Uji Për Prishtinën Në Dorë Të Zotit

Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina nuk e sheh si alarmante situatën e krijuar edhe pas rënies së nivelit të ujit përmbi 11 metra e gjysmë nën nivelin maksimal në liqenin e Batllavës dhe rreth 13 metra në liqenin e Badovcit.

Megjithatë, siç njofton Arjeta Mjeku-Azizi, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, reduktime të ashpra do të zbatohen në disa lokacione për të mbajtur situatën nën kontroll.

Reduktime të shtuara do të bëhen në komunën e Podujevës, ku ndalja e ujit do të ndodhë katër orë më herët se në të kaluarën.

“Kemi filluar me reduktime shtesë, duke filluar prej Podujevës. Nga sot reduktimet në këtë komunë do të jenë nga ora 19 deri 6 mëngjes”, thotë Mjeku-Azizi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjendja e furnizimit me ujë do të keqësohet edhe për fshatrat e Podujevës, deri në Prishtinë.

 “Ndërsa për fshatrat  Albanik, Batllavë e deri në Prishtinë, reduktimet do të bëhen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 20 në mbrëmje”, shpjegon Mjeku-Azizi.

Por, Mjeku-Azizi tregon se ende nuk ka ndonjë vendim për të shtuar reduktimet në qytetet e tjera, pasi siç ka thënë ajo situata nuk është alarmante.

Rënia  drastike e nivelit të ujit në liqenet që furnizojnë me ujë të pijes kryeqytetit dhe komunat e regjionit të Prishtinës, nuk shqetëson as drejtuesit e rinj komunalë.

Nënkryetarin e Prishtinës Dardan Sejdiun, gjendja e re e krijuar në liqene, nuk e lëkund nga premtimi i Shpend Ahmetit se kryeqyteti do të ketë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm brenda njëzet e katër muajsh nga marrja e mandatit.

“Fakti që reshjet kanë qenë të pakta dhe që niveli i ujit ka rënë shumë na bën edhe më të sigurt se ashtu siç kemi diskutuar në fushatë, uji dhe furnizimi me ujë janë prioritet për qytetin e Prishtinës”, thotë Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Afati njëzet e katër muajsh për furnizim me ujë, përputhet me vitin 2016, kur mendohet se do të jetë funksionale, fabrika e re e ujit në fshatin Shkabaj.

Projekti 32 milionësh që pritet ta bëjë kryeqytetin me ujë të mjaftueshëm të pijes, është financuar nga një kredi e volitshme prej 20 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KFW), pesë milionë ka dhënë Komisioni Evropian, ndërsa pjesën tjetër të mjeteve do ta shtojnë institucionet kosovare.

Marrëveshja me këta financues u bë në vitin 2012 mes përfaqësuesve të këtyre institucioneve evropiane dhe ish-ministrit të Financave Bedri Hamza.

Pas raundit të parë të zgjedhjeve, në javën e fundit të nëntorit e pak para balotazhit të vitit të kaluar, ish-kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, që u mposht nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, shpjegoi se projekti i furnizimit me ujë është duke u zhvilluar në tri faza, ndërsa përveç ndërtimit të fabrikës përfshin edhe ndërrimin e disa gypave që do të zëvendësohen me të rinj.

Nënkryetari i tashëm i Prishtinës, Dardan Sejdiu mendon se duhet të zvogëlohen humbjet e ujit në rrjet, e jo vetëm të shtohet sasia e ujit.

“Mbi 50% e ujit në Prishtinë humbet dhe kjo gjendje paralelisht me ndërtimin e kapaciteteve te reja duhet te sanohet.  Brenda 24 muajve pas marrjes së mandatit, do të përfundohen investimet kapitale në bashkëpunim me ujësjellësin regjional dhe me partnerët, investime të cilat së bashku me fabrikën e re të ujit do të ofrojnë furnizim të pandërprerë me ujë për shumicën e lagjeve në qytet”, thotë Sejdiu.

Ai tregon se kryetari Ahmeti që në ditët e para të marrjes së detyrës, është takuar me drejtorin ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Shpëtimi pritet nga qielli

Por derisa të përmirësohen kapacitetet e furnizimit me ujë, edhe zëdhënësja e ujësjellësit prishtinas shikon drejt qiellit.

Mjeku-Azizi thotë se sipas informatave që kanë marrë nga meteorologët, situata pritet të ndryshojë pas 19 janarit, kur pritet të ketë reshje intensive të borës.

“Nga informatat nga meteorologët kemi mësuar se do të ketë reshje intensive duke filluar nga 19 janari, dhe ne për këtë po lutemi”, shprehet Mjeku-Azizi.

Metereologu Besim Aliu nga Instituti Hidrometereologjik, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, konfirmoi se më 19 dhe 20 janar në Kosovë do të ketë reshje të shiut dhe borës.

Ai nuk deshi të flasë për atë se çfarë intensiteti do të kenë këto reshje dhe sa do të zgjasin ato, me arsyetimin se instituti ka parashikime të sakta të motit për periudhën prej 3 deri 5 ditësh, ndërsa pas kësaj periudhe, saktësia e parashikimit bie.

Përveç reshjeve të pakta, Mjeku-Azizi fajëson edhe faktorin njeri për situatën e krijuar në liqenet e Batllavës dhe Badovcit.  Sipas saj, gjatë verës së vitit të kaluar “qytetarët kanë keqpërdorur jashtëzakonisht shumë ujin.”

Situatë më e keqe se në liqenin e Batllavës ekziston në liqenin tjetër të Badovcit.  Sipas zëdhënëses Mjeku-Azizi, rënia në nivelin e Badovcit është 13 metra nën nivelin maksimal.

Për të arritur nivelin maksimal në liqenet e Batllavës dhe Badovcit, duhen disa vite.

“Nevojiten shumë reshje për të arritur kuotën maksimale.  Për një gjë të tillë, në liqenin e Batllavës duhen dy vjet reshje, kurse në atë të Badovcit nevojiten më shumë, rreth katër vjet reshje”, sqaron zëdhënësja e ujësjellësit.

Arjeta Mjeku-Azizi thotë se nuk përjashtohet rritja e reduktimeve në të ardhmen, nëse një situatë e tillë e rënies së nivelit të ujit vazhdon.

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ofron shërbime në komunat e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, dhe Gllogocit.