Vajza nga Kosova Kujton Sulmin e Forcave Serbe

Dëshmitarja Elhana Haradinaj dëshmoi rreth sulmit mbi fshatin Lubeniq në Kosovë, në prill të vitit 1999, në gjykimin e 13 luftëtarëve të akuzuar për vrasjen e të paktën 100 shqiptarëve në këtë fshat.

“Ne ishim duke fjetur dhe u zgjuam kur fqinjët tanë na thanë se ishim të rrethuar nga ushtria serbe. Shikova babanë tim dhe i thashë: “Shpejto, jemi të rrethuar”, tha të hënën Haradinaj në Gjykatën Speciale të Beogradit.

“Teksa po dilnim nga shtëpia, hyri ushtria … Ata na urdhëruan që burrat të ndaheshin në një anë dhe gratë e fëmijët në anën tjetër”, vazhdoi Haradinaj.

Ajo tha se gratë dhe fëmijët u urdhëruan të largoheshin për Shqipëri, ndërkohë që burrat u ndaluan në fshat.

Prokuroria pretendon se paramilitarët serbë, Toplica Miladinoviq, Sreqko Popoviq, Slavisha Kastratoviq, Boban Bogiqeviq, Radoslav Brnoviq, Vidoje Koricanin, Veljko Koricanin, Abdulah Sokiq, Milojko Nikoliq, Sinisha Misiq, Zoran Obradoviq, Dejan Bulatoviq dhe Ranko Momiq ishin përgjegjës për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat  Zahaq, Pavlan, Lubeniq dhe Qyshk në Kosovë në vitin 1999.

Qëllimi i sulmit, sipas padisë, ishte përjashtimi i përhershëm i popullatës shqiptare nga zona.

Pas sulmit, mbi 400 fshatarë lanë shtëpitë e tyre.

Tre muaj më pas, Haradinaj u kthye në fshatin e prindërve të saj, ku njerëzit i thanë se babai i ishte vrarë “ishte vrarë nga një njeri i quajtur Mrtvi”.

Mrtvi ishte nofka e Nebojsha Miniqit, i njohur edhe si ‘Komandant Vdekja’ . Ai udhëhoqi “Çakallët”, njësinë paramilitare që sulmoi fshatin.

Miniq u arrestua në Argjentinë në vitin 2005, gjatë kohës sa ishte në arrati, por vdiq nga sida të njëjtin vit, gjatë procesit të ekstradimit.

Haradinaj tha se trupi i babait të saj u gjet më vonë në një varr masiv në Batajnicë, në Beograd, në dhjetor të vitit 2004.

Gjykimi vazhdon të martën.