ARKIV - Zgjedhjet 2017 | Foto: Atdhe Mulla

Tetë Shenjat e Shpresës nga Zgjedhjet e 11 Qershorit

Në javët e ardhshme mund të ketë shumë lojëra numrash dhe deputetësh përderisa koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, i drejtuar nga Ramush Haradinaj, po orvatet që ta formojë qeverinë.

Koalicioni që ai e drejton, PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA fitoi vetëm 39 nga 120 vendet në Kuvend ndërsa i duhen së paku 61 vota për ta bërë qeverinë.

Para se të mbingarkohemi me ngatërresat e formimit të qeverisë në Kosovë ia vlen t’i theksojmë ngritjet dhe rëniet kryesore të këtyre zgjedhjeve, pasi që këto me gjasë do të jehojnë edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

  1. KULTI I LIDERIT PO BIE

Ka ekzistuar një ndjenjë se kulti i lidershipit që ka qenë karakteristikë për Kosovën ka filluar të ndryshojë që nga koha kur Kadri Veseli e Isa Mustafa, krerët e dy partive më të mëdha, PDK-së e LDK-së, vendosën që të mos kandidojnë për kryeministër gjatë muajit maj.

Kjo ishte diçka e padëgjuar në Kosovë, ku asnjë nga liderët nuk i shmangej rastit për ta drejtuar qeverinë para se të vinin rezultatet e zgjedhjeve- përveç nëse atij i ofrohej posti i Presidentit. Përfundimisht, edhe krerët e partive po marrin parasysh diçka më shumë se ambiciet e tyre personale. Modestia dikur nuk konsiderohej virtyt në politikën e Kosovës. Përfundimisht, kjo ditë ka ardhur.

  1. NUK ËSHTË MË VETËM “BOTË BURRASH”

Rezultati më së paku i pritshëm në zgjedhje ishte kur një grua, Vjosa Osmani, e cila ishte e radhitur në numrin 81 në listën e partisë së saj, LDK-së, mori 64,131 vota duke u radhitur e dyta më e votuara në këtë listë.

I tërë koalicioni i drejtuar nga LDK mori 185,884 vota. Me fjalë tjera, një të tretën e votave të cilat i fitoi i tërë subjekti politik. Si mund të shpjegohet kjo në një shoqëri patriarkale, ku kuota prej 30 për qind për gratë u desh të garantohet me ligj për të siguruar përfaqësim gjinor?

Ky rezultat tregon se tani votuesit do ta shpërblejnë atë që qëndron vërtetë në atë që premton. Në zgjedhjet e fundit, Osmani tha se dëshironte të kandidonte në mënyrë që ta ndryshojë qeverinë e PDK-së dhe se nuk do ta mbështeste asnjëherë ose të bashkëqeveriste me “PDK-në e korruptuar”. Kur LDK atëbotë lidhi koalicion me PDK-në, ajo refuzoi ta votojë atë qeveri, refuzoi ta votojë Hashim Thaçin për President të Kosovës dhe ishte kritikuese aktive gjatë tërë mandatit të saj si deputete, madje duke kritikuar edhe punën e ministrave të LDK-së. Në mënyrë evidente, edhe votuesit konservativë të LDK-së, një gjeneratë më e moshuar e votuesve, e kanë shpërblyer atë për angazhimin, pavarësisht gjinisë.

  1. RËNIA E PDK-së DHE RRITJA E VV-së

Pa dyshim, ndryshimi i tretë i madh në këto zgjedhje ishte rezultati i dobët për PDK-në, e cila kishte dalë si partia më e votuar në çdo palë zgjedhje në 10 vitet e fundit.

Zgjedhjet e vitit 2017 do të mbahen mend si viti kur PDK doli e treta. [Po e vendos të tretën për shkak të rënies spektakolare të tyre në vota. Në terma striktë matematikorë ajo doli e dyta, duke marrë numër të njëjtë të deputetëve me LDK-në]. Në vitin 2014, PDK fitoi 36 ulëse dhe në vitin 2017 vetëm 23. LDK, nga ana tjetër, në vitin 2014 fitoi 33 ulëse ndërsa tani ka 23, pra 10 më pak. Ndërsa Vetëvendosje e cila kaloi pak kohë gjatë dy viteve të fundit duke e ndërtuar fuqinë e vet në teren, duke qenë e zënë në kundërshtim të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, fitoi 32 ulëse, duke e dyfishuar praninë e vet në Kuvend nga 16 ulëse që kishte mandatin e kaluar.

