Vicianum, ku Demokracia Vendos që të Vdekurit Janë Gjallë

Nën tingujt e lugëve që rrahin gotat e vogla të “çajit të rusit” që po i pinë kameramanët e ekipit të BIRN-it dhe Internews Kosova, salla e Asamblesë Komunale të Vushtrrisë, një sallë e improvizuar në një ndërtesë të vjetër, po përgatitet ta zhvillojë debatin e organizuar nga “Jeta në Komunë”. Në ballë të sallës së asamblesë janë fotografitë e dy komandantëve të Kosovës, atij “Legjendar” Adem Jashari të përcaktuar kështu me ligjin për vlerat e luftës Nr. 4-L/054, dhe komandantit aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës – Presidentes Atifete Jahjaga.

“Çaji i rusit” pihet rrastë në dhjetëra çajtoret e Vushtrrisë së vogël. Shërbehet në gota të vogla, mundësisht me katër pika të kuqe të kufizuara nga të dy anët me shirita të gjelbër. Kjo është gota tipike e çajit të rusit. Po pse i “rusit”? Ky çaj ka mbetur në Kosovë nga tradita osmane, e kjo e fundit e kishte marrë nga Persia. Por disi, në një mënyrë të pashpjegueshme, kosovarët e quajnë “çaj rusi”, çajin e zi që në shtëpitë e tyre vjen në pako kartoni me mbishkrimin “Ceylon Tea” (çaj Cejloni).

Në Vushtrri çaji i rusit është pjesë e një subkulture lokale, që në fakt e ka bërë këtë të fundit “qesharake” para gjithë Kosovës. Filluan gjithandej nëpër rrjetet sociale konfliktet urban vs rural, pas disa intervistave televizive ku banorët e Vushtrrisë pohonin se pinin 20-30 çaja në ditë, kishte edhe një djalë rreth të 30-ave që me qesëndi ndaj gazetares që e intervistonte pohoi se pinte 70 çaja në ditë. Askush nuk e shtroi pyetjen se pse qytetarët e Vushtrrisë kanë kaq shumë kohë për të pirë çaj.

Teksa ulen në sallën e Asamblesë, asamblistët shkëmbejnë batuta. Regjisori po ua shpjegonte disa rregulla të sjelljes me kamerat dhe mikrofonin që duhej bartur nëpër sallë. Ai kërkoi të njihet me strukturën partiake të sallës, dhe kur u përmend AAK-ja, një asamblistë u largua me shpejtësi nga vendi ku qe ulur, a thua se dikush do ta fiksonte te pozicioni i AAK-së. Menjëherë foli i vetmi asamblist besnik i AAK-së nga 6 sa kishte pasur në fillim, i cili sqaronte veprimin e koleges së vet duke thënë se ajo kishte qenë në AAK porse tash nuk është më. Nga veprimi i zonjës, e cila iku nga ulësja e saj e mëparshme gati duke vrapuar, qeshi e tërë salla.

Struktura partiake e asamblesë dominohet nga PDK me 12 asamblistë, pas saj vjen LDK me 7, AAK me 6 por që tash ka mbetur vetëm 1, VV me 3, AKR me 2, PDK me 2, LB me 2, KDTP me 1 dhe Lista Serbe me 1. Kësisoj kryetari Bajram Mulaku nuk ka telashe në bindjen e asamblistëve pasi edhe vet vjen nga PDK.

“Tre, dy, një… po shkojmë!” u dëgjua për herë të fundit në dëgjueset e kameramanëve në sallën e heshtur, zëri i regjisorit që shënoi kështu fillimin e regjistrimit të debatit.

Dhe spektakli fillon

Moderatorja theksoi se kjo komunë ka tre drejtore. Ndonëse një komunë relativisht e vogël me 72,212 banorë dhe e konsideruar si një komunë me popullsi konservatore ajo është ndër komunat me më së shumti drejtore gra.

Kjo lëvdatë i parapriu premtimeve të kryetarit Bajram Mulaku të bëra gjatë fushatës zgjedhore të dy vjetëve më parë, që patën mundësi t’i shohin të gjithë asamblistët në monitorin e vendosur për këtë qëllim. Ishte tani radha të shihej se si janë menaxhuar 14.625 milionë eurot e ndara për këtë komunë.

Premtimet për subvencione në bujqësi si një komunë e përqendruar në këtë fushë ishin mjaft të rëndësishme gjatë fushatës së tij. Por të gjitha projektet e tij si ai i bletëve, lopëve, mjedrave kishin pasur probleme me sëmundje të ndryshme.

