Thesari: Mbi 64 Mijë Euro Për Shërimin e Bajrush Xhemajlit

Pak më shumë se gjashtë muaj që nga aksidenti i 21 majit 2009 me pasojë vdekjen e të riut Labinot Rrustemi, ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli — i cili po ashtu kishte qëndruar shtatë ditë në gjendje kome — kishte përfituar një ndihmë prej 64 mijë eurosh për shërim në Austri.

Përmes një vendimi të nxjerrë më 1 dhjetor 2009 nga Qeveria e të nënshkruar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ishte vendosur të mbuloheshin shpenzimet e shërimit të Xhemajlit në spitalin “Austrian Air Ambulance”.  

Mjetet janë siguruar nga fondi rezervë i Kosovës i cili përdoret për rastet urgjente. 

Xhemajli ka shërbyer si kryetar i Komunës së Ferizajt dhe vjen nga partia e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës në pushtet në kryesinë e së cilës është rizgjedhur në konventën zgjedhore të PDK-së në muajin janar.

Thesari i Shtetit, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, i ka konfirmuar Gazetës Jeta në Kosovë se kanë paguar rreth 65 mijë euro për shërimin e Xhemajlit me urdhër të Thaçit.

“Pagesa në shumën prej 64 mijë e 578 euro e 82 centësh për shërimin e z. Bajrush Xhemajli i është paguar spitalit ‘Austrian Air Ambulance’”, i tha gazetës menaxheri i raportimeve në Thesar,  Xhevat Hasolli. 

Thesari nuk ka treguar datën e pagesës. Spitali “Austrian Air Ambulance” nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e gazetës nëse ka pranuar ndonjë pagesë nga Qeveria e Kosovës.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Xhemajlin lidhur me këtë pagesë, mirëpo ai nuk i është përgjigjur telefonatave dhe nuk ka kthyer përgjigje as përmes postës elektronike.


Bajrush Xhemajli

Javën e kaluar gazeta ka raportuar se Qeveria e Kosovës kishte ndarë mjete financiare për shërimin e Xhemajlit, por ky i fundit kishte mohuar pranimin e tyre.  

“Unë, personalisht, për shërimin tim, nuk kam pranuar, asnjëherë dhe asnjë shumë parash”, pati thënë  Xhemajli.

Në anën tjetër, Qeveria nuk ka ndarë mjete financiare për familjen e 21 vjeçarit nga Lipjani Labinot Rruestimit i cili humbi jetën në aksidentin e shkaktuar nga Xhemajli dhe të lënduarit tjerë në aksident.

Bajrush Xhemajli më 26 nëntor 2010 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishte shpallur fajtor për shkaktim të aksidentit, duke u dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim. 

Ai për mëse dy vjet sfidoi me mjete ligjore dënimin me burg dhe tash së voni fitoi të drejtën e rigjykimit.

Sipas një raporti mjekësor, që i ishte bashkangjitur parashtresës për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg gjatë 2012-tës, thuhej po ashtu se Bajrush Xhemajli vuan nga një sëmundje që shkakton infarkt në mushkëri dhe që mund t’ia rrezikojë jetën.  

Raporti ishte lëshuar nga mjeku Ilir Peposhi, nga spitali universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.  Në raport thuhej se pacienti ka “diagnozë tromboemboli pulmonare dhe se gjendja e tij mbetet e njëjtë”. Kjo sëmundje manifestohet kur nga bllokimi i një ene, mushkëria nuk furnizohet me gjak.