Një aktivist i opozitës u shërben çaj policëve gjatë një proteste në Prishtinë, në një veprim që duket më shumë simbolik sesa sinqerisht dashamirës | Foto: Atdhe Mulla

Urrejtja do të Mbetet

Një ditë, çështja e demarkacionit do të tejkalohet, ashtu siç janë tejkaluar shumë çështje të mëdha publike deri më tani. Por armiqësitë politike dhe shoqërore të krijuara gjatë këtij procesi do të mbeten gjatë. Tani e një vit, opinioni publik është terrorizuar me retorikën denigruese të politikanëve. “Me bisht nën shalë”, i quajti Presidenti aktual protestuesit dhe organizatorët e protestave. “Rriqra të Malishevës”, e “kullota”, i quajti Kryeministri kundërshtarët politikë dhe kritikuesit. “Peder” e quajti kryetari i AAK udhëheqësin e Komisionit Shtetëror për Vijën Kufitare. “Tradhtarë, spiuna…” e çka jo tjetër i quajti vendimmarrësit Vetëvendosje.

Të gjitha këto, më shumë se sa sulm ndaj një qëndrimi apo ideje, janë sulm ndaj qenies së tjetrit. Sulmet e tilla synojnë eliminimin e qenies së kundërshtarit. Në momentin që sulmohesh në qenie dhe delegjitimohesh, çfarëdo që thua pastaj nuk ka asnjë vlerë, sado që mund të keni të drejtë. Në këtë diskurs politik, ku kundërshtari politik është rriqër, tradhtar e terrorist, konfrontimi i ideve dhe qëndrimeve politike më nuk ka asnjë vlerë.

Ky diskurs politik në institucionet më të larta shtetërore ka efekt zinxhiror edhe në shoqëri. Në këtë konfrontim politik nuk janë të përfshira vetëm partitë politike. Pjesë e kësaj tani më janë edhe policia, gjyqësia, mediat e çdo institucion publik. Armiqësia partiake krijon armiqësi shoqërore.

Nga i tërë ky konfrontim, më e dëmtuara do të dalë Policia e Kosovës. Ky institucion i rëndësishëm publik, mbi të cilin rëndojnë skandale të shumta, duke filluar nga vjedhja në dhomën e dëshmive, keqpërdorimi me tenderë, e deri tek ndikimi partiak i cili shpërfaqet në përgjimet e “Dosjes së Shefave”, është duke e humbur edhe më besueshmërinë. E ndodhur në mes të kontrollit partiak dhe akuzave të opozitës, policia tani më duket një institucion i paaftë, e cila nuk arrin të zbulojë rastet më të rënda të sulmeve politike. E në rastet kur arreston dhe përgatit dosje për gjykata, ato shpallen të papranueshme për mungesë provash.

Çfarë besueshmërie mund të ketë një institucion i cili arreston gazetarë vetëm mbi bazën e asaj se po i “përngjajnë në dikë”. Apo, pas hetimeve disamujore, arrestojnë me pompozitet aktivistë të opozitës, i quajnë terroristë, e pastaj i lirojnë “terroristët” të mbrohen në liri?! Pas tërë kësaj, është mëse e domosdoshme që të ketë ndërrime në komandën e Policisë së Kosovës.

Konfrontimi politik po vë edhe gozhdën e fundit në kredibilitetin e Radio Televizionit të Kosovës. Ky medium publik, i cili me vite të tërë ka rënë nën ndikimin partiak, keqpërdor paranë publike dhe shkel standardet e raportimit etik dhe profesional, është futur në mesin e luftës partiake në mes të pushtetit dhe opozitës. Nga tërë ky debat, RTK do të dalë më e dëmtuar se kurrë dhe është rrugës së të qenurit një medium jorelevant.

Përgjimet e publikuara javën e kaluar në “Dosjen e Shefave” tregojnë më së miri se si animi politik i medieve dhe humbja e pavarësisë ia humbin rëndësinë një shtëpie mediatike edhe në sytë e atyre që u shërben. Shefit të grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci, nuk i mjaftonin ballinat e shumta në një gazetë ditore. Edhe ashtu të gjithë do mendonin se ai aty ka hapësirë ngase ai medium i shërben partisë së tij.

Për këtë qëllim, ai kërkonte hapësira të reja. Ai e kishte kuptuar se për të pasur pak vlerë paraqitja e tij mediale, ai duhet të sigurojë hapësirë në mediat të cilat nuk konsideroheshin aq hapur mbështetës të partisë së tij. E ky fat po e përcjell edhe RTK. Njëjtë si me Policinë e Kosovës, edhe RTK duhet t’i nënshtrohet një ndryshimi të thellë në menaxhim dhe mënyrë të financimit. Përndryshe, ashtu siç u shpreh një mik i imi, mënyra e vetme për të shpëtuar nga propaganda partiake e televizionit publik, është duke e lënë që të devalvohet. Por një devalvim i tillë do t’i kushtojë taksapaguesve së paku 11 milionë euro në vit.

E nga tërë ky konfrontim i cili po zgjat që nga zgjedhjet e fundit, do të pësojë më së shumti besimi i qytetarëve në institucione dhe në procesin zgjedhor. Mospjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje gjithmonë krijon hapësirë për manipulim të zgjedhjeve. Kjo gërryerje e besimit vërehet që tani. Aq sa janë të pakënaqur më mënyrën e qeverisjes së vendit, po aq qytetarët janë të pakënaqur edhe me partitë opozitare. Alternativa ndaj një pushteti të korruptuar e kriminal, nuk duhet asesi të jetë një parti e cila hedh koktej molotovi mbi institucione apo premton se “do të ngreh ‘zhag’ të korruptuarit”, duke e anashkalu sistemin gjyqësor.

Në një demokraci parlamentare, dallimet në qëndrime në mes të partive janë të domosdoshme për të balancuar pushtetin dhe avancuar idetë politike. Por, në rastet kur nga konfrontimi i ideve kalohet në sulme të ulëta personale dhe kërcënime, të cilat për qëllim kryesor kanë zhdukjen e qenies politike të tjetrit, atëherë demokracia pëson qarje.

Siç vërente Michael Ignatieff, ish-kandidat për Kryeministër të Kanadasë, demokracia është sistem politik i kundërshtive, e jo sistem politik në mes të armiqve. Në një demokraci parlamentare, partitë nuk duhet të jenë armike të njëra-tjetrës, por kundërshtare platformash. Dallimi është shumë i madh. Kundërshtari politik synohet të mundet, armiku synohet të shkatërrohet. Me kundërshtarët politikë mund të bëhen kompromise, me armikun jo.

E sot në Kosovë kemi dy tabore politike të armiqësuara, të cilat përdorin çdo mjet politik e jopolitik për të eliminuar tjetrin. Në një ndarje kaq të thellë politike, zgjedhjet nuk kanë kuptim. Në vend të mundësisë për të zgjedhur mes platformave politike, qytetarët do të ishin para dilemës për të zgjedhur mes armiqsh. Andaj, është e domosdoshme që kjo gjuhë e urrejtjes dhe kjo politikë armiqësish të përfundojë sa më parë, me qëllim që t’i hapet rrugë debatit të mirëfilltë demokratik.