Foto: Facebook

Ujësjellësi i Prizrenit Blen Xhip Luksoz për Drejtorin

Xhipi luksoz do të jetë në shërbim të kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje. Xhipi është blerë me arsyetimin se do të ndihmojë ndërmarrje t’i mbulojë të gjitha qytetet të cilat i furnizon me ujë.

njoftimin për dhënie të kontratës të datës 25 janar 2016, thuhet se vlera e përgjithshme e kontratës do të jetë 24 mijë e 490 euro. Një ditë më vonë, në ueb-faqen e KRPP-së është publikuar një përmirësim i njoftimit për dhënie të kontratës. Përmirësimi është bërë në vlerën e kontratës, pjesa kryesore e njoftimit.

“Në vend të: vlera e përgjithshme e kontratës: 24,490.00 euro, është vlera e përgjithshme e kontratës: 26,490.00 euro”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e KRPP-së me datën 26 janar 2017.

Por, edhe në njoftimin për nënshkrim të kontratës i cili është publikuar me 13 shkurt është bërë i njëjti “gabim”. Aty thuhet se kontrata me kompaninë Auto Mita është nënshkruar me datën 7 shkurt 2017. Vlera e kontratës së nënshkruar, bazuar në këtë njoftim, ka qenë 24 mijë e 490, pra është vlera fillestare e publikuar në njoftimin për dhënie të kontratës.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtare të ndërmarrje “Hidroregjioni Jugor” për të kuptuar se cili nga zyrtarët do ta ketë në shfrytëzim këtë veturë.

Ata fillimisht përmes telefonit kanë thënë se veturën e re do ta ketë në shfrytëzim kryeshefi, ndërsa me vonë kanë insistuar që përgjigjet t’i japin vetëm pas një takimi sqarues. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje është Besim Baraliu.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek kompania Hidroregjioni Jugor tash e dy javë, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen. Sipas njoftimit për kontratë të publikuar në KRPP, kjo veturë është me arsyetimin se do të ndihmojë KRU “Hidroregjionin Jugor” t’i kryejë punët e përditshme në katër njësitë e saj, në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Malishevë.

Megjithatë, asnjëra nga këto komuna nuk ka largësi më të madhe se 30 kilometra nga Prizreni.

KALLXO.com ka kontaktuar kompaninë kontraktuese në lidhje me veturën e blerë nga ndërmarrja regjionale “Hidroregjioni”.

Betim Siqani, konsulent i shitjeve në këtë kompani ka thënë se kjo veturë është xhip automatik.

“Vetura në fjale është Nissan Qashqai 1.6 dCi automatik me 130 KF paketa 360°”, tha Siqani.

Ai sqaroi se çmimi zyrtar i ofruar nga Nissan është 29 mijë e 190 euro.

Ndërmarrja “Hidroregjioni Jugor” ka telashe me ujin e pa-faturuar, në kohën kur investojnë mbi 26 mijë euro në xhip. Uji i pa-faturuar është problemi kryesor që ballafaqohet kjo ndërmarrje. Në raportin e tremujorit të dytë të vitit 2016 të kësaj kompanie thuhet se zvogëlimi i ujit të pa faturuar nënkupton parandalimin e keqpërdorimeve dhe sanimin me kohë të defekteve në tërësi. Rreth 60 për qind të ujit të prodhuar nga kjo kompani nuk arrin të faturohet.

“Shërbimi Teknik me të gjithë sektorët e tij është duke evidentuar të gjitha rrjedhjet dhe me të gjitha kapacitetet është duke u përpjekur për sanimin e defekteve sa më shpejtë. Raportet tregojnë që Uji i Pa Faturuar në nivel regjional për muajt Prill – Qershor 2016 është 57,31 ose 0.5% me zvogëlim të UPF-së nga TM-1 paraprak”, thuhet në raportin për tremujorin e dytë të vitit 2016.