Tolaj Hetohet për 7 Vepra

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj,  po hetohet për shtatë vepra të rënda penale. Ai për më se një vit është hetuar për shmangie të tatimit, për çka ka qenë edhe i arrestuar, por është liruar me kaucion prej 50 mijë eurosh. Ndërsa tani hetuesia ka zgjeruar hetimet ndaj tij.

Bazuar në një dokument zyrtar të Policisë së Kosovës, dërguar një personi që ftohet për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, të cilën e posedon “Koha Ditore”, Tolaj tashmë është i dyshuar edhe për gjashtë vepra të reja penale.

Në këtë dokument shkruan se po bëhen hetime “rreth çështjes penale, procedurës paraprake hetimore kundër të dyshuarit Ilir Tolaj dhe të tjerëve, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale: shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit, shmangia nga tatimi dhe pastrimi i parave, lidhja e kontratave të dëmshme, keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi, ushtrimi i ndikimit, si dhe nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, të Kodit Penal të Kosovës”.

Tolaj nuk është i vetmi person që po hetohet lidhur me këto raste, por emrat e tjerë nuk figurojnë në letër dhe ato nuk ka pranuar t’i bëjë publike as policia dhe as Prokuroria e EULEX-it.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka konfirmuar për gazetën se “Tolaj po hetohet nën kontekst të evazionit fiskal”, akuzë e cila është bërë publike që para një viti.