U Nis për Teatër Opere, Mbeti ‘Pronë’ e Bretkosave

Nga vitit 2009 e deri më sot, ky projekt u shikua dhe kaloi në duart e shtatë ministrave por mbeti i papërfunduar për shkaqe teknike, infrastrukturore dhe financiare. Kujtim Gashi është ministri i tetë i Ministrisë së Kulturës i cili do të duhet të merret me projektin e ndërtimit të Sallës së Operës dhe Baletit.

Në vend të performancave të tenorëve e kompozitorëve, sot e kësaj dite në lokacionin ku ishte paraparë ndërtimi i Sallës së Operës dhe Baletit dëgjohen “kuak-et” e bretkosave.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari për KALLXO.com tha se ndihen keq kur në vend të objektit dëgjon këndimin e bretkosave.

“Shumë mallëngjehem ku në vend se të shohim një ndërtesë, një pallat të madh, një sallë, një qendër kulturore ne vazhdojmë të shohim një gropë siç është thënë shpesh herë, ku me kohë është mbushur me ujë dhe ku njerëzit përreth këtu patën raportuar për këndimin e bretkosave”, tha Jashari

Jashari tha se vite me radhë Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e Sallës së Operës dhe Baletit.

“Shpesh kemi bërë shaka, njerëzit që ishin të involvuar në këtë proces se si është e mundur që një projekt i asaj kohe është vlerësuar që do kushtoj mbi 30 milion. Atëherë me 1 milion euro në vit mund ta imagjinoni çka bëhet. Dikush e tha që themelet do të jenë 32 vite më të vjetra se kulmi i kësaj ndërtese”, deklaroi Jashari.

Kompozitori Jashari tha se është shumë e dhimbshme që 17 vite pas themelimit të Filarmonisë së Kosovës, ky institucion muzikor t’i organizojë koncertet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

“Paramendoni vjen një artisti i rangut botëror, një instrumentist, apo një tenor dhe është e paimagjinueshme  veç dalja në skenë. Nuk ka gardërobë për ta. Ne i shfrytëzojmë disa hapësira jozyrtare në katin e dytë të Sallës së Kuqe vetëm e vetëm të kanë ku të ndërrohen me kostume që dalin në skenë”, deklaroi Jashari.

I pari i Filarmonisë së Kosovës u shpreh optimist për ndërtimin e Sallës së Operës dhe Baletit pasi që sipas tij mungon prioriteti për çështjet kulturore.

“Mungon prioriteti, përderisa kjo çështje nuk bëhet prioritet unë mendoj që as Filarmonia, as Baleti bile as Ministria e Kulturës nuk e ka fuqinë ta shtyjë këtë proces dhe ta realizojë deri në fund. Pra përderisa nuk e kemi prioritetin do të vazhdojmë ta shohim këtë hapësirë boshe”, u shpreh Jashari.

Jashari tha se përveç hapësirë, Filarmonia e Kosovës ballafaqohet edhe me mungesë të buxhetit për të realizuar koncerte që sipas tij kushtojnë rreth 20 mijë euro.  Sipas Jasharit problem tjetër financiar është edhe  udhëtimi i trupës së Filarmonisë dhe Korit në koncertet jashtë shtetit për shkak të numrit të madh prej 120 pjesëtarëve  Sipas Jaharit, buxheti aktual i Filarmonisë së Kosovës është 300 mijë euro

Ndërsa Samir Hoxha, këshilltarë i lartë i ministrit të Kulturës, Rinis dhe Sportit tha për KALLXO.com se kjo ministri ka paraparë që këtë vit të bëjë studimin e fizibilitetit për projektin e ndërtimit të Sallës së Operës dhe Baletit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke planifikuar qe për vitin 2018 të bëjë studimin e fizibilitetit për ketë projekt,  nga i cili studim do të dalin të gjitha detajet konkrete për ndërtimin e sallës së Operës dhe Baletit, si ato financiare ashtu edhe ato teknike dhe  infrastrukturore”, tha këshilltari i ministrit, Samir Hoxha për KALLXO.com.

Ndërkaq sa i përket hapësirave për ndërtimin e objektit zyrtari i MKRS tha se kjo ministri e ka paraparë që vazhdoj proceduarat për hartimin e projektit në të njëjtin lokacion ku ka qenë i paraparë kohë më parë, pra atij afër Fakultetit Teknik.

“Por nuk duhet përjashtuar edhe ndonjë lokacion tjetër nëse arrihet  që të gjendet  konsensusi me të gjithë akterët relevant që do të përfshihen në këtë projekt”, tha Hoxha.

KALLXO.com kohë më parë kishte raportuar se si banorët që jetojnë  afër Fakultetit Teknik, lokacioni ku ishte paraparë ndërtimi i Sallës së Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” po shqetësohen nga simfonitë e bretkosave të cilat kanë krijuar pellgje aty ku ishte hapur gropa për realizimin e këtij objekti.  Të shqetësuar ishin shprehur edhe studentët dhe stafi i Fakultetit Teknik.

http://kallxo.com/simfonite-e-bretkosave-ne-mocalin-e-operas-dhe-baletit/