Vista: Devollët Nuk Mashtruan

Të premten në seancën e radhës së rastit “PTK-Dardafone” i pari dëshmoi Xhevdet Smakiqi, këshilltar i ministrit të ish-Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Ky dëshmitar u propozua nga Ramë Gashi, avokati i të akuzuarit Shyqyri Haxha, ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së.

Smakiqi që detyrën e këshilltarit të ministrit në MTPT, e nisi në maj të vitit 2008, tha se me ardhjen e Haxhës PTK-ja është stabilizuar duke shënuar rritje të konsumatorëve dhe fuqizim të marketingut.

Sipas Smakiqit, para ardhjes së Haxhës, PTK-ja po shkonte drejt rënies.

Haxha mori detyrën e kryeshefit ekzekutiv në PTK në dhjetor të vitit 2008, ndërsa para tij në këtë pozitë ishte Etrur Rrustemi.

Smakiqi të premten tregoi se për zgjedhjen e Naim Rrustemit, të vëllait të Etrurit, deputet në Kuvendin e Kosovës, është lobuar edhe në PTK.

“Gjatë fushatës shumë punonjës së PTK-së i kanë ndihmuar të mbledhë vota [Naim Rrustemit] dhe unë vetë ia dhashë votën atij”-tha Smakiqi.

Naim Rrushemi qe zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën e tretë legjislative nga viti 2007 deri në vitin 2010.

Më pas të premten, dëshmoi zyrtari kryesor i operativës së PTK-së, Elvis Vista, edhe ai i ftuar nga avokati i Haxhës.

Vista, si Smakiqi konfirmoi se punëtorët e Postës lobuan për Naim Rrustemin, ndërsa foli edhe për Adrian Shatkun, personin që bleu produkte të PTK-së, ndërsa përmes tyre i shkaktoi dëm ndërmarrjes.

Shatku kishte blerë numra post-paid të Valës, të cilët më pas ishin identifikuar si të përdorur në aktivitetin SIM to SIM.

Nëpërmjet këtij aktiviteti mashtrues mendohet se PTK-së i është shkaktuar një humbje prej 20 milionë eurosh.

Vista më tutje tha se Devollët nuk ishin të përfshirë në këtë mashtrim, ndërsa marrëveshja mes PTK-së dhe Dardafone-it sipas tij është finalizuar para se Haxha të merrte detyrën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së.

PTK-ja kishte zgjedhur si partner të saj virtual(MVNO) Kompaninë “Dardafone LL C” një konsorcium i përbërë nga “Devolli Group” dhe kompania “Unitel” nga New Yorku.

“Dardafone LL C” qe licensuar për këtë qëllim nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, ndërsa sipas kontratës me PTK-në do të merrte 78 për qind të fitimeve që do të nxirrte si operator virtual. Posta do të ndalte për vete vetëm 22 për qind të fitimit.

Drejtori ekzekutiv i PTK-së Shyqri Haxha dhe kreu i Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonbalaj, kur nënshkruan kontratën me “Dardafone LLC” thuhet se i shkaktuan humbje prej 200 milionë eurosh buxhetit të shtetit .

Përpara se të nisnin dëshmitë e Smakiqit dhe Vistës në seancën e së premtes prokurori Hardway tha se ka marrë një letër elektronike nga një dërgues anonim që konteston dijen akademike të ekspertit Riza Blakaj.

Trupi gjykues mori vendim që këtë çështje ta diskutojë, tri ditë pasi që mbrojtja të njihet me përmbajtjen  e letrës elektronike.

Riza Blakaj ekspert i ekonomisë dëshmoi në rastin “PTK-Dardafone” të premten e kaluar.

Në këtë rast Haxha e Gjonbalaj po akuzohen për “lidhje të kontratave të dëmshme” dhe “shpërdorim të detyrës zyrtare”.

Bashkë me Haxhën e Gjonbalajn në këtë proces gjyqësor po ngarkohen me vepra penale edhe tre përfaqësues të “Dardafone LL C”.

Shkëlqim e Blerim Devolli dhe Ismet Bojku nga Kompania “Devolli Group” akuzohen për mashtrim, lidhje të kontratës së dëmshme dhe për falsifikim dokumentesh.

Seanca e radhës u caktua për 28 Qershor, kurse paneli konfirmoi se aktgjykimi do merret kah muaji Korrik.