Ergin Shala | Foto: Atdhe Mulla

‘Vahabistët’ Kosovarë Kundër Terrorizmit

“Pas një beteje Profeti Muhamed (a.s.) po shpërndante plaçkën e luftës, kur tek ai erdhi një person me emrin Dhul Huvejsira dhe i thotë Profetit: ‘O Muhamed ndaji drejt’. Ai dyshoi ndaj drejtësisë së Profetit”.

Ergin Shala, një musliman praktikant nga Prizreni me profesion psikolog, përmend këtë hadith (hadithi është transmetimi fetar i dokumentuar i thënieve, veprës dhe traditës së Profetit Muhamed), duke shtuar se ekstremistët fetarë kanë ekzistuar që në zanafillat e islamit, madje duke vënë në dyshim edhe vetë profetin.

Shala është tepër aktiv në media sociale në dënimin e ideologjisë që furnizon ekstremizmin e dhunshëm dhe aktet terroriste, çka ai e quan “ideologji havarixhe” (ideologjia e ekstremistëve të dhunshëm).

“Pra një nga cilësitë e havarixhëve është mosmarrja parasysh e dijetarëve, mospërfillja ndaj mësuesve”, vëren ai, duke shtuar se është e pamundur që të gjesh dijetarë, studiues të njohur të islamit, që të jenë havarixhë.

Diçka të njëjtë thotë edhe Dr. Ahmet Hoxha, imam në Kuvajt, i cili vë në dukje se duke qenë se një vlerësim metodologjik dhe racional i islamit automatikisht pengon rrëshqitjen në ekstremizëm të dhunshëm, mbështetësit e ideologjive të tilla nuk u referohen studiuesve dhe dijetarëve.

“Forma kryesore e ekstremizmit ka qenë tekfiri i muslimanëve [shpallja si të dalë nga feja]”, thotë imami duke shpjeguar se një ideologji e tillë ekziston edhe sot dhe se organizatat terroriste aktuale furnizohen pikërisht nga individë të cilët ndjekin këto forma të deformuara të besimit.

Imami Ahmet Hoxha thotë se injoranca dhe nxitimi janë ndër cilësitë kryesore të ekstremizstëve të dhunshëm | Foto nga Atdhe Mulla

 

Imami pranon se kjo kategori ekstremistësh i shpallin njerëzit të dalë nga feja bazuar mbi mëkate të vogla apo edhe të mëdha, çka është e ndaluar në islam. Hoxha shpjegon se madje edhe ato që konsiderohen si mëkate shumë serioze në islam, si mosfalja e namazit apo shkelja e kurorës, nuk e nxjerrin një musliman nga feja.

“Nga ana tjetër, nëse ai do të thotë se namazi nuk është obligim apo që zinaja [shkelja e kurorës] nuk është mëkat, atëherë diçka e tillë e nxjerr nga feja”, thotë imami.

Shala, i cili përballet shumë shpesh në debate me tekfiristët thotë se ata e bëjnë diçka të tillë sipas interpretimeve të pjesshme të Kuranit, duke gjykuar mbi varg të shkëputur nga pjesa tjetër, çka i humbet kontekstin. “Si rregull, do të mjaftoheshin duke marrë për bazë dijetarët e mëdhenj të islamit për ta kuptuar se diçka e tillë është e gabuar”, thotë Shala, por rikujton se havarixhët i shpërfillin dijetarët.

Klerikë por edhe studiues kanë thënë se shumica e atyre që u bashkohen organizatave terroriste si ISIS apo Al Nusra i përkasin pikërisht kësaj ideologjie, sipas të cilës, fillimisht dikush shpallet i dalë prej feje për të mundësuar më pas vrasjen e tij, përvetësimin e pasurive të tij, madje edhe robërimin e familjarëve në disa raste.

Ekstremistët kosovarë

Kosova mban rekordin evropian sa i takon masave të ashpra ndaj ekstremizmit të dhunshëm, me një total prej rreth 120 arrestimesh dhe afër 60 të dyshuarish që po gjykohen. Sipas autoriteteve të sigurisë, rreth 300 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut, dhe rreth 130 syresh janë kthyer në vendin e tyre.

