Transparencë, Nevojë dhe Frikë për Fondin e Veriut

Ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson, kur foli për Asociacionin e Komunave Serbe, veriun e vendit dhe marrëveshjen e 19 prillit, në emisionin Jeta në Kosovë, të enjten e pesë dhjetorit, tha se pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës ia lejojnë Serbisë marrëdhëniet me komunat kosovare me shumicë serbe në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. 

Ajo nuk kishte njohuri se çfarë statuti do të ketë bashkësia që pritet të themelohet vitin e ardhshëm, por kërkoi transparencë mjetesh. 

“Mendoj se [transparenca] është pikë me rëndësi, sepse e dimë se posaçërisht në veri të Kosovës financimet jotransparente kanë nënkuptuar se shumë fonde të destinuara për arsim dhe shëndetësi kanë shkuar në pasurime individuale.Andaj, nëpërmjet proceseve më transparente, shpresohet se fondet që do të vijnë nga Serbia për arsim e shëndet njëmend do të arrijnë te nevojtarët”, tha para gati tre javësh Jacobson. 

Zyra e BE-së në Prishtinë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se pas takimit të parë të Bordit Menaxhes të Fondit të Mirëbesimit për Veriun, të mbajtur më 12 dhjetor, është hapur një llogari  në Bankën NLB në Prishtinë, për paratë  të  cilat janë  “të destinuara për katër komunat [serbe] [të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit]”. 

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe Zyra për Informim e Ministrisë së Financave. 

“Në përputhje me ligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës,llogaria e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit është hapur në Bankën NLB”, thotë zyrtari për informim i MEF-it, Muharrem Shahini. 

NLB Bank është kontraktuar nga Ministria e Financave për të kryer shërbime bankare. 

Bordi për menaxhimin e fondit do të përbëhet nga ministri i kësaj ministrie Besim Beqaj, përfaqësuesi i BE-së Samuel Zhbogar, derisa Daniela Zubac do të përfaqësojë banorët e veriut. 

Ministri Beqaj, i tha KlanKosovës të hënën se paratë e arkëtuara nga doganat në pikat 1 dhe 31 do të shkojnë në Thesarin e Shtetit, ku do të regjistrohen në Sistemin e Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, nga ku pastaj do të shkojnë te kontoja e NLB-së e hapur nga përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. 

Beqaj tha se paratë e fondit të mirëbesimit, që sipas tij në vit nuk do të kalojnë pesë milionë euro, do të përdoren për zhvillimin e projekteve me karakter publik, si elektrifikimi, asfaltimi i rrugëve dhe gjëra të ngjashme. 

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci tregoi për Gazetën Jeta në Kosovë se brenda katër ditësh, nga e shtuna e 21 dhjetorit, kur nisën të mblidhen taksat në veri, në pikat 1 dhe 31 janë inkasuar 30 mijë euro. 

Po në dhjetor, Komisioni Evropian dha një shumë prej 23,5 milionë eurosh, kryesisht për veriun. 

Krstiq: “Paratë shumë të nevojshme”

Analisti dhe publicisti Branislav Krstiq, që jeton në veri thotë se fondi do t’i ndihmojë serbët për t’u stabilizuar. 

“Për zhvillimin  e komunitetit çdo cent është shumë i nevojshëm. Për stabilizimin e komunitetit serb në veri na ndihmon çdo cent nga Beogradi, nga Prishtina, nga ndërkombëtarët, kushdo që ka tepër”, thotë Krstiq. 

Por ai kërkon me ngulm transparencë për të gjitha mjetet që i dedikohen zhvillimit të veriut, pasi thotë se deri më tash shumica e fondeve jo-qeveritare në veri janë keqpërdorur e kanë shkuar në xhepa privatë. 

Krstiq thotë se edhe ndërkombëtarët nuk shikuan se kujt po i’a japin paratë në veri. 

Sipas tij shumë njerëz paradite kanë punuar me projekte ndërkombëtare e pasdite kanë qenë në barrikada. 

Ai shprehet se ka ardhur koha që politikanët e zgjedhur në veri ta kuptojnë se detyrë e tyre është organizimi i bashkësisë në nivel lokal, e jo politika me Prishtinën e Beogradin. 

 “Puna jote është të rregullosh rrugët, deponitë, të rregullosh një mijë gjëra. Përfundimisht ka ardhur koha për këtë. Mitrovica Veriore nuk ka sallë sportive”, u drejtohet ai të zgjedhurve, derisa kërkon që paratë e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit, t’u jepen banorëve lokalë. 

Sipas tij fondi nuk duhet të kontrollohet nga Aleksandër Vulin, drejtor i Zyrës qeveritare Serbe për Kosovën.

“Fondi duhet t’u jepet banorëve lokalë që ata vetë të vendosin ku dhe si ta shpenzojnë”, thotë Krstiq. 

Frika nga fondi 

Iniciativa Qytetare Serbe (GIS), e mbështetur nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, fitoi në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe, në të cilat mori pjesë gjatë zgjedhjeve. 

