UDHËTIMI FLAMUROR I ISA BOLETINIT

(Variant i ripunuar)

1.
Nëpër male shpejton Drini,
Rend dhe Isa Boletini.

Nëpër muzg e shqyen borën,
Në gacë të llullës shikon orën.

Këqyr kah jugu, herë kah Kosova:
“Haj medet, thotë, u vonova…!”

Përmbi vetull e çon dorën,
Dhe i ngjet se shikon Vlorën.

Sheh flamurin si valëvitet,
Ngutet Isa e nuk i pritet:

“Gjallë a vdekë, sot a nesër,
Do të jem në Vlorë patjetër…!”

Plaku i Vlorës i fanitet,
Diçka pret e nuk i pritet.

Dorën plaku e shkon në mjekër:
“Do t’ arrijë Isa patjetër…!”

Mërmërin dhe Drini i vjetër:
“Do t’arrijë Isa pa tjetër!
Herët a vonë, sot a nesër
Do t’arrijë Isa, pa tjetër…”

2.
Përmes fushe, shket Shkumbini :
“Këmbë të mbarë, Isë Boletini!”

Një lot gëzimi, për lule Vlorën,
Një lot dhembje, për Shalë Bajgorën.

Lotët rrjedhin mbi flamur,
Loti ngrin, bëhet gurë…

“-Isë Qemali, mirë se të gjeta!”
“-Isë Boletini, tungjatjeta!”

Një kré Shale e një kré Vlore,
Një Shqiponjë shqiptare, dykrenore…

Boletini sheh nga Kanina:
-“Ç’rrebesh breshëri, kah Janina…!”

Plaku i Vlorës sheh kah Ulqini,
Kah Korabi, Sharri, kah Boletini…

Sy e shpresë kah Evropa:
“-Nuk ka paqe, copa- copa…”

Plaku lyp “vatanet e tia”,
Isa është mirë, “kur është tok Shqipnia…”

Nga Evropa gjëmon “ghemia,” (Anija)
Turbull vjen, pas, historia…

Dita vjen, nata nuk shkon,
Nuk dihet ç’lind as ç’perëndon…

Përmes valësh, në stuhi e mjegull.
Dita vjet e nata shekull…

Në det me valë, një varkë rrëshqet:
“-U vonuam, Haj medet…!”

Oshëtin Korabi i vjetër:
“Do të vijë, Isa, patjetër…
Herët a vonë, sot a nesër,
Do t’ arrijë Isa patjetër…”

3.
Nëpër male dredhon Drini,
Ngjitet Isa, kah Boletini.

E udhëtimi nëpër natë të zezë
Është i gjatë, i pabesë…

Një urë e zezë me gurgullimë
Bubullimë e ulurimë:

-“Dorëzohu Isë, je në pusi…
Nuk ke shtek për në Veri…”

Një xixë stralli, një unur,
Një erë eshke, një gacë në llullë…:

-“Jam n’udhë time, or pritazi,
Nga Shqipnia shkoj në Shqipni…

Udhë e shenjtë, që s’ndalet kurrë,
Si ky ujë që rrjedh nën urë…”

Krisma e britma, terr e mjegull,
Zgjatet nata , bëhet shekull…

Matan bjeshke pret Dukagjini,
Do t’arrijë Isë Boletini…

4.
Me sy kah Deti, gjarpëron Drini,
Ngjitet Isa, kah Boletini…

Udhëtim i gjatë, i gurtë, i ngurtë,
I flakëruar, i flamurtë…

Nga dredhia në dredhi,
Nga pabesia në pabesi…

Agon dita e nata s’shkon
Dielli ndrin e nuk rrezon…

Një këmbë nga Dibra, një nga Gjakova
Haj medet thotë u vonova…

Plaku i Vlorës i fanitet,
E pret Isen e nuk pritet.

“Isë o Lis flamuror;
Në ballë të hapit shekullor,
Shtizë flamuri, arbëror,
Shkup e Shkodër, Shalë e Vlorë…”

Dorën Plaku e qon në mjekër:
“-Do të arrijë, Isa, patjetër.
Herët a vonë, sot a nesër
Do t’arrijë Isa patjetër…”

Mërmërin dhe Kulla e Vjetër :
-“Do t’arrijë Isa patjetër… “

5.

Në gërxhe e gryka gulçon Drini:
“S’ ndalet Isa Boletini…
Herët a vonë, sot a nesër,
Do t ‘arrijë Isa, patjetër…

Nga kjo rrjedhë a rrjedha tjetër,
Do t’arrijë në cak pa tjetër.”…

1984, “CZ”-2015, Pr.