Përhapja e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë është një nga temat kryesore që trajton studimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me autor Shpend Kursanin dhe hulumtues Skender Perteshin, “Raport për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”.

“Idetë e dhunshme ekstremiste që promovon ISIS-i, që një grup i njerëzve në hemisferën perëndimore duke përfshirë Ballkanin dhe Kosovën në veçanti, ka përqafuar kohët e fundit mund të gjenden në Egjiptin modern dhe në burgjet e tij. Kjo fillon me një politikë të organizuar islame në Egjipt, dhe me themelimin e Vëllazërisë Muslimane në 1928 nën udhëheqjen e Hassan al Banna”, thuhet në raport.

Në kohët moderne, egjiptiani tjetër Sejid Kutub (dhe jo vetëm ai), përmes një sërë librash e esesh ku spikat “Shenja në rrugë”, e lëvroi më tej filozofinë e Hassan al Bana duke e shtrirë në një platformë me objektiva dhe aktivitete orientuese praktike. Me kalimin e dekadave, lista e armiqve u shtua me emra të rinj.

“Madje tekfirsat kanë shpallur qafir edhe mbretin e Arabisë Saudite, ndonëse ky vend ka Kuranin për kushtetutë”, thotë Shala.

Nga pamja e jashtme, Shala nuk është ai lloj praktikanti fetar që përmbush stereotipin e ‘muslimanit të moderuar dhe paqësor’, i cili vlerësohet shpesh si dikush i rruar paq dhe i veshur si punonjës banke, por ai mban mjekër të gjatë, pak mustaqe dhe pantallona të shkurtuara mbi nyjën e këmbës.

Ergin Shala nuk i përshtatet stereotipit të "muslimanit të moderuar" | Foto nga Atdhe Mulla
Ergin Shala nuk i përshtatet stereotipit të “muslimanit të moderuar” | Foto nga Atdhe Mulla

 

Pamja e tij përfaqëson stereotipin e ‘Vahabistit të frikshëm’, bartës të ideologjisë nga e cila, sipas bindjeve të përhapura nga një pjesë e medias në publik, buron ekstremizmi i dhunshëm.

Edhe imamin Hoxha, ish-luftëtar i UÇK-së, truplartë dhe shpatullgjerë, me një mjekër të gjatë të kuqe, mustaqe gjithashtu të prera dhe pantallona të shkurtuara, duke i vënë etiketën “Vahabist”, mund t’ua shesësh tabloidëve kosovarë si luftëtar të ndonjë organizate islamike në Siri, edhe pse nuk është aspak rasti.

Hoxha, i arsimuar në Arabinë Saudite, është i njohur në rrethin e praktikantëve në Prishtinë njëkohësisht si imam i rrymës konservatore dhe kritikues i ashpër i ekstremizmit të dhunshëm përmes ligjëratave, intervistave dhe shpjegimeve të ndryshme fetare.

Ndërsa aktiviteti i Shalës përfshin ese, intervista me imamë, citate studiuesish fetarë dhe debate publike kundër ekstremizmit të dhunshëm duke shënjestruar posaçërisht rreshtimin e disa besimtarëve ndaj grupeve ISIS dhe Al Nusra.

Keqkuptime për rrymat fetare

Se kush është kush në shkollat dhe rrymat e ndryshme islamike dhe kush përfaqëson çfarë, është një çështje e ndërlikuar. Vetëm islami sunit, dhe specifikisht i ashtuquajturi Vahabizëm si rrymë brenda tij, mjaftojn për t’u trajtur në vëllime të shumta akademike të cilat sërish mund të mos mjaftonin.

Sipas studiuesve të ndryshëm jofetarë dhe orientalistëve, Muhamed ibn Abdul-Vahabi (1703-1792) ishte një studiues islam i cili nisi një lëvizje në atë që sot njihet si Arabia Saudite, për ‘purifikimin e fesë’ nga risitë thelbësore (si lutja apo adhurimi i profetëve apo shenjtorëve përveç Zotit) duke pretenduar se kjo lëvizje ishte një kthim në islamin origjinal të Profetit Muhamed dhe ndjekësve të tij të afërt. Argumentet e tij dhe popullariteti i tyre ndikuan që lëvizja konservatore të kishte impakt të fortë kulturor dhe politik përveç atij fetar, deri në kohët e sotme dhe duke lënë gjurmë në shumë vende të botës.

