Tetë Opsione për Ferizajn

Dy organizatat e njohura joqeveritare INPO dhe D4D do të bëjnë monitorimin e zgjedhjeve të 29 prillit për të siguruar korrektësinë e tyre dhe evitimin e skenave nga zgjedhjet e vitit 2009 kur shumë prej fletave të votimit u manipuluan. 

Avni Bytyçi, drejtor ekzekutiv në INPO, thotë se procesi zgjedhor në komunën e Ferizajt është një test i rëndësishëm për KQZ-në dhe institucionet e Kosovës. 

“Do të ishte mirë që përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Ferizaj të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet dhe partitë politike”, tha ai. 

Monitorimi i këtyre organizatave do të përfshijë punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet në ditën e votimit.  

“Do të mundohemi t’i mbulojmë të gjitha vendvotimet. Çdo rast që ne e konsiderojmë në kundërshtim me ligjet në fuqi, do ta bëjmë publik përmes zyrave të INPO-së në Ferizaj”, tha Bytyçi. 

“Do të mundohemi t’i mbulojmë të gjitha vendvotimet” Avni Bytyçi

Megjithatë këto zgjedhje, sipas Bytyçit, veç kanë sjell një frymë të re në jetën politike të Ferizajt dhe pritet që të ndikojnë pozitivisht. 

“Me përjashtim të kandidat të LDK-së dhe AAK’së, të gjithë kandidatë tjerë janë figura politike relativisht të reja dhe nuk kanë marrë pjesë në garat e më hershme për të parin e komunës”, tha ai.  

KQZ-ja ka aprovuar planin operacional për këto zgjedhje dhe ka vendosur që maksimumi i lejuar i mjeteve për t’u shpenzuar nga subjektet politike për fushatën zgjedhore do të jetë deri në 47.704.5 euro, ka thënë zëdhënësi Fehmi Ajvazi.

“Anëtarët e KQZ-së, kanë vendosur që kufizimet e shpenzimeve për fushatë të jenë pesëqind (500) euro në një mijë (1000) votues siç edhe parashihet me Ligjin për Zgjedhjet. Departamenti i Listës Votuese, posedon numrin e votueseve potencialë që konsiderohet të jetë 95.409 votues, mirëpo ky numër mund të variojë, sado që jo në përmasa të theksueshme”, tha Ajvazi. 

“Kufizimet e shpenzimeve për fushatë do të jenë pesëqind (500) euro në një mijë (1000) votues siç edhe parashihet me Ligjin për Zgjedhjet” Fehmi Ajvazi

KQZ-ja benë gjithashtu të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjes teknike për mbajtjen e zgjedhjeve siç janë procedurat për projektin e IP-së, për UV Llampat, për UV sprejat dhe për vulat. Është nënshkruar kontrata me Postën për operacionin e votimit më postë, dhe po bëhen njoftimet e nevojshme në diasporë. Gjithashtu, po publikohen të gjitha informatat, udhëzimet dhe aplikacionet në ueb faqen e KQZ-së. Materialet e nevojshme për votimin përmes Postës (aplikacionet dhe materialet shpjeguese), janë dërguar nëpër pikat shpërndarëse jashtë vendit dhe janë përgatitur linjat ndihmëse, faksi dhe emailat e këtij operacioni. Periudha e aplikimit për regjistrim përfundon më 8 prill 2012.  

KQZ-ja po i bën përgatitjet edhe për qytetarët me të drejtë vote të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotimin e zakonshëm në ditën e zgjedhjeve, kanë të drejtë të kërkojnë votimin për persona me nevoja të veçanta. Të gjithë këtyre personave, do t’u mundësohet votimi. 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kreun e Komunës së Ferizajt u shpallën pas tërheqjes nga funksioni të kryetarit të deritashëm, Bajrush Xhemaili, të cilit Gjykata Supreme ia konfirmoi dënimin e shkallës së parë me 2.5 vjet burgim si shkaktar i një aksidenti rrugor në maj 2009, ku kishte mbetur i  vdekur një i ri.

