Grafika: Yll Rugova/Trembelat

U Shpallën Rezultatet Zyrtare të Zgjedhjeve. Çka Ndodh Tash?

Për shkak se Kushtetuta nuk e saktëson qartë afatin kohor për zgjedhjen e mandatarit, nuk ka limit kohor kur mund të formohet Qeveria. Teknikisht, koalicioni PAN e ka në dorë të saj ta zgjasë procesin e përcaktimit të mandatarit deri në pafundësi.

Aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese nga vitin 2014 në lidhje me mandatarin për kryeministër e ka komplikuar politikën në Kosovë aq shumë, saqë jemi në rrezik që do t’na ikin të gjithë politikanët nga Kosova (po ëndërroj!). Për ta kuptuar bile pak këtë proces, duhet veçuar disa koncepte bazë, duke filluar nga dy shënjime që kanë lindur nga ky aktgjykim i famshëm: koalicionet parazgjedhore (KZ)—ato që janë bërë brenda afatit ligjor të KQZ-së për regjistrim të koalicioneve—dhe koalicionet paszgjedhore (KPZ)—ato që janë bërë pas këtij afati.

Koncept tjetër që duhet mbajtur në mend nga ky aktgjykim është ai i shumicës. Dy lloje të shumicës përmenden me theks të veçantë në aktgjykim: shumica absolute (SHA)—ata që i kanë mbi 61 e më shumë ulëse në Parlament 50% të numrave—dhe shumica relative (SHR)—ata që kanë më shumë numra se tjerët.

(Këshillë për mendimtarët vizualë: Shkruajini dhe vizatojini në një letër këto shkurtesa për të kuptuar më lehtë).

Gjithashtu duhemi veçuar Kushtetutën e Kosovës (KK) dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (AGJK) që e sqaron dhe plotëson Kushtetutën e Kosovës. Kjo e fundit e mbishkruan Kushtetutën. Ndërkohë duhet pasur parasysh që gjithashtu janë vetëm dy mundësi të mandatimit dhe votimit të mandatarit. Nuk ka mundësi të tretë, pra: Mandatari i parë (M1) dhe mandatari i dytë (M2).

Sipas interpretimit në AGJK, herën e parë (M1) Presidenti duhet gjithsesi ta mandatojë për kryeministër kandidatin nga partia apo koalicioni parazgjedhor (KZ) me shumicë relative (SHR). Pra, partinë apo koalicionin parazgjedhor (KZ) që ka dalë i pari në zgjedhje. Por për formim të Qeverisë duhet shumica absolute (SHA) e deputetëve të Kuvendit. Nëse ky kandidat nuk i arrin numrat (minimum 61 deputetë nga 120 sa janë gjithsej në Kuvend), Presidenti (duke tentuar t’i ikën zgjedhjeve të reja) mund ta mandatojë edhe ndonjë kandidat nga një koalicion tjetër (M2) paszgjedhor (KPZ) që arrin të dëshmojë se i ka numrat për një shumicë absolute (SHA) të nevojshme për formimin e Qeverisë.

Komplikim palidhje, e di. Në shumicën e vendeve demokratike cilido koalicion (qoftë parazgjedhor apo paszgjedhor) që ka dëshmi se mund të arrijë shumicë absolute (SHA) mandatohet për kryeministër. Por nejse! Tash jemi në këtë situatë.

Por komplikimi nuk ndalet këtu.

Në Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës nuk thuhet asgjë për afatet kohore kur duhet të mandatohet kandidati për kryeministër nga Presidenti. Aty nuk përmendet madje as kur ky mandatar duhet të propozohet nga partia fituese. Teknikisht, i bie se po të kenë dëshirë, partia (apo koalicioni) që del i pari në zgjedhje së bashku me Presidentin mund ta zgjasin procesin e zgjedhjes së kryeministrit dhe të formimit të qeverisë edhe 1,000 vjet (nëse kanë aq jetë—e me ritmet e shpejta të përparimit teknologjik, kurrë s’i dihet *sarkazëm*). Teknikisht afatet kohore nuk përmenden fare as në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.