Ndonëse nuk ka asnjë provë se ibn Abdul Vahabi bëri thirrje për krime apo për xhihad luftarak ndaj ndjekësve të rrymave të tjera islamike të konsideruara si devijime apo ndaj besimeve të tjera, megjithatë, shpesh ideologjia që frymëzon ekstremizmin e dhunshëm fetar i atribuohet vahabizmit.

“Për më tepër që termi ‘vahabizëm’ duhet të jetë shpikur nga jomuslimanë, me gjasa nga njerëz që nuk e njohin arabishten, sepse përndryshe duhet të ishte quajtur ‘Muhamedizëm’,” thotë Shala pa e fshehur një dozë të lehtë ironie.

Në fakt, ibn Abdul-Vahab do të thotë “djali i Abdul-Vahabit”, ndërsa vetëm Abdul-Vahab, mund të shqipërohet në diçka si “Shërbëtori i Më Bujarit” apo i atij që jep më të mirën pa asnjë interes, pa marrë diçka mbrapsht.

Ndaj emri i plotë i dijetarit kaq shumë të diskutuar mund të tingëllojë pak a shumë si “Muhamedi [Muhammad], i biri [ibn] i Shërbëtorit [Abdul] të Atij që Jep Gjithçka pa Marrë Asgjë [Vahab]”.

Si rrjedhojë, Vahab është një nga shumë emrat e Zotit në gjuhën arabe, çka do të thotë se termi “Vahabizëm” përbën një lloj sakrilegji i përdorur në këtë formë nga muslimanët sepse shpërdor një nga emrat e krijuesit. Ndaj spekulimi se ndonjë jomusliman pa njohuri të mira të arabishtes mund ta ketë farkëtuar i pari këtë term, ka një farë merite edhe pse i pavërtetuar.

Terminologjia në fjalë që përdoret për të përshkruar muslimanët konservatorë që mbajnë mjekra është e paqartë dhe objekt spekulimi, madje edhe në materiale zyrtare, duke i mveshur Salafistëve (term tjetër për Vahabist), për shembull, cilësi që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm.

Libra kundër ekstremizmit të dhunshëm të publikuar që nga viti 2004 dhe në vazhdim | Foto: Gazeta JNK
Libra kundër ekstremizmit të dhunshëm të publikuar që nga viti 2004 dhe në vazhdim | Foto: Gazeta JNK

“Ekstremistët synojnë ta zbatojnë fenë sipas ligjeve dhe rregulloreve strikte sipas vështrimit të tyre të sheriatit dhe shpalljen e Kalifatit si qëllim final. Ndaj, ata rrezikojnë të çrrënjosin mësimet tradicionale që janë tepër tolernte dhe racionale të methebit Hanefi dhe po i zëvendësojnë ato me mësime më ekstreme dhe iracionale të doktrinës Salafi”, thuhet në strategjinë e qeverisë së Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Është e paqartë se ku është bazuar qeveria e Kosovës për të arritur në këto përfundime, të cilat tingëllojnë më shumë si slogane propagandistike sesa si vlerësime me prapavijë analitike.

Në fakt, pak mund ta dinë se rryma bazë e talebanëve që nga fillimi e deri sot është ajo e shkollës Hanefite – e cila konsiderohet si “tradicionale” dhe “paqësore” sipas bindjeve të përgjithshme – dhe në pjesën e vonë të viteve 2000 është pasuruar edhe me mësime më të ashpra nga rryma Deobandiste, e cila ka origjinën në Pakistan.

Raporti i QKSS-së, nga ana tjetër, pohon se ndërsa ndikimi i Arabisë Saudite në Ballkan e në Kosovë pas luftës ka qenë shumë i pranishëm në përhapjen e islamit dhe vlerave fetare konservatore, vetë shkollat e besimit nuk rezultojnë të jenë rrënja e problemit sa i takon ekstremizmit të dhunshëm.

