Cilat komuna udhëhiqen nga cili koalicion i formuar për zgjedhjet e 11 qershorit - Foto: KALLXO.com

Trashëgimtarët në Kërkim të Pushtetit

Në listat e publikuara të koalicioneve e partive politike, ka kandidatë që kanë zënë vend për “hir” të familjarëve të tyre.

Në zgjedhjet e kaluara të 2014-ës, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte kandiduar vajzën e vetme të ish-Presidentit dhe kryetarit të parë të LDK-së, Ibrahim Rugovës, Teuta Rugovën.

Ajo kishte qenë femra e dytë më e votuar në Kosovë, pas Vjosa Osmanit, me 37,178 vota.

Teuta Rugova nuk ishte parë aktive në Kuvendin e Kosovës.

Ajo kujtohet për marrjen e luleve nga Hashim Thaçi në ditën kur ky i fundit u bë President i Republikës me votat e LDK-së.

Para saj, familja Rugova ishte prezantuar në Kuvend edhe me djalin tjetër, Ukë Rugovën, i cili kishte hyrë si pjesë e grupimit “Lista Ibrahim Rugova” brenda Koalicionit Kosova e Re. Edhe ai nuk ishte parë aktiv në Kuvendin e Kosovës.

Ukë Rugova është duke u gjykuar në lidhje me lëshimin e paligjshëm të vizave italiane shenjen.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që ta kandidojë përsëri Teuta Rugovën, të cilën e ka renditur të 12-ën në listë.

Njëjtë si me Teuta Rugovën, LDK kishte vepruar në 2014 edhe me Doruntina Malokun, e cila është vajza e veprimtarit të LDK-së dhe gazetarit Enver Maloku i cili ishte vrarë në janar të vitit 1999.

Doruntina Maloku do të jetë përsëri kandidate e LDK-së për deputete me numër 18 në listë.

Në zgjedhjet e kaluara ajo kishte qenë deputetja e fundit nga radhët e LDK-së që kishte hyrë në Kuvend. Ajo kishte grumbulluar 7,193 vota.

Në këto zgjedhje LDK-ja ka gjetur vend edhe për një anëtare të familjes Geci nga Llausha e Skenderajt- Fitore Gecin, vajzën e Halil Gecit, njërit nga vëllezërit Geci.

Në të shkuarën familja Geci ishte prezantuar në Kuvendin e Kosovës në dy legjislatura.

I pari nga Gecët kishte qenë Fadil Geci në legjislaturën 2001-2004 dhe Gani Geci në legjislaturën 2007-2010 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, e cila ishte krijuar pas “kuvendit të karrigeve” të LDK-së, mirëpo që në fund ishte shkrirë prapë në LDK.

Fitore Geci është e renditur e 99-ta në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Gani Geci, xhaxhai i saj në qershor të vitit që shkoi u dënua me katër vjet e gjysmë burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, ndërsa këtë rast është duke e shqyrtuar Gjykata e Apelit.

Në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa është edhe vajza e myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava. Refiqe Beka-Tërnava është kandidate nga radhët e AKR-së, me numër 51 në listë.

Naim Tërnava është duke e udhëhequr Bashkësinë Islame për të tretin mandat. Mandati 5 vjeçar si kryetar i BIK-ut atij i kalon vitin e ardhshëm. Pra në krye të BIK-ut është për plot 14 vjet.

Pasardhës të të pushtetshmëve të dikurshëm ka edhe në koalicionin PDK-AAK-Nisma.

Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku është në listën e PDK-së për deputet. Ai renditet i 35 në listë.

Sami Lushtaku është dënuar nga dy shkallët e gjyqësorit për akuza për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, por mbrojtja e Lushtakut është ankuar në Gjykatën Supreme kundër dënimit.

Supremja ka caktuar seancë për këtë rast më 20 qershor

Lushtaku vazhdon të mbetet kryetar i Skenderajt pasi që lënda e tij ka shkuar me ankesë në Gjykatën Supreme.

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që në listë deputetësh ta ketë edhe një mbesë të Hashim Thaçit, tani President dhe ish-kryetar i kësaj partie.

Kryesia e PDK-së e ka kandiduar Evgjeni Dragusha-Thaçin vajzën e Gani Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit. Ajo është renditur e 45-ta në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Pjesë e PDK-së në listën e koalicionit është edhe Beatrisa Demiri, e motra e Elvis Pistës, kandidatit për deputet po tëç kësaj partie që u vra në vitin 2014, 1 javë pas përfundimit të zgjedhjeve të atij viti.

Ende nuk është arrestuar askush për rastin e vrasjes së Pistës. I ndjeri në zgjedhjet e 2014-ës kishte mbledhur 6468 vota.

Motra e tij, Beatrisa Demiri është e renditur e 63-ta në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Në listën e PDK-së është edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti me numrin 83.

Mirëpo kështu nuk kishte vepruar motra e tij, Erleta Hoti. Ajo në zgjedhjet e 2014-ës, kishte qenë kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ku kishte marrë 3414 vota.

Ukshin Hoti ka qenë i burgosur politik gjatë regjimit serb në Kosovë, ndërsa që nga 99-ta ai është i zhdukur.