“Uniformë Burgu në Vend të Rrobave Luksoze” (TV)

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të martën përmes një aksioni simbolik kanë vendosur uniforma burgu në hyrjet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Prishtinë.

Aktivistët thanë se uniformat e sjella janë për ministrat Besim Beqaj dhe Bajram Rexhepi.

“Këta duhet të ndalen. Burgu për ta është shpëtimi për Kosovën. Ne sot prandaj këtyre ua kemi sjellë këtu zëvendësimin e domosdoshëm të rrobave të tyre luksoze me rrobat e burgut dhe iu urojmë atyre që t’i veshin sa më parë” tha aktivistja e Vetëvendosjes Marigonë Drevinja.

Ministrinë e zhvillimit ekonomik ata e quajtën “ministri të shkatërrimit ekonomik”, kurse atë të punëve të brendshme “ministri të punëve të pista”.

“Besim Beqaj prej se është në krye të kësaj ministrie, këtu ka lidhur shumë kontrata të dëmshme dhe të dyshimta dhe duke i shpronësuar qytetarët e Kosovës, ai ka shitur distribucionin, PTK-në dhe tash ka kthyer kokën edhe kah Trepça”, tha aktivistja e Vetëvendosjes.

“Ndërsa Bajram Rexhepi […] për shkak të vazhdës së skandaleve në ministrinë të cilën ai e drejton, është thirrur në interpelancë për t’u shkarkuar, mirëpo koalicioni qeveritar dhe vendet e rezervuara i dolën në mbrojtje skandaleve të ministrisë së punëve të brendshme duke u rreshtuar kështu në anën e krimit të organizuar”  tha aktivistja Dervinja.

Më pas ata kanë vazhduar drejt ministrisë së Punëve te Brendshme tek hyrja e së cilës vendosën uniformën tjetër.

Aktivistët thanë se dorëheqja e këtyre dy ministrave, po ashtu edhe e kryeministrit Thaçi nuk është e mjaftueshme dhe se ata të gjithë e kanë vendin në burg.