“Ky raport konstaton se duke kërkuar shkaqet e ekstremizmit të dhunshëm brenda skizmave ose dallimeve që ekzistojnë mes shkollës Hanefite (versioni i Kosovës) dhe Hanbelite/Vehabiste (versioni i Arabisë Saudite), mund të jepen konkluzione të gabuara dhe përgjithësuese, kur kërkohet mbi idetë, si shkaku i parë i madh, që i çon njerëzit në Siri”, thuhet në raport.

Raporti në fjalë është cituar shumë pak nga media në Kosovë, dhe ka marrë më shumë mbulim nga media rajonale apo ndërkombëtare, si dhe nga institute dhe studiues të ndryshëm në botë.

Mjekra të ngjashme, mendime të ndryshme

Ergin Shala vëren se një pjesë e problemit janë njerëzit e painformuar dhe që kanë rënë pre e stereotipeve, të cilët te mjekra shohin kallashnikovin dhe nuk e kuptojnë se dallimet janë më së pari të natyrës së besimit, duke thënë se konservatorët nga njëra anë dhe ekstremistët e dhunshëm nga tjetra, ndjekin vlera të ndryshme dhe janë persona të ndryshëm.

“Problemi është se disa prej këtyre personave mbajnë gjithashtu mjekra si ne, falen dhe ashtu si ne thonë që përfaqësojnë islamin e vërtetë”, thekson ai, duke shtuar se problemi i vërtetë është te ideologjia dhe jo te pamja e jashtme.

Në debatet në Facebook por edhe në platforma të tjera ku Shala merr pjesë, nga fotografitë e pjesëmarrësve ngjan sikur ke hyrë në forume të mjekërdashësve ku diskutimet kryesore janë për metodat e rritjes së mjekrës më të bukur dhe më të shëndetshme.

Në fakt, diskutimet janë në pjesën dërrmuese të rasteve për dënimin e ideologjive ekstremiste, dhe në disa raste ndonjë komentues mund të kalojë në sharje e ofendime ndaj Osama bin Laden-it që ka vdekur apo ndaj Ebu Bakr al Bagdadi-t që është ende gjallë, pavarësisht se përdorimi i disa prej këtyre mallkimeve konsiderohet i ndaluar në islam.

Shala thotë se një nga sfidat e përditshme të shumë praktikantëve muslimanë është përballimi i paragjykimeve, që nga ofendimet e hapura e deri te shikimet e vëngërta që marrin në rrugë, kur njerëzit i shohin si ekstremistë të dhunshëm.

Gjithashtu, ai pohon se në disa raste termi Vahabist, përveçse i gabuar në vetvete, përdoret si një fjalë tjetër për të thënë “terrorist”.

Dy Mite mbi ‘Problemin e ISIS-it’ në Kosovë

Gjithashtu, Shpend Kursani, studiues i çështjeve të sigurisë dhe ekstremizmit të dhunshëm, thotë se “Vahabizmi” është një nga ato terma që vazhdimisht është keqpërdorur në Kosovë pas luftës, dhe në Ballkan për afër dy dekada.

Në Kosovë, “Vahabizmi” ka këto domethënie: “radikal”, “Islam radikal”, “mjekër e gjatë”, “mbulesë e kokës”, “ekstremist”, “ekstremist i dhunshëm”, “ISIS”, “Al-Kaida”, e shumë të tjerë, thotë Kursani.

Sipas Kursanit, ky term është përdorur nga anëtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për t’i rrënuar kundërshtarët e tyre brenda atij institucioni, por jo vetëm. “Është përdorur nga disa njerëz të publikut për ta shkatërruar gjithkënd që nuk duket si ‘musliman liberal’. Se a janë ata ‘ekstremistë të dhunshëm’ të vërtetë rrallë ka qenë e rëndësishme”, thotë Kursani në analizën e mësipërme të botuar në Gazetën JNK.

Në vend të këtij termi, komuniteti i besimtarëve kosovarë, të cilët janë ndikuar në një masë edhe nga mësimet e Abdul Vahabit dhe të dijetarëve të tjerë konservatorë – që qasen nga besimi se islami duhet pastruar nga risitë dhe përditësimet që i kanë ndodhur rrugës duke u kthyer në origjinën e besimtarëve të parë – e konsiderojnë veten Salafi, Selefë në numrin shumës në shqip.

