Lumi Ibër. Foto: Kallxo.com

Veriu Shqyrton Masat për Luftimin e Ndotjes

Bora tashmë është shkrirë në Mitrovicë dhe lumit kryesor që e ndan këtë qytet i kanë dalë pasojat e moskujdesit disamujor ndaj tij.

Qese najloni, shishe plastike letra gjithfarë mund të shihen tek rrinë papengueshëm në të dyja brigjet e lumit.

Musa Zeneli del shpesh të shëtisë bregut të lumit Ibër, aty pranë urës kryesore.

Por ai nuk kënaqet me atë çfarë sheh.

Në rend të parë, Zeneli fajëson vetë qytetarët, sidomos të rinjtë, të cilët mblidhen në ndeja spontane, dhe kur i përfundojnë ato, nuk kujdesen për t’i pastruar mbeturinat e ushqimeve që i kanë konsumuar.

“Së pari, fajtorë janë rinia. Vijnë rrinë këtu, hanë dhe i hedhin mbeturinat vend e pa vend”, thotë qytetari nga Mitrovica e Jugut.

“Vetëdija për mbrojtjen e mjedisit është shumë e ulët. Njëjtë është në të dyja anët, edhe në pjesën veriore po duket se nuk kujdeset askush”, shton ai.

Një qytetar tjetër, Mehmet Begu, thotë se qytetarëve po u pengon gjendja me të cilën po përballen.

“Një herë i patën larguar por prapë lumi është ndotur. Mbeturinat po vijnë edhe nga lart nëpër rrjedhën e lumit dhe po ndalen gjithkah”, thotë ai.

Komuna e Mitrovicës së Jugut është në dijeni që mbeturina ka në lum. Një zyrtar i komunës u shpreh se ky institucion po bën “gjithçka që po mundet për ta mbajtur lumin të pastër”.

Por jo gjithmonë po ia del.

“Komuna vazhdimisht po bën përpjekje për t’i menaxhuar mbeturinat por jo gjithmnë ia del sepse qytetarët nuk po e mbajnë pastër”, tha Hysni Syla, zëdhënës i komunës së Mitrovicës së Jugut.

“Nevojitet vetëdijesim i qytetarëve për t’i trajtuar mbeturinat”, këshilloi Syla.

Ai tha se në komunë janë duke u kujdesur edhe për largimin e shumë deponive ilegale, por edhe në këtë rast, instituconi lokal duket i mundur në betejë.

“Komuna ka larguar dhjetra deponi ilegale por qytetarët prapë i vendosin mbeturinat në to. Po angazhohemi maksimalisht që ato t’i largojmë”, shtoi Syla.

ibri2

Mbeturinat të cilat po hedhen gjithkah, po bëhen pengesë edhe për komunat veriore të banuara me shumicë nga serbët.

Një drejtuese e një organizate joqeveritare lokale në Leposaviq, thotë se sasia e mbeturinave të hedhura është dyfishuar në krahasim me disa vite më parë.

“Viteve të fundit ka pasur rritje të sasisë së mbeturinave komunale. Në vitin 2007, për çdo ditë janë mbledhur rreth gjysmë kilogram mbeturina për kokë banori, ndërsa në vitin 2013 kjo sasi pothuaj është dyfishuar. Përveç kësaj, vetëdijesimi i njerëzve është shumë i ulët kur është fjala për mbeturinat dhe përdorimi i resurseve për qëllime të zhvillimit ekonomik pasi që mbeturinat vetëm shihen si çështje ekologjike e jo si një resurs me vlerë për zhvillim”, thotë Marija Milenkoviq nga Instituti për Zhvillim Territorial Ekonomik (InTER).

Në veri të Kosovës është në proces ndërtimi i një deponie rajonale e cila duhet të vendoset brenda territorit të komunës së Zveçanit dhe të ofronte vend për trajtimin e mbeturinave edhe të tri komunave tjera: Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

Projekti është mbështetur nga Bashkimi Europian për veriun e Kosovës dhe kap vlerën prej 5 milionë euro.

“Mendoj se ndërtimi i kësaj deponie në të cilën do të grumbullohej i tërë materiali dhe do të shërbente si vend për hedhjen e mbeturinave është shumë i rëndësishëm. Me këtë do të mundësohej ndarja e mbeturinave dhe kjo do të ndihmonte në përpunimin me efektiv të tyre”, ka profesorja Jelena Gjokiq.

Ndërsa profesori Desimir Petkoviq thotë se projekti duhet të kryhet më shpejt për shkak se në vendin ku është caktuar të bëhet deponia, tani po mblidhet ujë.

“Ndërsa në të ardhmen duhet që meqë po ndërtohet deponia bashkëkohore në Serbovc, ajo të bëhet mirë dhe aty të jetë një kompani e cila do ta pranojë materialin, ta riciklojë dhe shpërndajë”, thotë Petkoviq.

Kur po pritet përfundimi i punëve në ndërtimin e deponisë, shumë deponi tjera të egra mund të shihen në çdo vend.

Por përderisa avokojnë për mbrojtje të ambientit, mbi 65 përqind e qytetarëve e pranojnë se mbeturinat po hedhen nëpër deponi ilegale.

Edhe më keq, më shumë se 11 përqind e tyre e qytetarëve, në hulumtimin e opinionit “Ta Pyesim Veriun” e pranojnë se mbeturinat e tyre i hedhin drejtpërdrejt në lum.

Hulumtimi qe kryer vitin e kaluar nga Radio MIR në Leposaviq, në bashkëpunim me ekipin për hulumtim të TV MIR.

Pasojat e kësaj mënyre të hedhjes së mbeturinave janë të pakalkulueshme dhe ndikojnë në shkallën e lartë të ndotjes së shtretërve dhe ujit të lumenjve.

“Mbeturinat po hedhen (në lumenj) dhe kjo po bëhet në një shkallë të lartë. Kjo po ndodh sidomos në pjesën e mesme që përfshin Mitrovicën deri në Rashkë”, thotë profesori i Fakultetit Teknik në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, Milosh Baraq.

Si pasojë e kësaj, sipas Baraq, hektarë të tokave të punueshme përgjatë shtratit të lumit janë duke u kërcënuar nga mbeturinat.

“Ka një shkallë të lartë të hedhjes së mbeturinave industriale që hedhen në lum”, thotë ai.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian (PSBE) në Kosovë, i cili është implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra e Kosovës.