Transakcionet e Ramadan Mujës me Tokë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.

Të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, janë Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi. 

Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare kap vlerën prej rreth 200 mijë eurosh.

Për këtë ata rrezikojnë të kalojnë deri pesë vjet në burg.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar përmbajtjen e disa pikave të aktakuzës kundër Mujës dhe të tjerëve, të lëshuar të mërkurën më 27 shkurt 2013.

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619 që kanë sipërfaqe prej 0.20.65 dhe 0.06.22 hektarësh. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro. 

Qëndrimi ynë është që ne të japim prononcime, për faktin se ka të bëjë me çështje specifike juridike. Ymer Berisha

Për tri vjet rresht, nga 1 korrik 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar Kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi, që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”. 

Në anën tjetër, Ukimeri ishte përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi dhe ai qëllimisht ka dështuar që të ndërmerrte veprime me të cilat komuna do të bëhej pronare e parcelave në fjalë, thuhet në aktakuzë.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqin (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

 

 
Ramadan Muja | Foto: kryeministri-ks.net  

 

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntor 2010 dhe 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i administratës dhe Avni Ademaj ushtrues detyre i drejtorit për gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë, në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 euro.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010 kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtin ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepet kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

“Muja ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale

Pika tjetër e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetor 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i drejtorisë për urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë në vlerë prej 40 mijë euro në formën e shfrtytëzimit pa pagesë pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore. 

Lidhur me akuzat e ngritura ndaj Mujës, këshilltari profesional i tij Ymer Berisha ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë: “Qëndrimi ynë është që ne të japim prononcime, për faktin se ka të bëjë me çështje specifike juridike dhe për të gjitha këto, pas pranimit të akteve akuzuese, mund të kontaktoni me avokatët”.

Gazeta nuk ka mundur të kontaktojë me zyrtarët tjerë komunalë të përmendur në aktakuzën e EULEX-it.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit dhe ngarkon Mujën me katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtarë.

Minir Krasniqi akuzohet për dy pika të aktakuzës ndërsa të tjerët akuzohen për nga një pikë të aktakuzës.

Sipas komunikatës së lëshuar nga EULEX lidhur me ngritjen e aktakuzës “rasti përfshin pretendime për shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takon Komunës së Prizrenit dhe vepra të tjera që kanë rezultuar me shkeljen e rëndë të drejtave të një numri të paditësve në konteste civile”.