Pamje e Prizrenit me urën e vjetër të mbuluar dhe kalanë. (Foto: Edith Durham, Shtator 1908). Kortezi nga Robert Elsie.

Trashëgimia Kulturore Është Vet Shteti

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, mungesa e debatit politik për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore injoron çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe shtetësisë.

Ky vend ka halle të tjera, më urgjente, dhe trashëgimia kulturore nuk është prioritet. Me gjithë këtë nivel të varfërisë, mungesës së vendeve të punës, moszbatimit të ligjit, ekonomisë së stagnuar, demokracisë së brishtë, shkeljes së të drejtave të njeriut, kush mërzitet për trashëgiminë kulturore?

NDËRLIDHUR

Ky është perceptimi dominues kur dikush tenton të alarmojë për shkatërrimin e trashëgimisë. Ky është qëndrimi që po e dëmton më së shumti trashëgiminë dhe rrjedhimisht edhe vetë shtetin e Kosovës, në funksionet më vitale të tij sepse trashëgimia kulturore, në fakt, është vetë shteti, dhe masa për të matur cilësinë e tij si pasojë.

Trashëgimia kulturore, më shumë se gjithçka tjetër paraqet mirëqenien shoqërore dhe zhvillim ekonomik, demokraci e të drejta të njeriut, rend dhe ligj e ndërkombëtarizim.

Trashëgimia është sundim i ligjit

Dëmtimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore është vepër penale dhe dënimet që parashihen në Kod Penal mund të shkojnë deri në disa vite burgim. Paralelisht me dëmtimin e monumenteve, një numër skajshmërisht i madh ndërtimesh nuk i kanë respektuar kriteret ligjore. Për më tepër, hapësirat publike janë zaptuar pamëshirshëm nga kushdo që kishte mundësi. Bilanci përfundimtar është i frikshëm. Përkundër qindra monumenteve të shkatërruara, nuk kemi as edhe një vendim fajësues gjykate. Inspektoratet komunale janë totalisht joefikase, ndërsa inspektorati qendror i trashëgimisë as që është themeluar. Me 350 mijë ndërtime pa leje në të gjithë Kosovën dhe dështimin e procesit të legalizimit, askush nuk e ka idenë se si do të zgjidhet ky kaos urban.

Trashëgimia është zhvillim ekonomik

Trashëgimia kulturore është vlerë intrinsike, por edhe i shërben qëllimeve zhvillimore të shteteve. Një nga potencialet e trashëgimisë është dobia që i sjellë ekonomisë përmes turizmit. Në modelet e suksesshme të menaxhimit të trashëgimisë, kompanitë private janë investitorët më të mëdhenj për mbrojtjen e monumenteve. Përfitimet e kompanive private nga menaxhimi i monumenteve përkthehen në vende të reja të punës. Për fat të keq, kompanitë e Kosovës monumentet i shohin si teprica që duhen rrënuar për të krijuar hapësirë biznesi. Në vendin tonë ende mungojnë të dhënat mbi numrin e turistëve, si dhe për ndikimin e industrive kreative në punësim. Ende më keq, institucionet publike shpesh i dekurajojnë edhe ato pak nisma të suksesshme të kulturës që ndihmojnë ekonominë.

Trashëgimia është demokraci

Vendet që janë konkurrente globale me trashëgiminë e tyre kanë sisteme funksionale të menaxhimit të aseteve. Menaxhimi i trashëgimisë kulturore është procedurë demokratike që siguron përfshirjen e të gjithëve në mbrojtjen dhe promovimin e monumenteve. Në të njëjtën kohë, trajtimi shtetëror i trashëgimisë kulturore është debat i vazhdueshëm shoqëror mbi vlerën dhe qasjen ndaj saj, përfshirë edhe qëndrimet kundërshtuese mbi definimin e vlerës. Në Kosovë, proceset dhe procedurat për menaxhimin e trashëgimisë kulturore kanë qenë të bllokuara për shumë vite. Sot, vetëm një numër i vogël i aseteve të trashëgimisë kanë plane të menaxhimit, gjithsesi të pazbatuara. Institucionet publike dhe partitë politike vazhdojnë të mbeten totalisht neglizhente ndaj trashëgimisë kulturore.

Trashëgimia është të drejtat e njeriut

Botëkuptimet e reja mbi trashëgiminë kulturore synojnë mënjanimin e dimensioneve monolitike, duke e sjellë diversitetin kulturor në qendër të diskutimit. Shumë procese të afrimit dhe pajtimit mes popujve zhvillohen nën ombrellën e trashëgimisë kulturore. Dhe kjo për shkak se trashëgimia përfaqëson identitetin e popujve, duke qenë përbërës qendror i kujtesës kolektive. Gjithëpërfshirja në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, përveç që siguron dialog shoqëror, e definon trashëgiminë kulturore si të drejtë dhe nevojë themelore njerëzore. Për fat të keq, edhe në ato pak raste kur flitet për trashëgiminë në Kosovë, diskursi publik është përçarës dhe potencon vijat ndarëse etnike, fetare e kulturore. Shto kësaj edhe shkatërrimin fizik të dëshmive të së kaluarës, përfundojmë në një realitet që ua cenon qytetarëve edhe kujtesën, rrjedhimisht vetë identitetin e tyre. Për ta bërë këtë gjendje edhe më të rëndë, ato monumente të trashëgimisë që mbijetojnë, nuk u ofrojnë as qasje fizike grupeve të caktuara të shoqërisë, si personave me aftësi të kufizuar, të moshuarve, nxënësve të shkollave.

Trashëgimia është afirmim ndërkombëtar i shtetësisë

Shtetësia dhe anëtarësimet ndërkombëtare janë deklarim i gatishmërisë për të ofruar vlerë të shtuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga vlerat e rëndësishme me të cilat shtetet i ballafaqojnë potencialet e tyre konkurruese ndërkombëtarisht është edhe trashëgimia kulturore. Nga UNESCO e Këshilli i Europës, deri tek organizmat tjerë, trashëgimia kulturore promovohet si vlerë e përbashkët e njerëzimit që përkthehet në zhvillim, mirëqenie e paqe.

Ne jemi treguar të pamëshirshëm ndaj potencialit konkurrues të trashëgimisë. Përveç shkatërrimit sistematik të monumenteve, kemi dështuar edhe në synimin për anëtarësim në UNESCO. Dhe një nga argumentet kryesore kundërshtuese për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ka qenë paaftësia e shtetit tonë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Çdo monument i shkatërruar në Kosovë lexohet si edhe një dëshmi e paaftësisë sonë për shtetësi, dhe rrjedhimisht forcon stereotipet ndërkombëtare të shtetit të dështuar.

Disa ditë para zgjedhjeve qendrore në Kosovë, përkundër një fushate me intensitetit të lartë, asnjë pjesëtar i kësaj gare nuk po e përmend trashëgiminë kulturore. Kjo mungesë interesimi nuk mund të lexohet ndryshe pos si mungesë vullneti për të punuar për shtet funksional e zhvillimor. Në zhurmën e linçimeve të ndërsjella mes partive politike, me gjasë edhe kësaj radhe do ta humbim mundësinë për të dëgjuar programe e zgjidhje për trashëgiminë kulturore. Me fjalë të tjera, edhe një mundësi e humbur për të diskutuar për shtetin dhe problemet reale të qytetarëve.

05 Qershor 2017 - 11:55

Hajrulla Çeku 05/06/2017 - 11:55
NDËRVEPRIMI0