Unë jam banore e planetit Tokë.

Nuk e kisha të qartë përse kufizohej kësisoj liria. Kafshët në kafaze në kopshtet zoologjike, qentë në zinxhirë në oborre, papagajtë në kafaze. Mbase, njerëzit argëtohen me këtë sjellje johumane ndaj kafshëve. Me kalimin e viteve, teksa rritesha, e kuptova që njerëzit e konsiderojnë si argëtim edhe ngujimin e bllokimin e njëri-tjetrit, dhe se këtë e bëjnë për tu argëtuar, për shkak të mërzisë ose për shkak se jeta nuk do të ishte fare interesante nëse çdo gjë do të ishte e bukur, e pastër dhe e qasshme. Evropa pa kufij, bota pa kufij, pasaportat pa viza? Jemi në shekullin XXI dhe ne ende nuk i kemi ato. Po flitet për liri të fjalës, liri të lëvizjes, po organizohen ‘parada të krenarisë’, ndërsa shumë njerëz, edhe në këtë shekull të ri, nuk gëzojnë të drejtat themelore njerëzore. 

Unë jam banore e planetit Tokë. E për këtë ekziston edhe përkufizimi përkatës: “Kosmopolitanizmi (nga greqishtja: kosmos = bota, polites = qytetar), është ide sipas të cilës njerëzit humanë dhe të dedikuar krijojnë marrëdhënie pa marrë parasysh kufijtë kombëtarë, fetarë a shtetërorë, duke avancuar relacionet mbarënjerëzore; ide që parasheh unitetin ndërmjet kombeve dhe njerëzve nga tërë bota, si dhe tejkalimin e të gjitha ndasive kombëtare, ndasive mes kombeve ose në çfarëdo baze tjetër. Ky është qëndrim sipas të cilit njerëzit janë nga tërë bota, në veçanti ‘qytetarë të botës’, dhe jo pjesëtarë të kolektiveve të ndryshme, qofshin këto komunitete lokale, regjionale, nacionale ose të tjera. Përkrahësit e kosmopolitanizmit quhen kosmopolitanë”. Ky është përkufizimi të cilin e kam mësuar në orën e sociologjisë në shkollë. E, kështu pra, unë nuk i toleroj kufijtë. Kryesisht, kufi të vetëm e kam qiellin e hapur dhe për këtë arsye gjendem mbi re (nëse ju kujtohet kolumna ime e parë). 

Unë u befasova kur pas shumë vitesh dëgjova në shkollë për këtë kategori njerëzish. Njëkohësisht edhe u ngazëlleva me të kuptuarit se unë nuk qenkam njeriu i vetëm në botë që  ndihet kësisoj. Mu shfaq dëshira që të kuptojë se ku gjenden bashkëqytetarët e mi, banorët e planetit tokë, në mënyrë që të bashkëbisedojë me ta. Sepse, ne jemi të njëjtë, apo jo? Edhe ata, ashtu sikur unë, nuk brengosen vetëm për familjen e tyre; për atë se si të ushqejnë familjet e tyre dhe veten e tyre; për atë se si të investojnë në shkollimin e tyre…Unë, sikur këta bashkëqytetarë të mi, brengosem për mirëqenien e të gjitha familjeve të kësaj bote. Për të uriturit, të sëmurët, të paarsimuarit. Si tu ndihmoj atyre, edhe ata janë njerëz, edhe ata i kam fqinj dhe bashkë me ta jetoj në planetin tokë. 

Në vitin e parë të shkollës së mjekësisë, më kujtohet se kisha një lëndë që quhej kujdesi shëndetësor, dhe në faqen e parë të librit mësimor për këtë lëndë gjendej një citat që thoshte pak a shumë: “Nëse dhimbjen e pacientit nuk e ndieni si dhimbje tuaj, kot e keni këtë shkencë”, natyrisht duke aluduar në mjekësinë dhe humanizmin. 

Çdo ditë rrugës për të shkuar në punë në Veternik, pranë stacionit të autobusit vërej një të ri që duket qartë se ka pengesa në zhvillim. Çdo mëngjes, ai në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë qëndron pa lëvizur, pa shprehje mimike, i vetëm. E unë pyes vetën, a thua a ka kush të kujdeset për të? Ai ka nevojë për ndihmë adekuate. Duke u kthyer nga ligjëratat, në trotuar e vërej një lypës. Ai ka vetëm një këmbë. Ai ka nevojë për kujdes adekuat, për ndihmë dhe përkrahje nga dikush. A kujdeset dikush për të? Edhe ata janë qytetarë të planetit Tokë. Por ata nuk mund të mbijetojnë të vetëm, atyre u nevojitet ndihma, të kuptuarit, dashuria dhe kujdesi që ne duhet t’ua ofrojmë pa qenë vetjakë. 

Si detyrë shtëpie, do të kërkoja nga ju të mendoni për fqinjët tuaj. Ose, më mirë, të mendoni se sa fqinj i mirë jeni ju? Mendoni se sa mirë është që të përshëndetet fqinji, që t’i buzëqeshet atij dhe t’i dëshirohet ditë e mirë. Mendoni se si ky gjest i juaj do t’ia ndreqë ditën fqinjit tuaj. Mendoni se si planeti jonë po popullohet çdo ditë e më shumë. Mendoni se si së shpejti në këtë planet do të jetojnë 7 miliardë burra, gra e fëmijë, të shëndetshëm, të sëmurë, të lumtur, të palumtur, të plotë e të uritur. Të gjithë ata kanë emrat e tyre, fatet që i përcjellin, vonohen për punë, i gëzohen një dite të re. Mos i ndani njerëzit sipas kategorive, mos i etiketoni ata sipas ngjyrës apo emrave që kanë. Në botën e përkryer, sipas teorisë së përkryer të pagabueshme, ne të gjithë jemi të barabartë. Këtë mos e harroni. E për fund, kur herën e ardhshme të kemi mundësi, do të ulem me ju dhe do ta porosis një Cosmopolitan, e ju jeni të mirëseardhur të më bashkëngjiteni. 

Deri në shkrimet e leximet e ardhshme, ju do dhe ju përshëndet shumë, e juaja Dee.