Cilat janë mësimet e nxjerra nga kjo?

  1. KLIENTELIZMI NË KOSOVË PO DOBËSOHET

Zgjedhjet e kaluara të përgjithshme në Kosovë treguan se votuesit e Kosovës ishin kryesisht “klientë” të partive politike duke votuar cilëndo parti që punësonte më shumë njerëz ose i ngriste pagat në sektorin publik dhe pensionet. Nëse PDK i mbushi institucionet me njerëz të afërt me partinë, ata zyrtarë- dhe e tërë familja e tyre, votuan për PDK-në. Kur PDK nuk mundi të punësojë më shumë njerëz në institucione të shtetit, ajo provoi t’i ngrisë pagat e arsimtarëve dhe policëve si dhe zvogëloi pagesat për studentët. Kjo i kreu punë në vitin 2004. Tani kur nuk kanë mbetur më vende të reja të punës për të dhënë, dhe kur pagat në sektorin publik janë dyfish më të larta se ato në sektorin privat, gjë që është ekonomikisht e paqëndrueshme, njerëzit duket se po votojnë me argumente më të çiltra, siç është: “Cila prej partive duket më pak e korruptuar?”

Ky është argumenti kryesor që i bëri njerëzit të votojnë për Vetëvendosjen, e cila është dëshmuar shumë më pak e korruptuar se elitat që e drejtuan Kosovën në dekadën e kaluar. Votuesi i dikurshëm i PDK-së dhe LDK-së të cilit i ka ardhur te hunda mosefikasiteti, përtacia dhe korrupsioni i këtyre dy partive tani duan t’ia japin një rast një partie të re dhe më pak të parashikueshme, Vetëvendosjes.

Në vitin 2017, votuesi i Kosovës u bë me takt, aventurist dhe mori përsipër rrezikun. Deri së fundmi, votuesi mesatar ishte konservativ, tradicional nuk donte që “të rrezikonte” dhe në mënyrë specifike nuk donte të votonte për një parti e cila nuk ishte kukull e komunitetit ndërkombëtar. Që nga tani, votuesit nuk do të udhëhiqen më nga konsiderata të tilla.

Kjo është një shenjë edhe për komunitetin ndërkombëtar që ta ndryshojë zërin e vet dhe të mos e shikojë më Kosovën vetëm përmes thjerrëzës së “stabilitetit”.

  1. PDK NUK ËSHTË E FRIKSHME ASHTU SIÇ ISHTE

PDK meriton pak mirënjohje që nuk veproi si parti frikësuese që ishte dikur. Ata ia ndërtuan vetes këtë imazh duke folur si bosë të mafias me njëri- tjetrin në telefon; opinioni e ka dëgjuar shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin, duke iu përgjigjur telefonatave nga shefat e tij në parti me fjalën “Pronto”, sikur karakteri i filmit “The Godfather” (Kumbara). Në vitin 2017, PDK, edhe pse ende arrogante, nuk ishte kërcënuese. Me standardet rajonale, kjo është një e arritur.

Ajo që e pamë në veri të Kosovës, megjithatë, është se shërbyesit civilë të cilët nuk donin të votonin për Listën Serbe- subjekt mirënjohës ndaj Beogradit- rrezikuan t’i humbin vendet e punës si arsimtarë, mjekë dhe shërbyes civilë. Nganjëherë ata edhe ishin shtyrë të votojnë për Listën Serbe më shumë se një herë, siç kanë vërejtur vëzhguesit e zgjedhjeve.

Në anën tjetër, armata e shërbyesve civilë të punësuar në institucionet e Kosovës në pik-un e pushtetit të PDK-së nuk ka treguar shenja nënshtrimi ndaj këtij presioni. Shërbyesit civilë të punësuar nga strukturat e PDK-së me të cilët jam takuar duket se kanë harruar kush u ka gjetur punë. Mund të supozojmë se ata nuk kanë marrë telefonata për t’ua “rikujtuar” atyre këtë, ose për t’i kërcënuar me vende të punës nëse ata nuk votojnë “në mënyrë të duhur” në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në këtë atmosferë më të hapur, ishte e pranueshme që të votohet për këdo, qoftë edhe për Vetëvendosjen.

