Thaçi Raporton “Vullnetarisht” për Takimin me Daçiqin

Kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur domosdoshmërinë e dialogimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se vizita, një ditë më herët, e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, dhe e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, është mbështetja më e madhe për këtë proces.

Kryeministri, gjatë fjalimit, tha se nuk vuan nga nostalgjia për të takuar udhëheqësit e ndonjë shteti që ka shkaktuar gjenocid dhe se “kujtesa e jonë për njerëzit e vrarë dhe të zhdukur nuk do te humbet”.

Por, ai theksoi se “e kaluara e hidhur nuk duhet ta mbajë peng të ardhmen”. Që kjo të ndodhë, shtoi ai, Kosova patjetër duhet të ketë raporte të mira fqinjësore, duke përfshirë edhe me Serbinë.

“Si kryeministër nuk do të udhëheqja një proces të tillë po qe se nuk do të përmbusheshin disa kushte”, tha Thaçi, duke iu përgjigjur kërkesës së opozitës, veçanërisht të Lëvizjes Vetëvendosje  për t’i vënë kushte Serbisë para se të mbahen këto bisedime.

Thaçi, takimin e tij të parë në Bruksel me homologun e tij serb, Daçiq, e quajti si hapje të rrugës së mëtejshme të dialogut për të diskutuar çështjet, siç janë: zbatimi në praktikë i gjitha marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbardhja e fatit të të pagjeturve, zhbërja e strukturave paralele, mospengimi për anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare, trashëgimia kulturore, arritja e marrëveshjes në fushën e telekomunikacionit dhe hapja e zyrave ndërlidhëse në Beograd dhe Prishtinë.

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nëse ky takim është në të mirën e vendit, pse është mbajtur i fshehtë deri në momentin e fundit.

Ardian Gjini nga radhët e AAK-se tha se këto bisedime duhet të bëhen në koordinim të plotë ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë dhe se nuk kanë asnjë të keqe nëse në to nuk diskutohet tërësia territoriale e Kosovës.