Mirajdije Mavriqi, drejtoreshë e Zyrës së Regjistrimit të Partive Politike dhe Certifikimit (ZRPPC), e informoi KQZ-në se më 3 prill 2012, kjo zyrë ka përfunduar procesimin e aplikacioneve për certifikim të tetë (8) subjekteve: gjashtë (6) parti politike, një (1) Iniciativë Qytetare dhe një (1) kandidat i pavarur.

Adem Salihaj bën bashkë LDK-në e LDD-në

Adem Salihaj

 

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)-së dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) kanë nënshkruar marrëveshje parazgjedhore sipas të cilës, kjo e fundit do ta mbështesë kandidatin e LDK-së, Adem Salihaj në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

“Pas një gare të brendshme brenda LDK-së me më shumë se 2/3 e votave, përkatësisht me 23 nga gjithsej 35 vota, u vendos që unë të jem kandidat për zgjedhjet lokale në Ferizaj”, tha ish-zëvendëskryeministri Salihaj.

Ai gjithashtu tha se LDK dhe LDD e kanë elektoratin historikisht të njëjtin, që pritet të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve.

“Përkrahja e kandidaturës sime nga LDD, si dhe padyshim keqpërdorimi i pushtetit dhe korrupsioni që është bërë nga ana e partisë kryesore rivale na bënë të sigurt që ne do të dalim fitimtarë në këto zgjedhje”, tha Salihaj

Tjetër bindje ka Agim Aliu, kandidati i PDK-së.

Dega e PDK-së në Ferizaj ka pritur ditën e fundit që të dalë me emrin e kandidatit të saj për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt dhe ia ka dhënë besimin Aliut.

“Në zgjedhjet e fundit në Ferizaj ne fituam bindshëm pa hyrë në balotazh. Jemi të bindur se edhe këtë vit do të fitojmë. Në fund të fundit ky është vetëm se një vlerësim real i punës që kemi bërë në Komunën e Ferizajt gjatë qeverisjes sonë”, tha ai. 

Naim Ferati është kandiduar nga radhët e AAK-së, dhe shpreson se do të fitojë në zgjedhje duke u mbështetur te, siç tha ai, “simpatizantët e mëhershëm kur isha në subjektin tjetër politik AKR”. 

“Pesë ditë është shumë kohë e shkurtër për të bërë fushatë parazgjedhore, mirëpo do mundohemi të flasim me qytetarë dhe t’i motivojmë ata për të dalë në zgjedhje. Besoj se do të jemi shumë të suksesshëm dhe në mesin e dy partive të para në balotazh”, tha Ferati. 

Garues i Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje është vendosur të jetë Faton Topalli. 

“Vendimi për përzgjedhjen e Faton Topallit si kandidat për kryetar të komunës se Ferizajt është marrë nga votimi i 28 pikave në qytetin dhe fshatrat e Ferizajt, pra përmes demokracisë së drejtpërdrejtë. Jemi të bindur se ai është kandidati më i kualifikuar dhe adekuat për këtë post”, ka thënë Arbnor Behrami, nga sekretariati për media i lëvizjes Vetëvendosje. 

AKR, në zgjedhjet e 29 prillit për kryetar të Komunës së Ferizajt, garon me Ramadan Hasanin, aktualisht zëvendësministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik (MZHE) dhe njëherësh kryetar i degës në Ferizaj. 

 

Lista e kandidatëve:

1. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, Naim FERATI 

2. Aleanca Kosova e Re – AKR, Ramadan HASANI 

3. Lëvizja për Bashkim -LB,  Ramadan EMINI 

4. Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, Adem SALIHAJ 

5. Partia e Drejtësisë – PD, Bujar ADEMI 

6. Partia Demokratike e Kosovë PDK,  Agim ALIU 

7. Lëvizja Vetëvendosje!, Faton TOPALLI 

8. Kandidati i pavarur – Rrahim SADIKU