Bletët që ishin subvencion i komunës ishin sjellë nga Maqedonia. Ato kishin qëlluar të sëmura dhe kishin vdekur. Këtë e kishte raportuar Gazeta JNK para disa kohësh. Bletët e mbetura ishin tërhequr nga komuna dhe ishin shfarosur që sëmundja të mos përhapej.

Opozita akuzonte kryetarin dhe bashkëpunëtorët e tij si të papërgjegjshëm. Vazhdoi hedhja e akuzave dhe shfajësimi nga to, deri sa moderatorja e këtij format debatesh, Jeta Xharra, kërkoi që për këtë të përgjigjet drejtorja për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Vushtrrisë znj. Arta Haxhaj.

Znj. Haxhaj hodhi poshtë akuzat duke thënë se komuna është një institucion dhe se institucionet punojnë me letra e jo me pallavra.

Kështu, në dokumentet e saj të agjencionit të veterinarisë në Maqedoni thuhej se bletët ishin të shëndosha, po ashtu në dokumentet nga Agjencioni i Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës.

Prandaj, ajo insistonte se këtu s’kishte rast, gjithçka ishte e qartë, bletët ishin të shëndosha. Por të gjithë, e dinin se ato nuk ekzistonin më, dhe se kishin vdekur.

Demokracia në veprim

E ndodhur në këtë situatë, moderatorja e emisionit, së cilës i është dhënë fuqia e kryesuesit të asamblesë në këto debate vendosi ta fusë në procedurë votimi këtë çështje.

E kur puna vjen te votimi dhe demokracia, lashtësia e këto, vlen të rikujtohet se Vushtrria apo Vicianum siç është emri i saj antik, ka një trashëgimi të lashtë, ajo banohet të paktën që nga shekulli i 7-të.

I ka disa monumente me vlera të mëdha historike si ura e gurit dhe kështjella që i përkasin periudhës romake.

Zëra nga tifozë lokalë të historisë ezoterike thonë se këtu ka lindur civilizimi, kuptohet që me të edhe demokracia. E sot, Vushtrria po votonte për shëndetin e bletëve që kishin ardhur nga konkurrenti kryesor për nga lashtësia, “djepi i civilizimit” – Maqedonia.

Bëhet fjalë për atë tabelën që sapo hyn në territorin e Maqedonisë shkruan “Mirë se erdhët në djepin e civilizimit – Maqedoni”.

Votimi u krye. Asambleja Komunale e Vushtrrisë me shumicë të ngushtë votash vendosi që bletët janë të shëndosha ndërkohë që ato kanë vdekur. Këto i ka demokracia e lashtë sa vetë Vushtrria. Vendos shumica dhe vendimi do të respektohet.

Vushtria sot nuk ka ujë. Si për ironi këtë e paralajmëron ura e gurit, pjesë e logos së komunës, e cila ndodhet në mes të një fushe pa ujë. Lumi që dikur rridhte nën të, nuk ekziston tash e sa shekuj. Tash e 8 vjet kryetari Bajram Mulaku në të gjitha zgjedhjet lokale premton ujë 24 orë për qytetarët e Vushtrrisë.

Më 2007, 2009, 2013 e tash fundi i 2015-ës, qytetarët e Vushtrrisë kanë dëgjuar e do ta dëgjojnë kryetarin duke thënë diçka për ujin. Bile kësaj radhe e pranon se është vështirë të premtojë ngase kjo punë nuk varet vetëm nga ai por edhe nga niveli qendror i qeverisjes në Kosovë.

E kur jemi te uji në Vushtrri duhet thënë që fabrika e ujit është gati. Ajo ka kapacitet të prodhojë 350 litra/sekondë. Thënë me terma të Vushtrrisë, kjo i bie që fabrika mund të mbushë 4375 gota të çajit në sekondë.

U bënë pyetje edhe për asamblistët. Ishte kureshtje e të gjithëve të merrnin vesh çfarë kishte ndodhur me 6 asamblistët e AAK-së. Asamblisti “jetim” Rrahim Ajeti tha: “Unë nuk i ha karamelet”, duke lënë të kuptohet se të tjerët i kishin ngrënë.

Gjatë debatit, u mor vesh po ashtu se Vushtrria është braktisur nga 5000 qytetarë në valën e fundit të “eksodit” kosovar 2014-2015, ku rreth 100 mijë vetë sipas raporteve mediale e kanë lënë Kosovën.

Tani ka filluar të marrë kuptim pirja e 20-30 çajeve në ditë, e pse jo edhe 70.