Vetëvendosje Kërkon Protesta, Kundër Bllokadës Politike

Por mundësia e mbajtjes së protestave ka filluar të përmendet qysh javën e kaluar, nga përfaqësues të Lëvizjes vetëvendosje.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, qe shprehur për KTV-në se në këto momente e “vetmja rrugë për të larguar Thaçin nga pushteti mbeten protestat qytetare”.

Madje ai ka kërkuar mbështetje edhe nga partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Organizimin e protestave e ka lënë të kuptohet edhe vetë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të dielën, gjatë takimit të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

“Neve na intereson që ndërhyrjen jashtë-parlamentare ta bëjnë qytetarët, ose ta bëjmë ne si Lëvizje Vetëvendosje”, tha Kurti në këtë takim.

Edhe për analistin Dukagjin Gorani protesta mbetet mënyra e vetme për të shfaqur pakënaqësinë dhe për t’i dhënë fund gjendjes, siç thotë ai të papërgjegjshme.

“Mendoj se thirrja në protesta është gjëja më e natyrshme që do të duhej bërë. Personalisht, kam pritur që protestat të ndodhin shumë më herët, nga fillimi i verës. Sot, me këtë heshtje qytetare vetëm sa i përzgjatet iluzioni udhëheqjes politike se kinse ka përkrahje në popull”, tha ai.

Sipas Goranit, protestat mbeten mënyra e vetme për ta shfaqur pakënaqësinë me të dhe fundin e durimit për një gjendje të papërgjegjshme.

Nga ana tjetër, analistja Besa Luzha, mendon se ende nuk ka ardhur koha për protesta edhe pse, sipas saj, protestat paqësore të organizuara me iniciativën qytetare do të shërbenin për t’u thënë politikanëve se mjaft është bërë me këtë krizë politike.

“Njëherë nuk po shoh disponim që njerëzve u ka ardhur deri të hunda sepse janë ndërkombëtaret, mund të merren vesh liderët mes tyre. Unë mendoj që pa tjetër për t’u bërë një zgjidhje”, shtoi Luzha.