Treni si Bartës i Filmave të “Hyjneshës”

Festivali “Hyjnesha në fron” u themelua në vitin 2002 nga aktori Besim Ajeti dhe konsiderohet festivali i parë i filmit në Kosovën e pasluftës dhe që atëherë është organizuar gjashtë herë në komuna të ndryshme të Kosovës.

Besim Ajeti tha që në gjithë këta filma rrugëtimi i trenit ka një nisje, një cak dhe një qëllim, e qëllimi i festivalit është të inkurajojnë komunitetin e artit të shprehet, të shfrytëzojë talentin e tij dhe dijen për të influencuar në proceset pozitive.

“Nesër do të udhëtojmë në Pejë, por pas ca vitesh ‘Hyjnesha’ do të udhëtojë në Mynhen, Bruksel e Londër”, u shpreh Ajeti me optimizëm.

Ky festival ndërkombëtar i filmit mundohet të sjellë kulturën e Kosovës dhe të shteteve të Ballkanit brenda hartës kinematografike botërore.

Ian Cliff, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, tha se është i lumtur që ambasada britanike ka pasur mundësinë të mbështesë këtë festival, sepse ky është një program që bashkon filma, aktorë dhe artistë nga Evropa dhe rajoni.

“Jam i njohur me ndërtesën këtu dhe asnjëherë nuk e kam menduar se kjo ndërtesë [stacioni hekurudhor] mundet me u përdorë në këtë mënyrë kaq kreative. Më duket ide brilante që festivali të shfaqet në qytete të ndryshme të Kosovës nëpërmjet trenit”, shtoi Cliff.

Çmimet që jepen në këtë festival, kanë formën e statujës së famshme “Hyjnesha në fron” që daton prej para më se 5.000 vjetësh, është monument amtar i Kosovës dhe konsiderohet si kryevepër e artit të lashtësisë. Dimensionet janë identike me atë të statujës origjinale.

Shtatë anëtarët e jurisë që do të gjykojnë filmat e sivjetmë janë: Enver Petrovci, Moni Damevski, Alfred Trebicka, Qazmedin Nuredini, Ekrem Xani dhe Naser Gjinovci.

Në hapje luajtën muzikë në violinë dhe piano nxënës nga shkolla e muzikës “Prenk Jakova”. Festivali startoi me filmin maqedonas të metrazhit të gjatë të titulluar “Babai im”.

Përpos filmave, në program të festivalit, përfshihen edhe ‘master klasë’ ku ekspertë të shumtë nga fusha e artit dhe e industrisë së filmit do të trajtojnë tema të ndryshme.

Gjithashtu, në kuadër të festivalit synohet edhe fuqizimi i gruas në biznes dhe promovimi i vlerave të komuniteteteve romë, ashkalinj e egjiptianë.

Gratë biznismene do të prezantojnë produktet e tyre, kurse gratë e komuniteteve romë, ashkalinj e egjiptianë do të demonstrojnë se si i prodhojnë sapunët dhe produktet e tjera.

“Gratë do të mund t’i ekspozojnë në hapësirat e hekurudhës punimet e tyre, t’i shesin dhe të përfitojnë prej këtij festivali”, tha Shengyl Ismajli, drejtoresha artistike e festivalit.

Festivali do të zgjasë deri të premten më 21 nëntor.