Foto nga Pexels

Turizmi në Turqi, Një Industri në Krizë

Ajo tufa e pushuesve britanikë që po luajnë vaterpolo në pishinë mund të çirren e bërtasin sa të duan: nuk ka as edhe një turist tjetër të cilin mund ta bezdisnin.

Hoteli Garden Resort Bergamot me katër yje në Kemer, mu në dalje të Antalias, do të duhej të ishte 70 për qind i mbushur në këtë periudhë të vitit. Por, vetëm 25 nga 233 dhomat në dispozicion janë zëna.

“Na është dashur ta zvogëlojmë stafin tonë nga 80 në 50 persona dhe çmimet janë ulur me një të tretën”, tha pronari Suha Sen.

“Nëse vazhdon kësisoj edhe vitin tjetër, ndoshta do të detyrohemi ta mbyllim të gjithën”.

Disa pushues që rrezoheshin përreth pishinës thanë se kishin goditur oferta shumë të volitshme.

“Paguam pak më shumë se 500£ (630 euro) për ne të dy për një javë, një pako gjithëpërfshirëse [‘all-inclusive’]”, thotë Diane Roberts nga Uellsi verior. “Pjesa më e madhe e ofertave të lira tash janë në Turqi – nuk e prisnim këtë, por njerëzit frikohen shumë të vijnë këtu”.

Është një trend që vihet re jo vetëm në Antalia, por edhe në tërë vendin: turizmi turk është në krizë. Një shtet që priti 37 milionë vizitues në vitin 2014 – atëkohë destinacioni i gjashtë më i frekuentuar në botë – pritet të shënojë një rënie prej së paku 40 përqind këtë vit.

Recep Tayyip Erdogan | Foto: Wikipedia
Recep Tayyip Erdogan | Foto: Wikipedia

Rënia më e madhe ka ndodhur te numri i turistëve rusë: numri i 4.5 milionë pushuesve ka rënë me 95 për qind. Arsyeja kryesore ishte rrëzimi nga ana e Turqisë i avionit ushtarak rus që kishte hyrë në zonën ajrore turke nëntorin e vitit të kaluar, duke shkaktuar një krizë diplomatike mes dy shteteve.

Udhëheqësit e dy vendeve – Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan – janë ende në mosmarrëveshje, edhe pse Erdogan i ka dërguar një letër Putinit javën e kaluar kur u shënua dita kombëtare e Rusisë në përpjekje për t’i shëruar plagët.

Veç kësaj, shumë të tjerë u trembën nga një varg bombardimesh që ndodhën në tokën turke gjatë vitit të kaluar. Prej kur dhuna u rinis nga militantët kurdë të Partisë së Punës së Kurdistanit (PKK), sulmet e tyre dhe të Shtetit Islamik kanë ngjarë anë e kënd vendit, disa prej të cilëve patën cak turistët në Stamboll.

Vizituesit britanikë dhe gjermanë u zvogëluan për një të tretën.

Paqëndrueshmëria politike, një president që arriti ballinat duke fshikulluar Perëndimin, ndjekja penale e kritikuesve dhe emërimi i barnave për kontroll të shtatzënisë si “tradhti” nuk ka ndihmuar fare.

Nga kjo nuk ndikohet vetëm 8 përqindëshi i popullsisë së punësuar në sektorin e turizmit, por edhe ata që varen nga tregtia me vizituesit e huaj.

Plazhet thuajse bosh janë një pamje e zakonshme në zonat turistike të Turqisë | Foto: YouTube
Plazhet thuajse bosh janë një pamje e zakonshme në zonat turistike të Turqisë | Foto: YouTube

Në qytetin e vjetër të Antalisë, pronarët e dyqaneve të ndryshme qëndrojnë ulur jashtë bizneseve të tyre duke shpresuar se mos vjen ndonjë blerës, por thjesht nuk ndodh. Lulet e jargavanit varen mbi dyqanet e gurta që shesin qilima dhe çanta lëkure, por rrugët janë të heshtura.