“Termi Selefi, dihet çka do me thënë… praktikisht do të thotë ‘të parët tanë të mirë’, thotë Shala. Ai shton se ekziston një numë ri madh publikimesh online dhe librash të botuar në shqip ku dënohet ekstremizmi i dhunshëm që nga fillimi i viteve 2000, në një kohë kur njiheshin Talebanët dhe Al Kaeda, por kur lufta në Siri dhe ISIS nuk ishin shfaqur ende.

Ndërsa mbështetja për ISIS-in ka rënë si pasojë e mediatizimit të madh të krimeve të kësaj organizate, Al Kaeda, në fakt, vazhdon të ketë mbështetës në Kosovë, nëse pyet imamë dhe besimtarë.

Imami Ahmet Hoxha thotë se Al Kaeda ka ende përkrahës në Kosovë | Foto nga Atdhe Mulla
Imami Ahmet Hoxha thotë se Al Kaeda ka ende përkrahës në Kosovë | Foto nga Atdhe Mulla

 

Imami Hoxha pohon se ka ndër ata imamë dhe besimtarë në Kosovë që kur i pyet për ISIS-in, e dënojnë menjëherë këtë organizatë, por kur i pyet për Al Nusra-n ata hezitojnë, sepse fshehtas janë mbështetës të kësaj organizate.

Ai thotë se ndërsa ISIS-i ka humbur mbështetje në Kosovë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Al Nusrën.

“Kjo ka ndodhur sepse ISIS-i janë ‘havarixhet e havarixhëve’ [më ekstremistë se ekstremistët], ndërsa Al Nusra, përfaqësuesit e Al-Kaeda-s në Siri, kanë qenë më të logjikshëm dhe më të përmbajtur. Kanë bashkëpunuar me grupe të tjera, nuk kanë kryer haptazi masakra masive, por kanë punuar fshehtas me vrasje dhe përçarje”, shpjegon Hoxha.

Lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm

Hoxha dhe Shala bien të dy dakord se lufta ndaj terrorizmit dhe ideologjisë radikale nuk mund të fitohet vetëm me gjyqe e burgje dhe se sfida tjetër është trajtimi i personave që janë radikalizuar dhe jo vetëm të atyre që kanë qenë në Siri, por edhe të kosovarëve që mund të mos e kenë lëshuar kurrë vendin. Imami thekson se në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për djem të rinj pa njohuri fetare, në përgjithësi të paarsimuar dhe tepër të nxituar në mendimet dhe veprimet e tyre.

“Së pari [ekstremizmi i dhunshëm] duhet trajtuar nga njerëz kompetentë. Një hoxhë lokal tradiconalist, i cili nuk i njeh dyshimet, nuk e di esencën e përplasjeve të tyre [të radikalëve] të brendshme, nuk mundet të çradikalizojë”, thotë Hoxha.

Ai pohon se është përballur me qasje tekfiriste të personave të tjerë. “Më kanë quajtur njeri të shtetit, më kanë akuzuar ‘pse ti nuk bën tekfir, por bën çfarë thotë shteti’”, tregon ai duke shtuar se “ka pasur prej tyre, që as në ligjërata të mia nuk vijnë kurrë, që kanë ardhur të më pyesin a me shku në Siri apo jo”.

Hoxha thotë se i ka këshilluar të mos shkojnë në Siri, sepse nëse dikush shkon atje do të luftojë kundër muslimanëve të tjerë apo mund të detyrohet të marrë pjesë në krime kundër civilëve.

“Mos shko sepse është vend i ‘fitnes’ [përçarjes], ku muslimanët vriten me njëri-tjetrin. Nëse do të ndihmosh mund ta bësh duke kontribuuar në mënyrë humanitare, me ndihma a diçka tjetër. Ka mënyra alternative, por jo përmes pjesëmarrjes në luftë, jo duke shkuar atje”, thotë imami.

‘Ofrojuni Xhihadistëve Kosovarë Rehabilitim për të Luftuar Ekstremizmin’