Viti i Drejtësisë së Brishtë

Emisioni i cili u transmetua këtë të premte solli përmbledhjen me raportimet ekskluzive të cilat çuan në suspendimin e prokurorëve dhe dorëheqjen e tyre pasi të njëjtit u përfshinë në afera korruptive dhe kryen sjellje të pahijshme.

Emisioni i fundit për vitin 2016, solli edhe deklaratat e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse të cilët ndërmorën veprime konkrete pas raportimeve të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Poashtu pjesë e këtij emisioni ishin edhe dëshmitë se çfarë hetimesh të reja për krime lufte ka nisur Prokuroria Speciale pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, për vrasjen e Ramiz Hoxhës në 98-ën.

Pjesë e kësaj përmbledhje ishin edhe emisionet që ndikuan në ndërrimin e praktikave gjyqësore, pas gjetjes dhe raportimeve të “Drejtësia në Kosovë”.

“Drejtësia në Kosovë” në fillim të vitit kishte hulumtuar listën e publikuar nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit për pronat e uzurpuara. Siç pati dëshmuar hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, listat e publikuara të AKP-së ishin selektive dhe nuk përfshinin edhe njerëzit e fuqishëm të afërt me partitë politike ne pushtet. Poashtu në listat e publikuara nga AKP kishte edhe emra të cilët kishin kontrata për shfrytëzimin e aseteve të pasurisë shoqërore me menaxhmentet e këtyre ndërmarrje shoqërore.

Deklaratat e kryeprokurorit, kryeparlamentarit nuk u përmbushën se çdo pronë e uzurpuar do të lirohet. Këtë e dëshmoi një rikthim në terren i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, në pjesën e fundit të vitit.

Prona shoqërore dhe publike vazhdon të mbahet e uzurpuar nga njerëz të fuqishëm dhe të afërt me politikën. Siç dëshmoi “Drejtësia në Kosovë” kompania “Rukolli”, me pronar Rrustem Rukolli, që nga viti 2010 vazhdon ta shfrytëzojë kundërligjshëm pronën e Postës së Kosovës dhe shteti ka dështuar ta largojë nga aty, ani pse nuk ka marrëveshje me pronarin legjitim të pronës Postën e Kosovës.

Nga uzurpimet, “Drejtësia në Kosovë” hulumtoi edhe faktin se fëmijët e braktisur po keqtrajtohen nga punëtorët social. Hulumtimi ekskluziv tregoi se si po abuzohet me fëmijët e braktisur në Kosovë. Të gjeturat ishin shqetësuese se si një fëmijë i braktisur ishte shtruar tri herë brenda shtatë muajve në Klinikën Pediatrike në QKUK në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” solli edhe deklaratat e  kujdestares në familjen strehuese  e cila kishte deklaruar se fëmijën ia dhanë të sëmurë. Poashtu hulumtimi nxori në pah se si një fëmijë i braktisur kishte tri data të lindjes. Për këto të gjetura, të “Drejtësia në Kosovë”,  ka patur veprime konkrete nga organet e ndjekjes.

Pjesë  e përmbledhjes së emisioneve ishte edhe njëri ndër raportimet ekskluzive, ai i bastisjeve të EULEX-it në shtëpinë e Azem Sylës. Ekipi i emisionit, në prill të vitit 2016 përcolli bastisjet e Policisë Speciale të Kosovës të udhëhequr nga prokurori special i EULEX-it.

”Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur reportazhin për historinë kriminale dhe dyshimet e prokurorisë për grupin ku bën pjesë edhe ish-komandantit shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe tashmë ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.

Siç raportoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, sot Azem Syla dhe të tjerët janë duke u ballafaquar me drejtësinë në rastin i njohur si “Toka”.

Hulumtimin i radhës siç transmetoi kësaj radhe “Drejtësia në Kosovë”, ishte edhe hulumtimi disamujor që tregoi për përfshirjen e prokurorit të krimeve të rënda në Prizren Bajram Hamitaga në afera korruptive.

Prokurori Bajram Hamitaga dhe shoferi i prokurorisë Luan Delili, tani janë duke u përballur me akuzat e Prokurorisë, pasi që ndaj tyre rëndojnë veprat penale shpërdorim i detyrës dhe akuza për frikësim dhe detyrim.

“Pas hetimeve të kryera, unë kam ngritur aktakuzë ndaj prokurorit të prokurorisë themelore të Prizrenit dhe shoferit të kësaj prokurorie dhe rasti tani më është në gjykatë dhe është mbajtur seanca fillestare. Prokurori  Bajram Hamitaga akuzohet për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa luan Delili, shoferi i kësaj prokurori akuzohet për veprën penale frikësim dhe detyrim”, ka deklaruar prokurori nga Gjilani Arben Ismajli, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjeturat e raportuara nga “Drejtësia në Kosovë”, për ndërtimin e pallatit shumëkatësh ku ka hise edhe kryetari i Shtimes Naim Ismajli, kanë shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Prokurori, Shukri Jashari, ka konfirmuar për “Drejtësia në Kosovë”, se ai pas transmetimit të emisionit në shtator të 2016 ka autorizuar Policinë për mbledhjen e provave në terren.

“Më 15 shtator 2016-të e kam autorizuar Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike, për grumbullim të informatave. Gjatë muajit tetor jam njoftuar nga hetuesit e krimeve ekonomike që kanë marrë dosjen në drejtorinë e Urbanizmit në Shtime edhe kanë filluar hetuesit me intervistimin e personave”, ka deklaruar prokurori Jashari, transmetoi “Drejtësia në Kosovë.

Hulumtimi i radhës i “Drejtësia në Kosovë” ishte edhe ai për vdekjen e dy djemve të familjes Mehana si pasojë e fajdesë.

