Thaçi: Parada e Fundit e FSK-së Me këtë Emër

Të dalë për të parë parakalimin e FSK-së, policisë dhe pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues, në gjashtëvjetorin e shtetësisë së Kosovës të hënën, qytetarë të vendit janë të brengosur për ekonominë e pazhvilluar kosovare.

“Kemi dalë për të festuar gjashtëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por jemi shumë të pakënaqur me punën e institucionevë të vendit, sa i përket rritjes ekonomike”, thotë qytetari Bashkim Bejtullahu nga Gjilani, i ardhur në Prishtinë për festën e 17 shkurtit.

Ai shton se prej shpalljes së pavarësisë,  Kosova ende nuk ka ndryshuar asgjë.

Edhe Qendresa Kastrati qytetare e Prishtinës, edhe pse thotë të jetë e kënaqur për përvjetorin e pavarësisë, deklaron se sheti nuk ka bërë shumë për qytetarët.

“Ai që ka dije dhe vlera njerëzore intelektuale asnjëherë nuk gjen punë, ndërsa të tjerët më me pak vlera gjejnë punë”, vijon ajo.

Por Azem Gashi nga fshati Mramor i Prishtinës është i kënaqur me punën që e kanë bërë institucionet e Kosovës.

I veshur me ngjyrat e flamurit kuq e zi dhe shqiponjën dykrerëshe në një bluzë, Gashi thotë se ka ardhur për ta festuar këtë “ditë të shenjtë, ditë të madhe, e cila u arrit me gjakun e shumë ushtarëve dhe të komandantëve të UÇK-së.

Si për t’u lidhur me fjalët e Gashit, edhe njëri nga simbolet e pavarësisë së Kosovës-obelisku Newborn, sivjet u ngjyros me nuanca të gjelbërta të rrobave ushtarake, si falënderim për UÇK-në dhe ushtritë tjera të shteteve të NATO-s që sollën lirinë e Kosovës.

Newborn | Foto: Facebook

Kosova në qershor feston 15 vjetorin e çlirimit dhe fundin e luftës.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, kur iu drejtua trupave të FSK-së në sheshin “Zahir Pajaziti “të kryeqytetit, paralajmëroi transformimin e kësaj force.

“Të nderuar oficerë të FSK-së, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, kjo është parada e fundit e nderimit të ditës së pavarësisë, ku ne e shohim parakalimin e forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm “, tha kryeministri Thaçi.

Ai shtoi se nuk do të shkojë shumë kohë e nga FSK-ja do të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen, ashtu që të jenë të gatshme dhe të afta të mbrojnë sovranitetin dhe integritetion territotrial të Republikës së  Kosovës”, vijoi Thaçi.

Edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson, duke folur në gjuhën shqipe, lavdëroi FSK-në për mbërritjen e kapaciteteve të plota.

Komandanti i NATO-s Anders Fogh Rasmussen në korrikun e vitit të kaluar deklaroi se FSK-ja ka mbërritur kapacitetet e plota operacionale.

“FSK-ja ka ndërmarrë përpjekje mbresëlënëse për rekrutimin e serbëve të Kosovës”, tha Jacobson.

Para të pranishmëve në sheshin “Zahir Pajaziti”, foli edhe presidentja Atifete Jahjaga.

“Sot dua në veçanti të shpreh mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Këtyre dy instiucioneve më të besueshme për qytetarët e Kosovës që dëshmojnë se sa i palëkundshëm është sovraniteti ynë, po aq sa edhe vizioni i ynë për integrimin në NATO”, tha Jahjaga.

Ajo, sikurse edhe ambasadorja Jacobson dhe kryeministri Thaçi, ua uruan kosovarëve gjashtëvjetorin e pavarësisë.