Istiklal Sevuk e ka hapur dyqanin e tij të bizhuterive 30 vite më parë dhe thotë se kurrë nuk ka qenë kaq keq. “Po, kemi sulme terroriste në qytetet kryesore, por problemi ynë më i madh është qeveria jonë dhe Presidenti Erdogan”, thotë ai.

“Ai nuk ndjek paqen me fqinjët tanë dhe po e dëmton imazhin e shtetit. Ne nuk kemi më një qeveri – kemi vetëm një burrë që bën çdo gjë. Erdogani është arsyeja pse gjendemi në këtë rrëmujë”.

Erdogan ka fajësuar PKK-në rebele për paqëndrueshmërinë e tanishme të Turqisë dhe ka ka hedhur poshtë kritikën Perëndimore për politikat e tij.

Në zonën e Belekut, vend që dikur ishte i dominuar me rusë, bizneset janë shkatërruar. Pegas, një operator udhëtimesh, më parë sillte 19 aeroplanë plot me rusë në Antali. Tash, kompanisë i është dashur t’i pushojë nga puna 3,000 punëtorë të stafit.

Hoteli luksoz Delphin Imperial | Foto: Delphin Imperial
Hoteli luksoz Delphin Imperial | Foto: Delphin Imperial

Është vështirë të dëgjosh një fjalë rusisht në shkëlqimin e hotelit Dolphin Imperial dhe në plazhin privat ku rusët dyndeshin dikur.

Dizajni i frymëzuar nga Chrysler Tower në Nju Jork, llambadari i kristaltë në paradhomë dhe mobiliet neo-Baroke të stolisura me ar, tregojnë qartësisht luksin e hotelit.

Sidoqoftë, rusët e pasur nuk vijnë më këtu dhe hoteli është i mbushur vetëm 40%

Drejtori i tij, Tolga Comertoglu, është po ashtu pjesëtar i bordit të Asociacionit të Hoteleve të Antalisë. Me flokë të verdheme dhe kostum të ngushtë, ai përshtatet me stilin eksentrik të hotelit. Ai thotë së është shumë i shqetësuar nga plazhet e zbrazura të cilat i sheh nga lart me helikopterin e tij privat.

“Familja ime ka 40 vite në turizëm dhe unë kurrë nuk e kam parë kështu”, thotë ai. “Kemi rënë në humnerë – nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhte po të bëhet më keq”.

Çfarë atëherë, pyeta unë?

“Do të thotë se i gjithë sektori i turizmit mund të marrë fund këtu”, thotë ai. “Dhe ajo do të thoshte minus 28 miliardë dollarë”.

Foto nga Public Domain Pictures
Foto nga Public Domain Pictures

Rrugëve të qytetit të vjetër të Antalias takova një çift anglez nga Blackpool. Dyqanxhitë u vërsulen Mark-ut dhe Claire-it, por ata sot nuk do të blejnë asgjë. “Është me të vërtetë e pikëlluese të shohësh se çfarë po ndodh,” thotë ajo. “Turqia është një vend kaq i mrekullueshëm por njerëzit nuk po e vizitojnë. Si mund të mbijetojnë?

I pyeta se a kanë pasur ndonjë problem me rezervimin këtu. “Bashkëshorti im luan golf me dikë që i kishte thënë ‘nuk do të shkoja në Turqi tash’. Kështu që ai shkoi në Orlando. Dhe shiko se çfarë ndodhi atje [sulmi terrorist në një klub nate u vranë afro 50 njerëz]. Ne duhet të vijmë, përndryshe terroristët do të ngadhënjejnë.

Në plazhet e qeta të Antalias, dielli i qershorit e ka ngrohur Mesdheun, rëra është e butë dhe duket silueta e maleve të largëta, gjë që jep një sfond të këndshëm.

Por, kahja e turizmit të Turqisë ka ndryshuar – me sulmet e vazhdueshme dhe një president të paparashikueshëm, përmirësimi duket i zbehtë në horizont.