Viktimat e Dhunimit Të Dallohen Nga Viktimat Civile

Për Projektligjin i cili ka për qëllim rregullimin dhe ndryshimin e ligjit ekzistues për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, në dëgjimin publik të mbajtur të mërkurën, të thirrur nga Komisioni për Shëndetësi… janë dhënë sugjerime të shumta nga pjesëmarrësit në këtë takim.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ngriti shqetësimin e financimit të implementimit të këtij projektligji. Ministri Rashiq tha se pengesë për këtë projektligj mund të bëhet buxheti.

Rashiq tha se nuk do të dëshirojë që ky ligj të mbetet vetëm në letër dhe i pa zbatuar.

“Nuk e kundërshtoj esencën, por formën. Nuk dimë sa mund të kushtojë ky ligj” tha Rashiq

Deklarimi i ministrit Rashiq nëse është e përballueshme kostoja e këtij ligji nuk u pëlqye aspak nga përfaqësues të shoqërisë civile, të pranishëm në takim.

Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se edhe pas 14 vjetëve të përfundimit të luftës vazhdon të fyhet dinjiteti i kësaj kategorie.

“Është koha që [këtyre grave] ne t’u kompensojmë dëmet dhe lëndimet që kanë pasur” tha ajo.

Çështje e cila është debatuar gjatë takimit ka qenë edhe emërimi i kategorisë së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Muharrem Xhemalji kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL), tha se emërimi i tyre të bëhet në kuadër të viktimave civile.

“Personat e dhunuar gjatë luftës të mbesin në pjesën e kategorive tek viktimat civile” tha ai.

Por lënia e viktimave të dhunimit në një kategori të përgjithësuar është kundërshtuar nga pjesëmarrës të tjerë në këtë dëgjim publik.

Arsim Berisha, përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se për gratë e dhunuara duhet të ketë një emërtim tjetër në projektligj.

 Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), kërkoi që këto kategori të jenë të specifikuara në ligj.

“Në ligj duhet të specifikohen [këto kategori]” tha ai.

Shala deklaroi se termi viktima civile është shumë i përgjithësuar.

“Kjo nuk qëndron, nuk është në rregull” tha ai.

Që kategoria e viktimave të dhunimit të jetë e specifikuar kërkoi edhe Luljeta Vuniqi nga Qendra Kosovare për studime Gjinore.

Nazlie Bala nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që është iniciues dhe hartues i këtij projektligji, po ashtu tha se specifikimi i kësaj kategorie do të duhej të bëhej në ligj.

“Dhunimet janë të njohura ndërkombëtarisht” tha Bala.

Afati për aplikim të personave që i përkasin kësaj kategorie sipas projektligjit, aktualisht zgjat 5 vjet.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se periudha prej 5 vjetësh do të duhet të merret në konsideratë për zgjatje.
 
Rekomandime lidhur me projektligjin dha edhe Leonora Selmani nga Zyra e Kryeministrit-Agjencia për Barazi Gjinore.

Grupi punues në kuadër të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale deri më tash ka pranuar tri amendamente nga Grupi i Vetëvendosjes.

Albulena Haxhiu (VV) tha se amendamenti i parë ka të bëjë me qartësimin me dispozita ligjore lidhur me kompensimin, i dyti merret me formimin e një komisioni prej 6 anëtarësh për një periudhë kohore sa do të zgjasë aplikimi si dhe amendamenti i tretë ruan konfidencialitetin e të dhënave personale të personave që i kanë mbijetuar dhunës seksuale.

Liburn Aliu kryesues i Grupit Punues në kuadër të këtij Komisioni kërkoi nga pjesëmarrësit e dëgjimit publik të së mërkurës që të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet t’i dërgojnë në mënyrë elektronike ose të shtypur.

 “Presim vërejtjet e juaja konkrete për secilin nen përkatës…. I mbetet komisionit t’i trajtojë të gjitha vërejtjet e juaja” tha Aliu.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, më 16 tetor të vitit 2012, procedoi në Kuvend projektligjin “Për plotësim-ndryshimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve invalidëve, veteranëve pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës e familjarëve të tyre”.

Projektligji i cili ka kaluar në lexim të parë, nxiti polemika të shumta ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.