Veteranët Serbë Kundërshtojnë Zhvarrimin e Ushtarëve Rusë

Zeljko Zirojeviq, kreu i SUBNOR Kragujevc, organizatës që përfaqëson ish-luftëtarët partizanë të Luftës së Dytë Botërore, tha për BIRN të premten se zhvarrosja e eshtrave të ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe dhe vënia e tyre në një varr masiv do të ishte e turpshme, sepse në vitin 1945 “ata morën në pjesë në betejat për çlirimin e Kragujevcit dhe të rajonit qendror serb të Shumadijas”.

“1,153 prej tyre vdiqën për lirinë tonë. Ata kaluan me mijëra kilometra në luftën kundër fashizmit dhe shërbëtorëve të tij. Patriotizmi dhe antifashizmi janë të paçmuar,” tha Zirojeviq.

Kritikat erdhën pasi Nikola Spasiq, kryetar i varrezave të qytetit të Kragujevacit, tha për mediat se varret për të cilat nuk janë paguar tarifat për më shumë se dhjetë vjet mund të zhvarrosen dhe të vendosen në një varr të përbashkët.

Spasiq tha se ka rreth 1,063 varre të tillë, midis tyre janë ata të ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe që morën pjesë në çlirimin e Kragujevcit.

“Kompania (Varrezat e Qytetit të Kragujevcit) është në krizë të madhe, për shkak të një borxhi prej 52 milionë dinarësh (430,287 euro) nga tarifat e papaguara,” tha Spasiq ditën e enjte për gazetën “Veçernje Novosti”.

“Kjo është arsyeja pse kam filluar bisedimet për të zgjidhur çështjen me autoritetet lokale dhe të gjithë të tjerët që nuk i kanë paguar këto tarifa për më shumë se një dekadë,” tha ai.

Nëse çështja nuk zgjidhet, Spasiq shtoi se “do të duhet të zbatohet legjislacioni”.

Sipas Ligjit të Serbisë mbi Varrimin, Varreza e Qytetit të Kragujevcit ka të drejtë të zhvarrosë eshtrat nëse një varr nuk paguhet për më shumë se dhjetë vjet, paralajmëroi Spasiq.

BIRN kontaktoi Spasiqin për një koment, por nuk mori asnjë përgjigje të menjëhershme.

Njoftimi hasi edhe kundërshtimin e SUBNOR Serbisë përfaqësues të së cilës ditën e premte thanë se “ne duhet t’i trajtojmë me nderim të gjithë patriotët dhe antifashistët”.

Kryebashkiaku i qytetit të Kragujevcit, Radomir Nikoliq, i cili është gjithashtu një anëtar i Partisë Progresive Serbe, një nga partitë qeverisëse dhe djali i presidentit serb Tomislav Nikoliq, gjithashtu e kundërshtoi zhvarrimin e mundshëm.

Në një deklaratë të enjten, Nikoliq paralajmëroi se për sa kohë që ai është kryebashkiak “ asnjë nga të vdekurit nuk do të zhvarroset për shkak të tarifave të papaguara dhe sidomos ky nuk do të jetë rasti i luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë e qytetin tonë”.

Nikoliq fajësoi gjithashtu gazetat “se kanë trilluar histori për zhvarrosjet e ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe në çastin kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiq po viziton Moskën.”

Gjatë udhëtimit të tij treditor në Rusi këtë javë, Vuçiq ra dakord për bashkëpunim ushtarak dhe blerje armësh, edhe pse delegacioni serb u paralajmërua nga disa ekspertë të mos firmosë asnjë marrëveshje ekonomike me Rusinë që mund të shkelë sanksionet ekonomike perëndimore kundër Moskës në lidhje me krizën në Ukrainë.