Siç pati dëshmuar hulumtimi, shteti kishe dështuar që ta zbardhë dhe parandalojë vetëvrasjen e dy vëllezërve Mehana për të cilët familjarët deklaruan se kishin presion nga persona që merreshin me fajde.

“Drejtësia në Kosovë” gjatë vitit që e lamë pas zbuloi edhe skandalin më të madh të drejtësisë që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se mbi 8 mijë qytetarëve të Kosovës të cilët janë dënuar për kundërvajtje, u janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Dënimet antikushtetuese nga gjykatat e rregullta i ka pranuar i pari i gjykatës supreme Fejzullah Hasani.

Pas raportimit të emisionit Gjykata e Apelit kërkoi nga shtatë gjykatat themelore të ndërpritet ekzekutimi me burgim i të dënuarve për kundërvajtje.

Zbulimi i radhës i “Drejtësia në Kosovë” ishte edhe fakti se prokurori i Ferizajt Visar Musa u zu duke drekuar bashkë me personin që e kishte akuzuar dhe iniciatorë i këtij takimi siç dëshmoi hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë” ishte gjyqtari mbikëqyrës në Shtërpcë, Adem Shabani.

Pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, prokurori Visar Musa kishte dhënë dorëheqje nga detyra, ndërsa gjyqtari Adem Shabani pritet të përballet më procedura disiplinore për sjellje të pahijshme.

Zyra e Prokurorit Disiplinor,  pas raportimit të “Drejtësia në Kosovë”, ka nisur hetimin dhe ka dërguar para komisionit Disiplinor të Këshillit Gjyqësor gjyqtarin Adem Shabani.

Sipas drejtorit Zef Prendrecaj, të gjitha rastet ku kanë gjetur prova, sikurse edhe në rastin e drekës në mes të prokurorit e gjyqtarit me të akuzuarin, ata kanë zhvilluar hetimet disiplinore dhe për ato raste ku kanë gjetur prova se ka sjellje të pahijshme të kryer nga gjyqtari, apo prokurori të njëjtit janë dërguar në Komisionet disiplinore përkatëse të KGJK-së dhe KPK-së.

“Të gjitha rastet që kemi pranuar, i kemi trajtuar konform rregullave dhe ligjit, pa e paragjykuar asnjë herë nëse gjyqtari, ose prokurori janë fajtorë ose jo. Sepse janë komisionet, përkatësisht këshillat ata që vendosin nëse këta gjyqtarë, ose prokurorë janë fajtorë apo jo. Në ato raste ku ne nuk kemi gjetur prova nuk i kemi dërguar fare tek komisionet përkatëse”, ka deklaruar drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor Zef Prendrecaj.

Hulumtimi i radhës i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ishte ai për krimet e luftës në fshatin Bellanicë të Malishevës.

Ky hulumtim çoi në nisjen e hetimeve të reja nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, për vrasjen e Ramiz Hoxhës në 98-ën, ka nisur hetime të reja pas deklaratave të Hajriz Hoxhës të dhëna në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Drejtësia në Kosovë” zbuloi emra të rijnë të cilët asnjëherë nuk ishin përmendur nga prokuroria.

“Pas deklaratave të Hajriz Hoxhës të dhëna në emisionin tuaj, unë kam lëshuar autorizim të ri për Policinë, të cilët e kanë intervistuar Hajriz Hoxhën. Ai në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar diçka që se ka thënë në dy intervistat që i ka dhënë më parë në Prokurori. Arsyetimi tij ka qenë se nuk iu ka kujtuar. Dhe tani kam nisur hetim të ri për të kuptuar se kush është personi me pseudonimin “Fytyra”, të cilin e ka përmendur Hajriz Hoxha. Dhe tani për tani nuk mund të flasim më shumë, sepse mund t`i dëmtojmë hetimet lidhur me këtë rast”, ka deklaruar për “Drejtësia në Kosovë, prokurorja speciale Drita Hajdari.

“Drejtësia në Kosovë” me emisionet e saj arriti të dëshmojë se në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk ia paguajnë shtetit tatimet. Siç tregoi njëri nga emisionet tjera të transmetuara gjatë vitit 2016, dhjetëra gjyqtarë e prokurorë që fitojnë para nga qiraja e banesave, dhe pronave tjera të tyre nuk ia paguajnë tatimet shtetit. E siç dëshmoi hulumtimi i transmetuar nga “Drejtësia në Kosovë”.

Siç transmetoi këtë fundit “Drejtësia në Kosovë”, pas publikimit të të gjeturave Agjencioni Kundër Korrupsion dhe Administrata Tatimore janë vënë në lëvizje për të parë se kush janë ata zyrtarë të lartë që kanë të hyra nga qiraja, bizneset tjera dhe të njëjtat ia fshehin shtetit.

Shaip Havolli, drejtor në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar për “Drejtësia ën Kosovë”, se pasi ka parë emisionin ka kërkuar nga ATK-ja që t`i kontrollojë deklarimet e zyrtarëve në AKK dhe të gjithë ata që kanë të hyra nga qiraja të kontrollohen se a  ia kanë paguar shtetit tatimet.

“Unë e kam parë atë emision, por paraprakisht ne jemi duke e bërë një trajtim edhe tek çështjet e qirasë, por kjo bie nën kompetencat e Administratës Tatimore. Të gjitha të dhënat i kemi dërguar në ATK me qëllim që këto informacione t`i trajtojë ATK-ja dhe të na i kthejë informatat. Ne nuk e kemi veçuar një listë prokurorë dhe gjyqtarë, por kemi dërguar listën në ATK për gjithë zyrtarët e lartë dhe tani presim kthimin e informatave”, ka deklaruar shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion Shaip Havolli.