Arkiv: Marshi i grave në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Trump-ët në Mesin Tonë

Në vitin 2017 shpresoj që s’kemi nevojë të debatojmë në qoftë se gratë janë të barabarta me burrat në Kosovë. Çdo shifër e disponueshme na tregon qartë se gratë janë më pak të arsimuara, më pak të punësuara, më pak të përfaqësuara dhe përjetojnë dukshëm më shumë dhunë sesa burrat.

Gjendja e grave të varfra, e grave rome dhe e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës është tmerrësisht e lënë pas dore. Vajzat tona akoma martohen kundër vullnetit të tyre. Aborti ende trajtohet si punë turpi dhe morali. Lindja në Kosovë herë-herë rezulton me vdekje. Pushimi i lehonisë konsiderohet luks. Ngacmimi seksual shihet si hajgare. Gratë dhe vajzat përdhunohen, rrihen e vriten. Kjo është Kosova jonë.

Në këto rrethana, opinioniste sikur Kimete Berisha dhe Dafina Demaku pyesin se çfarë kuptimi ka pjesëmarrja e grave shqiptare në Marshin e Grave. Mbase disa informata se pse kanë marshuar njerëzit në Prishtinë janë të nevojshme. Marshi i Grave është lëvizje gjithëpërfshirëse e feministeve amerikane dhe është organizuar si reagim kundër gjuhës seksiste, raciste, homofobe dhe nxitjes së urrejtjes nga Presidenti Trump (për më shumë mbi mizogjininë e tij të dëshmuar, ju ftoj të lexoni këtë shkrim nga Shqipe Gjocaj).

Marshi i Grave është zgjeruar përtej kufijve të Amerikës dhe kuptimi i tij po ashtu është zgjeruar, në një marsh global kundër të gjitha llojeve të diskriminimit dhe mohimit të të drejtave të grave dhe vajzave në mbarë botën. Në mënyrë organike, janë organizuar më shumë se 600 protesta të tilla në 75 vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Ishte demonstratë historike me pjesëmarrje globale, një përkujtim i mirë dhe i duhur se feminizmi është i gjallë dhe i nevojshëm gjithkund.

Disa ditë pas marshimit, Demaku na pyet ku janë protestat kundër patriarkalizmit në Kosovë, ndërsa Berisha na e kujton se nuk “na takon” të protestojmë kundër agjendës së Trump-it. Demaku madje çuditërisht thotë se nuk ishte marsh i “grave” por thjesht “marsh”. Berisha thotë se gratë të cilat “rëndom” protestojnë kundër dhunës në baza gjinore janë gra të divorcuara dhe lesbike. Komente më qesharake s’kam dëgjuar moti.

Ia vlen të mbajmë në mend: shteti amerikan dhe programe sikur USAID-i shtyjnë përpara projekte për promovimin e trashëgimisë së barabartë midis grave dhe burrave. A thua vallë, pa presionin e faktorëve të jashtëm si USAID-i, sa ka vullnet për të shtyrë këtë çështje përpara në qeverinë e “ma hangsh” Kosovës?

E dyta, njëra prej vendimeve të para ekzekutive të Presidentit Trump ishte mohimi i fondeve për organizata të cilat promovojnë apo ofrojnë abortin si pjesë e planifikimit familjar. Çfarë efekti mund të ketë një vendim i tillë në Kosovë, ku aborti akoma shihet si vrasje, e jo si zgjedhje shëndetësore? Dhe të shprehem më troç, çfarë mesazhi u jepet kadriveselave tanë në pushtet kur Presidenti Trump thotë me lehtësinë më të madhe se si pasanik, “mundesh me i kap [femrat] për p***”?

Këto pyetje po i shtroj për shkak se Kosova jonë e vogël është pjesë e botës dhe pa resurset, literaturën, fondet dhe solidarizimi që na vjen nga jashtë dhe brenda, lëvizja jonë feministe do të kishte përfunduar moti. Ia vlen të kujtojmë se feministet tona të para, sikur Urani Rumbo, Parashqevi Qiriazi dhe Sevasti Qiriazi, janë edukuar jashtë Ballkanit dhe kanë sjellë në Shqipëri çka kanë parë nga jashtë. Këto feministe të hershme, në besoni apo jo, kanë marrë pjesë në takime historike sikur Konferencën e Paqes në Paris dhe Kongresin e Manastirit, kanë punuar me gra dhe vajza ne fshatra tmerrësisht të izoluara, kanë lobuar për agjendën e tyre me burrështetas progresivë në qeveritë e para shqiptare dhe kanë krijuar lidhje miqësie dhe komunikimi me gra feministe në perëndim. Thjesht, kanë vepruar si shqiptare dhe si pjesëmarrës të kësaj bote, duke qenë të vetëdijshme se asnjë lëvizje progresive nuk është shtyrë përpara në vetmi. Këto janë histori që nuk i mësojmë dhe nuk i dijmë.

Fatkeqësisht, mbase dijmë edhe më pak për të tashmen. Protesta kundër dhunës në familje, kundër ngacmimit seksual, kundër gjuhës seksiste në Kuvend, kundër neglizhencës ndaj grave të përdhunuara gjatë luftës, kundër vrasjes së grave nga partnerët e tyre, kundër abuzimit të vajzave për çështje të “nderit” dhe kundër festimit të pakuptimtë të 8 Marsit kanë ndodhur dhe ndodhin rregullisht në Kosovë – për ata dhe ato që i kërkojnë. Lufta për trashëgim të barabartë, për pushim të lehonisë, për rrogë të barabartë, për qasje në shëndetësi seksuale, për llogaridhënie nga policia dhe prokuroria, për siguri fizike dhe të drejta bazike – kjo luftë po zhvillohet në Kosovë me punë që nuk njihet dhe nuk shihet. Çifti i Demakut dhe Berishës nuk janë të interesuar as të dinë e as të kyçen në djersën dhe mundin që kjo luftë kërkon.

Puna e vlefshme e lëvizjes feministe në Kosovë është gati e padukshme, pos në raste kur pesë minuta pas vrasjes së ndonjë gruaje jehon pyetja “ku janë feministet?” Unë e çmoj lëvizjen tonë feministe, sepse këto gra e burra historikisht e kanë bërë të mundshëm qasjen time, të Berishës dhe Demakut në media, në shkolla dhe në institucione. Feministet tona rezistojnë çdo ditë trumpat tonë të vegjël, qofshin gra ose burra. Dhe çfarëdo akti i solidarizimit që na kujton se nuk jemi vetëm, na kujton se krejt kjo punë e ky mund i nënvlerësuar, kur më në fund shfaqet, përkthehet në fuqi.