Pamje nga gjykimi i të akuzuarve për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve - Foto: KALLXO.com

Tmerret e Biznesmenit nga Grupi i Ruzhdi Shaqirit

Tregimi i tij nis me kërkesat për ta liruar objektin me investime prej një milion euro e deri tek rrëfimi se grupi i dëshmoi familjes së tij që as Policia s’ka çfarë t’u bëjë.

Në dëshminë e tij të gjatë Tërnava rrëfen se si tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri së bashku me grupin e tij i kishin uzurpuar objektet e tija në vlerë prej 1 milion e 30 mijë euro.

Tërnava ka rrëfyer për momentet e para të kontaktit me grupin.

“Deri sa kam qenë duke punuar në zyrat në objektet tona këta të akuzuar (Arben Bashota, Osman dhe Sylejman Bajrami) së bashku me Ruzhdi Shaqirin, të gjithë të armatosur, kanë hyrë në objektet tona duke kërkuar që sa më shpejtë të lirohen objektet dhe në mënyrë shumë agresive që të lirohen në afat sa më të shpejt edhe pse ne kishim një kontratë me pronarin legjitim të asaj toke”, tha Tërnava.

Sipas dëshmitarit, të njëjtit aludonin përmes dokumentit të falsifikuar se këta janë uzurpatorë të objekteve.

Dëshmitari rrëfeu se pas këtij rasti, të njëjtit (të akuzuarit së bashku me Ruzhdi Shaqirin), kanë vazhduar me kërcënime të padurueshme direkte e indirekte.

“Kemi gjetur një ndërmjetësues i cili e ka njohur grupin dhe kemi lënë takim. Ata kategorikisht nuk kanë pranuar duke thënë se ose duhet me dalë menjëherë ose me iu pagu 17.000 euro qira për muaj. Po ashtu kanë përcjellë edhe shumë mesazhe kërcënuese përmes ndërmjetësuese duke e parë që ne kemi dashur ta zgjidhim në mënyrë paqësore e institucionale e jo sipas mënyrës së tyre”, vazhdoi Tërnava.

Pas këtij takimi, takimi tjetër i radhës ishte mbajtur në një restorant të Prishtinës.

Edhe ky takim ishte shoqëruar me presion e kërcënime, ku të njëjtit kishin insistuar përsëri që tani të dëmtuarit të largoheshin nga objektet e tyre.

“Këta prezantojshin një dokument që besoj se tani më është konstatuar se është i falsifikuar dhe në bazë të atij dokumenti nuk dëshirojshin me folë për investimet tona, por kërkesë ekskluzive kishin që ne t’i lirojmë objektet, ose në të kundërtën thonin se do të na merrnin edhe shtëpinë”, rrëfeu Tërnava.

Tërnava dëshmoi se ishte obliguar të paguante qira te grupi ndërsa disa objekte të tij ishin lëshuar me qira ndërsa paratë i merrte grupi.

Kjo situatë sipas dëshmitarit kishte zgjatur deri në mars të vitit 2014 deri sa u detyruan që përfundimisht të largoheshin me dhunë nga objektet e tyre.

Tërnava: Më mbajtën peng

Në dëshminë e tij Tërnava përmendi edhe tentativat e grupit për ta obliguar babanë e tij të heqë dorë nga denoncimet në Polici duke e mbajtur peng atë.

“Kërkesa e tyre ka qenë që babai të shkojë ta tërhekë një denoncim që e kishte bërë në stacion të policisë edhe pse ai nuk e kishte bërë”, rrëfeu dëshmitari. Ai tregoi se grupi nuk ishte bindur për tërheqjen e denoncimit.

“Me një rast e kanë marrë babain me dhunë dhe kanë shku në stacion të policisë tek polici për të cilin kanë dyshuar që ka dhënë babai deklaratë ku edhe janë siguru që babai nuk ka dhënë deklaratë. Derisa e kanë dërgu babain në stacion të policisë për ta vërtetuar se a ka denoncuar apo jo, unë jam mbajtur peng nga Sylejman Bajrami e 4 persona të tjerë”, tha Tërnava.

Kërcënime të tjera sipas dëshmitarit kishin ardhur gjatë kohës kur babai ishte në polici. Në mesin e kërcënimeve ishte edhe fjalia e famshme e Ruzhdi Shaqirit se ai i ka  njerëzit e tij në Polici.

“Nëse ka deklaru dhe nuk e tërhek denoncimin, atëherë kena me t’shti në gepek e as familja nuk ka me ta gjetë kufomën. Po edhe nëse tentoni me denoncu ne i kemi njerëzit nëpër të gjitha instancat shtetërore dhe ne e marrim vesh”, citoi dëshmitari fjalët e Ruzhdi Shaqirit.

Në shkurt të vitit 2014, ishin kontaktuar përsëri nga të njëjtit njerëz për një takim të radhës.

Në atë takim, i dëmtuari tha se prezent ka qenë i gjithë grupi ku edhe ishin urdhëruar që duhet të lëshojnë vendin ku janë duke e zhvilluar veprimtarinë.

Ai tha se të akuzuarit së bashku me Ruzhdi Shaqirin vazhdimisht kanë qenë të armatosur duke i ekspozuar armët dhe duke thënë ‘boll u bo mo, veç duhet m’i mbledh ato senet ça i keni aty’.

Pas këtyre fjalëve, babai i Tërnavës kishte insistuar që të njëjtit t’ua paguajnë investimet, por ata i ishin drejtuar me fjalët: “Na edhe pronën e kena pa pare e po t’i pagujna ty investimet, veç mbledhi senet edhe ec prej atyhit”.

Mbas pak kohe nga ky takim, Kujtim Tërnava tregoi se e kishin ftuar në një takim tjetër, pa babanë e tij.

“As me dylbi s’keni me guxu me këqyrë pronën”

Me të takuar, ai tha se të akuzuarit i kishin thënë se arsyeja e mosftesës së babait të tij është se në momentin që do e takojnë edhe do ta vrasin.

“Keni m’i liru objektet dhe më nuk keni afat dhe ja nisni prej sot me i bartë atë material”, ishin fjalët e të akuzuarve kundrejt tij.

Takimi u shoqërua edhe me mesazh nga ana e të akuzuarit Osman Bajrami, i cili i kishte thënë: “As me dylbi nuk keni me guxu me këqyrë pronën”.

Këto fjalë i dëmtuari ia kishte përcjellë babait të tij, me ç‘ rast edhe kishin filluar ta tërhiqnin mallin nga objektet e tyre.

Më tej, dëshmitari tha se të njëjtit kanë vazhduar të marrin qiranë deri në vitin kur janë arrestuar, por edhe pasi që janë arrestuar familjarët e tyre e kanë kërkuar qiranë.

E objektet të cilat kohëve të fundit i janë kthyer të dëmtuarve në shfrytëzim, Tërnava tha se janë tërësisht të shkatërruara dhe po ashtu mallin të cilin kishin qenë të detyruar ta largonin e ta vendosnin nëpër ara, është shkatërruar gjysma e tyre për shkak të kushteve ku kishin qëndruar.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar babai i Kujtim Tërnavës, Murati.

http://kallxo.com/deshmitari-kercenuan-se-te-ma-vrasin-djalin/

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.