Tomislav Nikoliqi Shpall Fitoren

(E plotësuar)

Nikoliq i falenderoi serbët që i dhanë atij votën. 

“Ka një vullnet prej Zotit. Serbia do të mbajë rrugën drejt BE-së por edhe do të mbrojë Kosovën. Serbia është shtet modern, unë do të bashkëpunoj me secilin dhe askush nuk duhet të hidhërohet pse kam fituar”, deklaroi lideri i partisë progresive. 

Gjithsej 6,770,013 votues kishin të drejtë vote në rreth 8,390 vendvotime për të përcaktuar se kush do të jetë Presidenti i Serbisë për pesë vitet e ardhshme, ndonëse anketat e opinionit kanë paralajmëruar fitoren e Tadiqit. 

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se 90 qendrat e votimit në vend kishin qenë të hapura që në orën 7:00 të mëngjesit dhe ishin mbyllur me kohë, të dielën, për votuesit serbë nga Kosova.

Sipas Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CeSID, 23.3 për qind të votuesve kanë votuar në Serbi deri në ora 14:00. 

Gara zhvillohej mes kryetarit të Partisë Demokratike Boris Tadiq dhe të Partisë Progresive Tomislav Nikoliq. Tadiq ka fituar në dy përballje të mëhershme kundër kundërshtarit të njëjtë.  

Pasi hodhi votën e tij, Tadiq tha se serbët po përcaktoheshin për të ardhmen e këtij shteti gjatë pesë viteve në vijim. 

“Asnjë lojë nuk mbaron deri kur ta thotë këtë gjyqtari, prandaj është me rëndësi që qytetarët të dalin në votime dhe të konfirmojnë karakterin demokratik dhe kapacitetin e shoqërisë”, tha ai. 

Nga ana e tij, Tomislav Nikoliqi tha se ai priste fitoren dhe se shpreson që zgjedhjet do të jenë fer. Ai shtoi se partia e tij do të monitorojë të gjitha vendvotimet. 

“Nuk do të lejojmë vjedhje. Serbia nuk e meriton një president që do të zgjedhet me vjedhje”, Nikoliq u tha gazetarëve në Beograd. 

Lideri liberal serb Cedomir Jovanovic përkrahu Tadiqin. “Votova për të dhe pres që ai të fitojë. Jam i gatshëm të bashkëpunojë edhe me Nikoliqin edhe nëse nuk fiton ngase përfaqëson shumë votues”, shtoi ai. 

Ndërkohë, lideri i socialistëve Ivica Daqiq tha se pret që bisedimet për qeverinë e re të nisnin të hënën ashtu që Parlamenti, i dalë nga zgjedhjet e 5 majit, të mund të nisë punën së shpejti.

Votimet për President të Serbisë në Graçanicë | Foto: Fatmir Aliu