Veshkat – Çka Nëse u Tregohet Rrëfim Tjetër

Kur filloi të punojë në filmin e saj për trafikimin e organeve u nis me idenë se të blesh një pjesë trupi nga dikush i varfër ishte eksploatuese dhe e neveritshme. Mirëpo, sot, ajo është e bindur se e vërteta është një rrëfim më i gjerë.

Në vitin 2007, Ric Esther Bienstock fitoi çmimin Emmy për gazetari të shquar hulumtuese me filmin “Sex Slaves” që flet për tregtinë e femrave të bllokut sovjetik në tregun ndërkombëtar. Pikërisht duke filmuar atë dokumentar në Moldavi dhe Ukrainë, tregon gazetarja hulumtuese dhe regjisorja kanadeze në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, dëgjoi të flitej për njerëz që kishin shitur veshkat e tyre në tregun e zi. Ky treg, sipas saj, është i dominuar nga veshkat sepse ka mungesë të madhe të tyre në botë. 

NDËRLIDHUR

“Fillova të kërkoj njerëz në perëndim, këtu në Amerikën e veriut, e të cilët ishin të pashpresë në kërkim të veshkave”, rikujton Bienstock e kthyer në zyrën e saj në Toronto pas prezantimit të filmit Tales From the Organ Trade në DokuFest në Prizren. “Dhe ishte një kanadez i cili kishte përfunduar duke shkuar në klinikën Medicus. Që kur e takova isha e interesuar në rrëfimin e tij. Mendova: është interesante të provoj dhe gjurmoj njerëzit brenda këtij operacioni, të gjej mjekun, ndërmjetësuesin dhe të shoh se si të gjithë përfunduan në një klinikë të vogël në mbarim të Prishtinës”.

Rauf Fein i cili bleu veshkën në Kosovë

“Njerëzit janë kuriozë rreth Dr (Youssuf) Sonmezit…Po, një prej karakteristikave të Medicus-it është se gati secili – përveç disa mjekëve lokalë – ishte sjellë nga shtetet e huaja si Turqia, Moldavia, Bellarusia”, tregon Beinstock. Por, gjetja e përgjigjeve që i kërkonte e bëri atë të kërkojë edhe për shumë shtete tjera të botës si India, Pakistani, Filipinet, Kina. “Nëse shkoni, për shembull në Filipine, do të gjeni se edhe mjekët edhe dhuruesit janë lokalë e një pjesë e pranuesve të huaj”. Kështu që nuk është se Kosova është qendra e botës. Kjo tregti ndodhë edhe në Egjipt, Pakistan, Kolumbi, Kosta-Rikë. “Nuk gjej lidhje mes tyre…”, thotë gazetarja. Ndodhë në shumë vende, por është ilegale. Vetëm në Iran jo. “Atje mund të blihet veshka legalisht dhe nuk ka listë pritjeje, por nuk është e hapur për të huajt”.

Mjeku turk Sonmez dhe ndërmjetësi izraelit Moshe Harel vazhdojnë të jenë në arrati, të kërkuar nga Interpoli, por në fund të këtij prilli, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me gjithsejtë 20 vjet burg pronarin e klinikës “Medicus”, Dr. Lutfi Dervishin dhe katër të akuzuar të tjerë përfshirë të birin e tij, për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor. Prokurori Jonathan Ratel kishte thënë se tregtimi “në çdo aspekt ishte një shfrytëzim i egër i të varfërve”. Sipas Beinstockut, Ratel ka bërë një punë të mirë. Sepse, transplantimi i organeve në Kosovë është gjithashtu ilegal. Por këtu dhe në shtete tjera ajo ka kërkuar dhe ka gjetur përgjigje tjera. 