Kjo nuk duhet të jetë sugjerim për PDK-në që të fillojë t’i kërcënojë njerëzit që e kanë mbështetur atë në të kaluarën. Përkundrazi, nëse ata duan rezultat më të mirë në tetor, si PDk ashtu edhe LDK duhet të nxjerrin njerëz të pakorruptuar dhe më shumë gra në radhët e tyre si kandidatë për kryetarë të komunave.

  1. VOTUESIT NUK E ZGJEDHIN ARROGANCËN

Sugjerim për PDK-në është që të reflektojë mbi arrogancën me të cilën ata zgjodhën të sabotojnë debatin politik gjatë këtyre zgjedhjeve, duke kërkuar nga moderatorët si unë tri herë më shumë minutazhë në transmetim sesa partitë e tjera për të paraqitur programin e tyre – bazuar në argumentin se ata po konkurronin në këto zgjedhje si një koalicion i tre partive, jo si një parti e vetme.

Kërkesa ishte jo ligjore pasi këtë e tha edhe misioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Europian dhe Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë.

Kur i pyeta deputetët e PDK-së dhe këshilltarët për këtë, mora këto përgjigje: ”Ne po jetojmë në botën e mediave sociale, ne nuk kemi nevojë për një media që të na tregojë se sa gjatë duhet të flasim, ne kemi kanalet tona për të komunikuar”.

“Pse duhet të vijmë në të njëjtin debat me VV dhe të poshtërohemi nga akuzat e tyre?”

“Pse duhet të vijmë në formatin tuaj televiziv kur ju silleni si një gjykatëse me orën që cingëron duke na treguar neve se sa kohë na ka mbetur sikur kjo të ishte kohë e lojërave sportive?”

Në fund një këshilltar me një perspektive ndërkombëtare më tha: “Edhe Trumpi nuk shkon në media kryesore, në këto ditë është Twitter, ai nuk ka nevojë për mediat kryesore.“

Ai nuk reagoi kur ia kujtova se Donald Trump ka marrë pjesë në më së paku tri debate presidenciale me Hillary Clinton në media kryesore gjatë fushatës.

Por PDK qëndroi besnike në bojkotin e saj politik në debate pa i interesuar se si do të ndikojë kjo në praktikën demokratike që kishte filluar të lëshojë rrënjë në kulturën e debatit në Kosovë, një debat ku të gjitha partitë politike mund të paraqitnin veten e tyre me një kohë të njëjtë të paraqitjes.

Ndoshta fluska tashmë ka shpërthyer, ajo në të cilin besonte PDK se votuesit nuk i intereson për debatet televizive ose për argumentet dhe se mjafton një shtrëngim duarsh në kontaktin person me person.

Mësimi për t’u nxjerrë për zgjedhjet e ardhshme është që çdokush e pëlqen një debat të mirë televiziv dhe njerëzve u pëlqen t’i shohin “lojtarët” e tyre duke luajtur në fushë. Refuzimi për të marrë pjesë në një “lojë të ndershme” nuk do të shpërblehet më.

  1. NDRYSHIMI I “MELODISË” NGA AMBASADA AMERIKANE

Rol të rëndësishëm në këto zgjedhje kishte edhe komuniteti ndërkombëtar – me më së shumti ndikim ishte Ambasada Amerikane – që i ka shtyrë shumë parti të formojnë koalicione herën e kaluar por edhe më parë. Kjo Ambasadë ka refuzuar ta takojë Vetëvendosjen për disa vjet por tani treguan një ndryshim.

Greg Delawie, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takoi të dyja palët edhe Kadri Veselin e PDK-së edhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes pasi u bënë publike rezultatet e zgjedhjeve të qershorit.

Ambasadori paraprak ka kaluar shumë kohë duke argumentuar pse ata “në parim” nuk do ta takojnë kryesisht për shkak që ata nuk ishin gjithmonë opozitë paqësore në dialog me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ishte e qartë se mungesa e mbështetjes ndërkombëtare nuk e ka ndaluar Vetëvendosjen që të dyfishojë ulëset e saj në Kuvend pa marrë parasysh sa shumë ata nuk pajtohet ne Vetëvendosjen. Është e qartë se Ambasada e ndan skepticizmin e shumë njerëzve në Kosovë.

Ata e kanë votuar Vetëvendosjen por gjithashtu nuk pajtohen me shumë nga politikat e tyre- megjithatë, meqë janë më pak të korruptuar- duan të shohin si po e bëjnë punën e në qeverisje.

