilës i parapriu vdekja e liderit historik të saj, Ibrahim Rugova, ia shtroi rrugën Thaçit drejt pushtetit.

Që nga janari 2008, Thaçi ka qenë gjithmonë pjesë e pushtetit, dy mandate si kryeministër ndërsa në mandatin e fundit si zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme.

Disa muaj pasi u zgjodh President, Thaçi befasoi opinionin kur një ditë i nxori nga xhepi katër letrat dërguar drejtuesve të prokurorisë.

Me këto letra, Thaçi në cilësinë e Presidentit, po kërkonte që prokurorët të heqin dorë nga komoditeti shumëvjeçar dhe të nisin të hetojnë rastet e vrasjeve të rënda që kishin tronditur vendin tërë periudhën e pasluftës.

Lista është e gjatë dhe vrasjet përfshijnë civilë serbë, gazetarë dhe oponentë të dikurshëm politikë të Thaçit e partisë së tij.

Ndërsa javë më parë, ai doli me një ide tjetër, të themelimit të një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, për promovimin e të cilit mblodhi rreth vetes politikanë, liderë fetarë dhe diplomatë të huaj.

“Në luftë kam ndërtuar bindjen që të angazhohem që të mos lejoj që ato tmerre të përsëriten më”, tha Thaçi në këtë ngjarje.

Beqaj nuk sheh diçka të sinqertë në këtë propozim.

“Kjo nismë është e dështuar në fillim ngase atë nuk është dashur për ta bërë “Viktima” edhe më pak pushtetarët, si ai, i involvuar në konflikt dhe i cili për arsye personale është më shumë të interesuar ta mistifikojë të vërtetën se sa të zbardhë atë”, thotë Belul Beqaj.