Në situatën aktuale, koalicioni PAN ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës si koalicion parazgjedhor (KZ). Por një koalicion i tillë i ka vetëm 39 ulëse, shumë më pak se 61 nga 120 ulëset e Kuvendit të mjaftueshme për të formuar qeverinë. Në anën tjetër Vetëvendosje i ka 32, dhe koalicioni parazgjedhor LAA i ka 29. Si koalicion paszgjedhor (KZP) Vetëvendosje me LAA mund të arrijnë 61 ulëset e nevojshme për formimin e Qeverisë. Por mandatimi i kryeministrit nga partitë tjera është i “bllokuar” nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas këtij akti, partitë tjera duhet të presin njëherë ose dy herë mandatarin e partisë fituese të dështojë në votim.

Pa një presion kohor, PAN nuk ka arsye ta propozojë në votim Ramush Haradinajn si mandatar për kryeministër. Veçanërisht nëse e di sigurt që ai s’do t’i marrë numrat e nevojshëm për shumicë absolute. Në situatë të tillë, është në dobi të PAN të blejë kohë sa më shumë, me shpresë që partitë tjera do të lodhen dhe frustrohen. Sipas Kushtetutës, i takon Presidentit që ta mandatojë kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë/koalicionin që ka dalë i pari në zgjedhje. Ja çka thotë Kushtetuta, pika 1 e Nenit 95:

“Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.”

Ky nen, përveç se e përcakton përgjegjësi e kujt është t’i propozojë Kuvendit kandidatin për Kryeministër, nuk tregon asgjë për ndonjë afat kohor që Presidenti e ka për ta bërë këtë propozim. Apo edhe çka ndodhë nëse partia e parë nuk bie dakord në ndonjë kandidat për kryeministër.

Këtë pikë, partitë politike në Kosovë duhet ta sqarojnë në Gjykatën Kushtetuese, dhe atë sa më parë.

Në Maqedoni për shembull, afati është i qartë. Ja çka thotë Neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë.

“Kryetari i Republikës së Maqedonisë është i obliguar që në afat prej dhjetë ditësh nga dita e konstitutimit të Kuvendit mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht të partive që kanë shumicë në Kuvend.”

Në Maqedoni mund të vëreni që përveçse ka afat kohor, ky afat nuk lidhet me ditën e zgjedhjeve por me konstituimin e Kuvendit. Diçka që e komplikon edhe më tutje çështjen e përcaktimit të afatit në Kosovë. Pa një afat kohor për propozimin e kandidatit për kryeministër nga Presidenti nuk mund të kemi zhvillim të rregullt demokratik zgjedhor. Pa këtë afat, mund të themi se përballemi me deformim të vullnetit të qytetarëve, duke i mundësuar partisë së parë që t’u bëjë presion (me forma të ndryshme) deputetëve të partive tjera.

Kërkesa për sqarim të afateve kohore për mandatimin e kandidatit për kryeministër nga Presidenti dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është imperativ që duhet procesuar sa më parë nga partitë politike që janë në Kuvendin e Kosovës. Me një sqarim të tillë do ta kishim një AGJK të re për këtë çështje që do ta plotësonte Kushtetutën e mjegullt të Kosovës. Sipas Kushtetutës, një kërkesë e tillë mund të bëhet me 30 nënshkrime të deputetëve të Kosovës.

Por së pari, ndoshta, duhet të presim konstituimin e Kuvendit që duhet të ndodhë 30 ditë nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ. Megjithëse, në Kushtetutë është mjaft e mjegullt edhe kjo pjesë.

Më shumë nga Yll Rugova

Analizë e Rezultateve: Të Aplikohet Shembulli i Maqedonisë