Tre Kandidatë për Rektor të Universitetit të Pejës

KALLXO.com ka mësuar se për këtë pozitë kanë kandiduar, Fadil Millaku, rektor aktual i Universitetit “Haxhi Zeka”; Afrim Selimaj, prorektor i këtij universiteti dhe Armand Krasniqi, profesor i UP-së.

Tre kandidatët pritet të intervistohen nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, këtë të premte më 7 korrik. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Haxhi Xhemajli, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Pejës.

“Procesi i zgjedhjes së Rektorit fillon në momentin kur ne, Këshilli Drejtues në bazë të rregullave dhe dispozitave të Statutit e merr raportin prej Komisionit Verifikues të Senatit me kandidatët që i plotësojnë kushtet bazë të Statutit dhe Ligjit të Arsimit të Lartë. Në bazë të kësaj ne procedojmë. Ne orientimisht në mëngjes nesër (e martë) do t’i ftojmë kandidatët për intervistë kurse mbledhjen do ta mbajmë ditën e premtë me datën 7 korrik”, tha Xhemajli.

Sipas tij, zgjedhja e Rektorit pritet të shkojë me votim në Këshillin Drejtues pasi që tre kandidatët Fadil Millaku, Afrim Selimi dhe Armand Krasniqi të intervistohen.

“Të premten pas intervistimit të tyre, është e drejta e votimit që i takon çdo anëtari të Këshillit Drejtues, 1 anëtar 1 votë. Kështu që kandidati i cili i merr 2/3 e votave ai zgjidhet Rektor i Universitetit për katër vitet e ardhshme”, tha Xhemajli.

Kryesuesi i KD-së, tha se Rektori i ri, do të fillojë punën më 1 tetor të këtij viti.

KALLXO.com ka kontaktuar tre kandidatët për Rektor të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë për t’i pyetur për planet e tyre për këtë institucion.

Fadil Millaku i cili po ri-kandidon për pozitën e Rektorit tregoi për prioritetet që ai ka për Universitetin “Haxhi Zeka”.

“Puna e parë është reformimi i programeve dhe përshtatja e këtyre programeve komfor nevojave të tregut… Pika e dytë, fokusi im është ngritja e cilësisë në Universitetin Haxhi Zeka. Ngritja e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, tha Millaku.

Sipas tij, përparësi do t’u japin Fakultetit të Agrobiznesit, programit për Prodhimtari Bimore, reforma në Fakultetin e Biznesit dhe pranim të stafit akademik në Fakultetin Juridik.

Ai foli edhe për suspendimin e shtatë programeve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë duke thënë se shumë shpejt do të bëhet edhe plotësimi i këtyre programeve me staf akademik.

Po ashtu Millaku foli edhe për dhënien e bursave për studentët e këtij Universiteti duke thënë se ka kërkuar fonde nga Ministria e Arsimit për dy herë radhazi në vlerë prej 150 mijë euro dhe kjo nuk u është aprovuar.

KALLXO.com ka raportuar se si, studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” brenda kësaj jave kanë mbajtur protesta në shenjë pakënaqësie për mos akreditim të programeve të këtij institucioneve.  Po ashtu të njëjtit studentë kanë protestuar edhe për mungesë të bursave.

http://kallxo.com/studentet-protestojne-kunder-drejtuesve-te-universitetit-te-pejes-per-mosakreditim/

I pyetur se përse meriton që ai të zgjidhet Rektor i Universitetit të Pejës, Millaku tha se ka vlera, punime shkencore dhe e di se “qysh merr frymë” ky Universitet.

“Unë mendoj që jam një kandidat potencial për shkak se unë në Universitet kam filluar të punoj nga viti 1984. Kam punuar si asistent, pastaj si profesor dhe besoj që jam kandidati që kam edhe vlera, punim shkencore më shumë se jo vetëm kandidatët që kanë konkurruar por edhe të tjerët dhe di qysh merr frymë Universiteti “Haxhi Zeka” dhe universitetet tjera. Mendoj që do të bëjë reformë në Universitet”, tha Millaku.

E kandidati tjetër, Afrim Selimaj, aktualisht prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë në Universitetin “Haxhi Zeka” do të jetë kandidat për Rektor.

“Do t’i jap rëndësi të madhe ngritjes së cilësisë në Universitet. Si pikë e veçantë, dhe si synim kryesor i imi është ndërtimi i infrastrukturës meqë unë jam prorektor për Buxhet, Financa dhe infrastrukturë. Si prioritete do të jetë ngritja e infrastrukturës për mbajtjen e ligjëratave dhe ushtrimeve. Një pikë e rëndësishme që do të insistoj shumë është gjetja e fondeve të ndryshme financiare për rritjen e buxhetit në tërësi sepse e kemi një buxhet të varfër edhe për paga dhe mëditje por edhe për  mallra shërbime.  Buxheti prej 10 mijë euro për subvencione dhe transfere është për student për të cilat nuk po kemi që disa vite tu japim bursa studentëve. Do të bëjë një angazhim të madh për këtë në Qeveri”, u shpreh Selimaj.

Selimaj tha se i plotëson kushtet për të qenë Rektor i Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë për shkak se ka përvojë menaxheriale.

“Angazhimit im është prej shtatë vitesh në Universitetin “Haxhi Zeka”, pastaj  në fakultetin e Turizmit kam qenë prodekan për çështje mësimore për këto dy vite, pastaj këtu (Universitet) jam si prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë që dy vite, andaj po mendoj që përvoja ime shumë vjeçare në punën menaxheriale më bënë mua që unë të kryej këtë punë si duhet”, tha Selimaj.

E kandidati i tretë, është profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Armand Krasniqi, i cili i jeton në Komunën e Pejës.

Krasniqi, i cili me profesion është Doktor i Shkencave Juridike tha për KALLXO.com tregoi se ka tetë pika të pan programit ku do të fokusohet nëse zgjidhet Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”.

“Përmirësimi i burimeve njerëzore, rishikimi i programeve studimore, bashkëpunimi me ekonominë, Infrastruktura dhe shërbime për studentë, puna kërkimore shkencore , partneriteti vendor dhe ndërkombëtar, sistemi i qëndrueshëm i sigurimit të cilësisë, Universiteti ‘Haxhi Zeka’, me identitet institucional i dallueshëm qartë nga institucionet tjera të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës”, tregoi profesor Krasniqi.

Krasniqi tha se ka përvojë menaxheriale në udhëheqjen e një Universiteti ndërsa tregoi se ai ka qenë njëri ndër themeluesit e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

“Besoj që i plotësoj kriteret për një detyrë si kjo. Kam përvojë menaxheriale në fushën akademike sepse kam qenë tri vite dekan i Fakultetit të Biznesit në Pejë dhe tri vite kam qenë ushtrues detyra i Rektorit në themelimin e këtij Universiteti. Çka më lidh me Pejën?, Unë jam lindur dhe rritur në Pejë dhe vendlindja akademike e imja është Peja. Jam ndër themeluesit kryesorë, e kam udhëhequr procesin e themelimit të Universitetit të Pejës, në mënyrën më të mirë të mundshme. Akreditimin e parë, Statutin, çdo gjë ka kaluar në duart e mia”, tha Krasniqi kur u pyet se përse meriton të jetë Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”.