Katër komunat veriore për të cilat është i destinuar fondi zhvillimor, do të drejtohen nga kryetarë të këtij subjekti. 

Fondi i mirëbesimit në buxhetin 2014 të Kosovës përcaktohet si  fond i krijuar me “paratë publike të cilat mbahen nga një organizatë buxhetore për dobi të një personi, organi apo ndërmarrjeje që nuk është organizatë buxhetore”. 

Futja e fondit për veriun në buxhetin e vitit 2013, shqetësoi deputetët opozitarë, qëkur u  miratuan ndryshim-plotësimet e buxhetit në korrik. 

Deputeti i LDK-së Naser Osmani, gjatë muajit korrik tha se pika 3 e nenit 9 të buxhetit që përcakton ndarjen e mjeteve financiare për komunat veriore është në kundërshtim me marrëveshjen e parë të parimeve… mes Kosovës e Serbisë të ratifikuar në Kuvend më 27 qershor, edhe pse shtoi se thuhet që ky nen rrjedh nga kjo marrëveshje. 

Osmani tha gjatë verës se një nen i tillë do të implikojë dëme të mëdha në të ardhmen, ndërsa Edhe për këtë gjë Vetëvendosja, këtë buxhet e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

“Të gjitha paratë publike të mbledhura prej mallrave të importuara nga bizneset e regjistruara në Veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq apo Zveçan, të cilat janë të destinuara për konsum në këto komuna, në momentin e hyrjes në Kosovë përmes pikave doganore në Jarinjë (pika 1) ose Bërnjakë (pika 31) duhet të dërgohen në Fondin e Kosovës duke u identifikuar dhe regjistruar veçanërisht në SIMFK dhe të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit që do të krijohet nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë në një Bankë Komerciale”, thuhet në pikën 3 të nenit 9 të buxhetit. 

Një nen i tillë ndodhet edhe në buxhetin për vitin 2014.

SIMFK-ja paraqet Sistemin e Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, ndërsa Shahini nga MEF-i ka shpjegim tjetër për nenin e buxhetit që shqetëson deputetin opozitar Osmani. 

“Vetëm të hyrat nga importi i mallrave të cilat kanë destinim konsumin në këto komuna do të mblidhen në pikat kufitare dhe pasi t’i kalojnë të gjitha procedurat ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, do të alokohen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit”, thotë Shahini. 

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu thotë se fondi paraqet buxhet pralel dhe çrregullon sistemin fiskal të vendit. 

“Fondi është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht e frymës apo karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, thotë Haxhiu, për të shtuar se ai paraqet financat e Asociacionit të Komunave Serbe. 

“Ky fond në fakt është buxhet paralel i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sepse i ka edhe të hyrat e dedikuara edhe shpenzimet e dedikuara dhe këto janë dy funksionet kryesore që e përbëjnë buxhetin”, vazhdon Haxhiu. 

Muharrem Shahini nga MEF-i nuk e lidh fondin me asociacionin. 

“Ky fond nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me asociacionin. Ka të bëjë me zhvillimin socio-ekonomik të popullsisë lokale në këto komuna”, thotë ai. 

Edhe Zyra e BE-së në Prishtinë e thotë të njëjtën gjë. “Ky fond është vetëm për katër komunat [veriore]”, shpjegon kjo zyrë. 

Krstiq: “Shqiptarët besojnë më pak se serbët në pavarësinë e Kosovës”

Analisti serb Krstiq, edhe pse e pranon që shumica e serbëve kosovarë jetojnë me trup në Kosovë e kokë në Serbi, thotë se të gjitha elementet, kufijtë, doganat, marrëveshjet, tregojnë se ligjet serbe nuk do të kalojnë në Kosovë. 

“Serbët do të jetojnë si në veri, si kudo në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës. Serbët me vetë pjesëmarrjen në zgjedhjet kosovare, hoqën dorë nga shteti serb dhe vendosën të jenë qytetarë të Kosovës”. 

Por kësaj nuk i beson Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes. 

“Qeveria e Kosovës tashmë e ka ndarë buxhetin në dysh, e ka ndarë rrjetin energjetik ne dysh, e ka ndarë sistemin telekomunikues në dysh, e tash po flasin me Serbinë edhe për ndarjen e Trepçës, e të liqenit të Ujmanit”. 

Këtyre pretendimeve, Krstiq u përgjigjet me fjalët. 

 “Problem shumë i madh i shqiptarëve nga viti 2008 është se ata shumë më pak besojnë në pavarësinë e tyre, sesa vetë serbët. Nacionalisët e kanë sindromin e përhershëm të frikës nga serbët dhe Serbia. O bac u kry, u kry”, thotë ai, duke treguar edhe një herë se procesi do të pëfundojë me integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. 

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit nuk është përpjekja e parë qeveritare kosovare për ta integruar veriun, nëpërmjet ofertave ekonomike. Ekzekutivi i vendit në vitin 2010 ofroi pesë millionë euro për projekte të përmirësimit të jetës në veri, ndërsa vitin e kaluar dha 500 mijë euro për këtë qëllim.