Universitetet Tallëse të Kosovës

Admirimi që Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka për Tony Blairin duket se shkon përtej gjetjes së fëmijëve përreth Kosovës që ndajnë emrin e njëjtë me ish-Kryeministrin britanik.  Zoti Thaçi po ashtu duket se ka “huazuar” premtimin kryesor zgjedhor të Blairit – “Arsimi, Arsimi, Arsimi.”

Shumë nga ju do të rikujtoni se disa muaj më parë kryeministri ynë insistonte që pagat e mësimdhënësve të rriten duke u financuar nga fondet jo-ekzistuese të buxhetit  të Kosovës. Ndërsa ditëve të sotme, zoti Thaçi duket se ka kthyer në shprehi hapjen e universiteteve shtetërore në secilën lagje të Kosovës. 

Si rezultat i këtij zakoni, Universiteti i Pejës ka përcjellë shembullin e Prizrenit duke u bërë institucioni më i ri i arsimit universitar i financuar nga fondet e taksapaguesit kosovar. Ministri i Arsimit Ramë Buja e demonstroi zotimin e qeverisë për arsim duke paralajmëruar me mburrje se edhe Gjakova do të bekohet me një universitet vitin e ardhshëm. 

Mirëpo, a nuk do të ishte më mirë për Kosovën nëse Thaçi dhe qeveria e tij do të përqendronin kohën dhe resurset e tyre në përmirësimin e kushteve të shkollimit, në rishqyrtimin e pagesave semestrale dhe në shpërndarjen e studentëve nëpër lëndë sipas një strategjie kombëtare? Jam i sigurt se nuk duhet të diplomojmë nga Universiteti i Mamushës për t’iu përgjigjur pyetjeve të mësipërme. 

Një shikim i situatës së diplomuarve gjatë periudhës jugosllave në Kosovë len të kuptojmë se Kosova ka përjetuar një ndryshim drastik në përbërjen e të diplomuarve që nga përfundimi i luftës. Shumë nga ju do të kujtoni vitet 70-ta dhe 80-ta që sollën një lulëzim të drejtimeve të shkencës si për shembull: inxhinieria, mjekësia dhe metalurgjia, përderisa provinca e atëhershme vuante nga mungesa e politikanëve dhe deri diku e ekonomistëve dhe juristëve.

Mirëpo, periudha e pas luftës në Kosovë rezultoi në ndryshim rrënjësor në trendet e të diplomuarve. Shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonomia dhe juridiku u bënë lëndët e popullarizuara, përderisa fakultetet si ai i Shkencave i Universitetit të Prishtinës (UP) ishte i etur për brucoshë. Një ndryshim i tillë në trende është i kuptueshëm kur bëhet fjalë për shtete që kalojnë nëpër faza transitive. Mirëpo, sido që të jetë,  këto trende duhet të adresohen nëse ato vazhdojnë të përsëriten ndër vite. 

Është e qartë se shfaqja në treg e të diplomuarve të kualifikuar dhe kompetent  në shkencat shoqërore është absolutisht esenciale për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Mirëpo, të dhënat e publikuara në raportin Statistikat e Arsimit 2010 nga Enti i Statistikave të Kosovës na çojnë drejt disa konkluzave brengosëse. 

Sipas të dhënave të mbledhura në Universitetin shtetëror të Prishtinës, Fakulteti Ekonomik kishte 2, 427 studentë të regjistruar në vitin e parë, përderisa ky numër për Fakultetin e Shkencave (fizikë, kimi, matematikë dhe biologji) ishte 880. Po ashtu, përderisa regjistrimi në vitin e parë një juridik ishte 1,866, inxhinieria e mekanikës kishte vetëm 384 studentë.

Numri i ulët i regjistrimit në drejtimet shkencore mund të arsyetohet me faktin se qeveria vazhdimisht fokusohet në financimin e drejtimeve shoqërore – përfshirë këtu edhe bursa për studime jashtë vendit. Universitet perëndimore shoqërohen me vlera dhe kritere të larta arsimore [për shkak të respektit që këto universitete gëzojnë në Kosovë, përkundër notave me të cilat pajisen të diplomuarit]. Gjithashtu, duhet të ceket se dhënia e bursave për studim jashtë vendit duhet të mbetet fokusi kyç i qeverisë edhe në të ardhmen.

Mirëpo, kjo çështje bëhet problematike kur fondet që do të mund të përdoreshin për kërkime shkencore dhe avancimin e shkencës ndahen për hapjen e universiteteve të reja me kredibilitet të dyshimtë nëpër Kosovë. 

Përdorimi i këtyre fondeve në shkencë do të paraqiste një burim të mrekullueshëm për rimëkëmbjen e shkencës përmes modernizimit dhe reformimit të konceptit të marrjes me shkencë në Kosovë. Zbatimi i këtyre ndryshimeve radikale do të ishte nxitje për studentët që të regjistrohen në drejtimet shkencore dhe si rezultat problemi që kemi me deficitin e shkencëtarëve në Kosovë do të zgjidhej.

Përqendrimi në prodhimin e shkencëtareve të mbërthyer dhe analitik do të ishte qenësore për Kosovën në aspektin e adresimit të problemeve ambientale si për shembull asgjësimi i mbeturinave apo kërkimi i burimeve alternative të energjisë. Dobitë që vijnë nga avancimi i shkencës në Kosovë pa dyshim se i tejkalojnë kostot e hapjes së universiteteve të reja në vend. 

Kjo është arsyeja pse qeveria duhet të koncentrojë përpjekjet e saja në krijimin e një Trusti Kombëtar të Shkencës përbrenda Universitetit të Prishtinës, sikurse ai i krijuar nga qeveria britanike në 1998 dhe që kishte për qëllim ushqimin e inovacionit dhe prodhimin ideve të reja radikale. 

Një trust i tillë definitivisht do të ishte më i vlefshëm dhe i dobishëm sesa hapja e mëtutjeshme e universiteteve qesharake e tallëse në Suharekë, Jarinë, Mamushë dhe Barilevë.