  1. SHOQËRIA CIVILE E KA NDRYSHUAR ROLIN E VET

Demokracia në Veprim, konsorciumi i nëntë organizatave joqeveritare në Kosovë në vitin 2010 patën thënë se roli i organizatave të shoqërisë civile është vetëm që të mbikëqyrin, jo t’i sfidojnë hajdutët, duke paraqitur një ankesë legale kur të shohin që diçka po vidhet në sy të tyre.

Ky qëndrim dembel ka ndryshuar komplet në vitin 2017. Konsorciumi i organizatave të lartpërmendura por me më shumë njerëz të aftë parashtroi 73 ankesa që ishin shumë mirë të argumentuara. Komisioni për ankesa më vonë i dënoi partitë me 134,450 euro.

Ky është një sukses i madh në sektorin e shoqërisë civile të cilët në zgjedhje e kanë luajtur rolin e një mbikëqyrësi që i ka bërë partitë të paguajnë pasi që nuk i kanë respektuar rregullat e zgjedhjeve.

Me të vërtetë kjo është një mënyrë e vështirë për të mësuar partitë disiplinë.

Fakti që të gjitha partitë shqiptare janë gjobitur pas ankesave tregon se ne jemi duke e ndërtuar një shtet të fortë, jo partizan dhe një sistem politikisht neutral për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë.

BIRN dhe Internews Kosova gjithashtu kanë bërë ankesa që nga zgjedhjet e vitit 2010.

Këtë vit ekipi ynë ligjor ka bërë ankesat dhe ka rezultuar në gjoba prej 33 mijë euro jo vetëm për partitë shqiptare, por edhe për Listën Serbe.

Përderisa Demokracia në Veprim është duke u bërë një shembull se si shoqëria civile është mjaft e guximshme për t’i sfiduar partitë përmes ligjit, nga ana tjetër është edhe një rritje abuzive e rolit të shoqërisë civile në Kosovë.

Fatkeqësisht gjatë këtyre zgjedhjeve doli një organizatë fantome jo qeveritare Instituti Regjional për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike, e themeluar nga Astrit Rexhaj, Fatlinda Nitaj and Visar Fetaj në nëntor të vitit 2006, sipas regjistrit të Ministrisë së Administratës Publike.

Kjo organizatë që kur e kontrollova doli të jetë jo aktive në Administratën Tatimore të Kosovës ishte lejuar që t’i akreditojë 4 mijë e 548 “mbikëqyrës të zgjedhjeve” për të cilët KALLXO.com zbuloi se ishin zyrtarë partiakë.

Ky është një trend i ri në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjëja më e dëmshme e këtyre zgjedhjeve, meqë OJQ-të përdoren për të kamufluar një ushtri të mbikëqyrësve të zgjedhjeve që munden potencialisht të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Kur Valdete Daka, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pyetur pse e ka akredituar një OJQ fantome ajo tha se çdo OJQ që ka bërë kërkesë për t’u akredituar si mbikëqyrës i zgjedhjeve ishte akredituar dhe ajo nuk kishte parë diçka jo ligjore aty.

Ajo ishte gabim në të dyja llogaritjet. KQZ kishte refuzuar akreditimin e dy OJQ-ve, Asociacioni “Nëna Terezë” dhe “Mundësia”, të dyja OJQ që i përkisnin konsorciumit Demokracia në Veprim.

Perveç kësaj, BIRN-i pati raportuar se disa vëzhgues të zgjedhjeve që ishin akredituar janë ankuar se ata kurrë nuk kanë nënshkruar për akreditimet e tyre që është e nevojshme të nënshkruhen. Kjo do të thotë se qindra nënshkrime të njerëzve të akredituar nuk ishin vënë dhe potencialisht janë falsifikuar.

Dukej si një përpjekje e zbehtë për të mbuluar një gabim të madh nga KQZ e cila në mënyrë efektive “ndihmoi” koalicionin e PAN duke akredituar vëzhguesit e saj në mënyrë të rrejshme, nën mbulesën e “aktivistëve qytetarë”.

Kjo është diçka shqetësuese, pasi që tregon se organizata të tjera të dyshimta mund të vendosen si vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme.

 

Jeta Xharra është Drejtore e Zyrës së BIRN në Kosovë dhe kryeredaktore e programit më të shikuar televiziv në Kosovë “Jeta në Kosovë”.

Albulena Sadiku, Zëvendës Drejtore e BIRN Kosova, ka kontribuuar në këtë artikull.

Artikulli fillimisht është botuar në gjuhën angleze në Balkan Insight.