Nën tingujt e këngës “Take a piece of my heart” të Janis Joplin, filmi nis me pamjet e njerëzve që kanë hequr veshkat në shkëmbim të parasë. Derisa keni shikuar filmin, 118 persona në mbarë botën kanë vdekur si pasojë e dështimit të veshkave, nënvizon narratori…Por dokumentari 82 minutësh, xhirimet për të cilën zgjaten gati katër vjet, tregon se po – ndërmjetësit e dinë se ata po bëjnë diçka ilegale -, ama, në shumicën e rasteve njerëzit u afrohen atyre vetë. “Ishte e kundërta e asaj që prisja. Kur njerëzit kërkojnë para dhe vendosin se duan të shesin veshkën e tyre, gjë që është natyrisht tragjike pse duhet ta bëjnë, ata flasin me fqinjët dhe pyesin si bëhet… Njerëzit që duan të shesin veshkat i gjejnë ndërmjetësit, ky është për shembull rasti në Filipine”. 

Regjistorja interviston Dr.Somnezin në shtëpinë e tij, Stamboll

Ata që i mendoja batakçi- rrëfen Bienstock – fillova t’i kuptoj. Flitet për blerësit e pasur nga perëndimi që eksploatojnë veshkat e njerëzve të varfër. “Por kur i intervistova ata (pranuesit), askush nuk e mori këtë lehtë. Askush nuk tha: ‘unë i kam paratë, kush brengoset’. Ata ishin së pari të pashpresë. Çfarë ka më të pashpresë se të provosh të jetosh? Dhe, ata gjithashtu donin të mendonin se po ndihmonin të varfrit”, shton Bienstock. “Kështu që njeriu fillon të pyes vetën ‘çka do të bëjë nëse ti ose fëmija yt do të kishte nevojë për veshkë?’”.  

Në anën tjetër, thotë ajo, njerëzit që shesin veshkat jetojnë në varfëri të padurueshme. Ata mezi ia dalin që të kenë mjaftueshëm për t’ua vënë fëmijëve ca oriz në tryezë. “Ata ndjehen se kjo është diçka që mund të bëjnë që të marrin para të mjaftueshme për të blerë shtëpi, ose një biçikletë për të transportuar njerëz dhe për të mbështetur kështu jetën e tyre. Është e neveritshme, por papandehur gjeta njerëz që kishin përfituar prej kësaj”.

Pastaj janë njerëzit që bëjnë operacionet – kirurgë, mjekë, anesteziologë etj. “Këta janë njerëz të edukuar”, thotë ajo. “Prandaj tregu është i mbushur me njerëz të cilët në një anë janë zbatues të ligjit dhe në përgjithësi nuk do ta shkelnin atë. Kjo nuk është sikur tregtia me droga ose me armë”.

Një fshatar në Filipine që e ka shitur veshkën e tij

Bienstock thotë se si njerëz jemi të inkurajuar të ndihmojmë një anëtar të familjes nëse i duhet veshka dhe ajo u përshtatet. “Por unë u interesova të shikoj se si paraja mund ta ndikojë këtë transaksion. Po, paraja e ndryshon atë. Sepse, nëse në anën tjetër të relacionit dikush merr një veshkë dhe personi jeton dhe kështu bën edhe shtiesi e ky e çon fëmijën në shkollë dhe është i lumtur – transaksioni është ilegal, por a është i keq? Këtë duhej ta eksploroja në film. Nuk po avokoj për shitje të organeve, por vetëm po them se kur njeriu shkon në tregun e zi të organeve e gjen këtë rrëfim”.

Gazetarja rikujton se tregu i zi është që nga definicioni i keq sepse nuk ka siguri për njerëzit në të. Nëse diçka shkon keq, njerëzit janë në telashe. “Ndonjëherë nuk mund të kthehen në spital dhe të zbulojnë çfarë ka shkuar gabim”, thotë ajo. Por, në anën tjetër establishmenti ndërkombëtar mjekësor po bën përpjekje për represion ndaj tregut të zi. “Duke ushtruar represion nuk po japim zgjidhje. Ajo që ndodhë në të vërtetë është që tregu i zi shtyhet më thellë. Kjo për shkak se kërkesat për organe po rriten dhe ka shumë njerëz që jetojnë në varfëri të padurueshme”, thotë Beinstock. “Neve na duhen zgjidhje”. 

ETIKETA

02 Shtator 2013 - 00:20

Edona Peci dhe Florent Spahija 02/09/2013 - 00:20
NDËRVEPRIMI0

Veshkat - Çka Nëse u Tregohet Rrëfim Tjetër

by Gazeta JNK
NA NDIQNI