Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

Termocentrali i Ri i Kosovës - një Gabim i Shtrenjtë

Dy javë më parë, ministri i Ekonomisë i Kosovës, Valdrin Lluka, ka publikuar marrëveshjen që ka nënshkruar në emër të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr, të quajtur “Kosova e Re”.

Ky është një gabim i madh ekonomik, financiar dhe mjedisor, pasojat e të cilit do të ndihen për së paku 60 vjetët e ardhshme. Marrëveshja nuk i sjell dobi popullit të Kosovës dhe shkon kundër zhvillimit ekonomik të vendit.

Qeveria në komplot dhe bashkëpunim me “Klanin Pronto” – grup në qendër të aferës i cili përhumbi Qeverinë e kaluar dhe zbuloi se si aktivistët e partisë emërohen në pozita në kompanitë publike.

Një grup, i Partisë Demokratike në pushtet, zyrtare – i quajtur “Klani PRONTO” – erdhi në qendër të vëmendjes në vitin 2016, kur uebfaqja “Insajderi” filloi të publikojë biseda të lëshuara që pretendojnë të zbulojnë se si PDK ndikoi në emërimet në pozitat më të larta të sektorit publik, duke përfshirë sektorin e energjisë.

Përveç çështjeve ekonomike dhe financiare që sjell ky projekt, janë grimcat helmuese dhe ndotësit e tjerë që do të prodhohen për 60 vjetët e ardhshme – jetëgjatësia mesatare e termocentralit me qymyr. Qeveria vështirë se di ose kupton specifikimet teknike të termocentralit për të cilin është pajtuar për ndërtim.

Përveç të një marrëveshjeje shumë të dobët dhe me gjasë të dëmshme për blerjen e rrymës, ministri ka deklaruar se Kosova duhet të sigurojë ujë për ftohjen e turbinave të termocentralit.

Prej nga do të vijë ky ujë – duke ua marrë ujin fermerëve? A jemi të sigurt që ujin mund ta marrim nga liqeni i Ujmanit/Gazivodës – të cilin Kosova ia ka lënë nën administrim Serbisë me dialogun Prishtinë-Beograd ndërmjetësuar nga BE?

Sipas marrëveshjes së publikuar për termocentral, Kosova garanton se do të ofrojë linjit të cilësisë së caktuar për kompaninë e cila do të ndërtojë termocentralin, “Countur Global”.

Kjo do të thotë se Qeveria do të mbulojë të gjitha shpenzimet e shpronësimit të tokës së nevojshme, që nënkupton zhvendosjen e njerëzve dhe largimin nga jetesa e tyre. Kështu që, përveç largimit të njerëzve nga tokat e tyre, do të shkatërrojë tokën fertile dhe biodiversitetin e vendit, do të hapë gropa të zeza për 60 vjetët e ardhshme, si dhe do të obligohet për menaxhimin e hirit, substancë kjo e dëmshme për ajrin dhe dheun.

Ministri Lluka thotë se Qeveria nuk ka pasur asnjë detyrim financiar në këtë marrëveshje. Por, realiteti është goxha ndryshe. Kostoja e ujit, tokës, zhvendosjes, strehimit, kompensimit, menaxhimit të pluhurit dhe kemikaleve tjera të rrezikshme dhe detyrimi që do të ngarkojë popullin e Kosovës për të blerë të gjithë energjinë e prodhuar nga kompania – edhe kur nuk na nevojitet – janë kostot e vërteta financiare.

Një kosto tjetër është bërja jofunksionale e “Kosovës B”, një termocentral më i lirë në vend. Investimet e bëra viteve të fundit në linjat e transmetimit do të treten, pasi nevoja për këtë rrjet do zhduket. E njëjta vlen për investimet bëra në programet për energji të ripërtërishme dhe efiçiencë. Kjo krijon një situatë në të cilën të qenët energji-efikas, dhe të pasurit burime diverse të energjisë, është kontraproduktive me marrëveshjen – sepse Qeveria na ka bllokuar me një marrëveshje ku ne mundemi vetëm të blejmë energjinë e prodhuar nga ky termocentral.

Duke përdorur retorikën e përgjithësuar e të pakuptim, Qeveria fsheh faktin se i tërë ky investim është ngarkesë e madhe për qytetarët e Kosovës.

Së pari, një qytetar i rëndomtë, përmes taksave do të bartë koston që kjo Qeveri është zotuar me marrëveshjen: koston e zhvendosjes, përpunimit të qymyrit dhe furnizimit me ujë, kostot e degradimit mjedisor, si dhe shëndetit publik për 60 vjetët e ardhshme.

Në anën tjetër, bazuar në studimin e ekspertëve ndërkombëtarë, çmimi i faturës së energjisë do të rritet për minimum 50 për qind përveç kostos së gjenerimit të energjisë elektrike, për të mbuluar koston e investimit. Kjo Qeveri në të vërtetë mendon se ky popull është budalla – dhe nuk e kupton se askush nuk bën investime kapitale private pa e vlerësuar llojin e përfitimit që do të kenë që nga investimi primar e deri në kohëzgjatje të projektit.

Kjo është arsyeja pse e gjithë marrëveshja i jep investitorit mbrojtje të plotë, heq autoritetin e ligjit të Kosovës dhe pa marrë parasysh skenarin, do të thotë se Kosova do t’i paguajë investitorit shuma të mëdha parash.

Përveç kësaj, të gjitha negociatat për marrëveshjen janë bërë jashtë kornizës së rregullt ligjore. I tërë procesi ka shkelur procedurat e prokurimit publik duke përfshirë vetëm një ofertues në negociata, ndërsa Ligji kërkon përfshirjen e dy ofertuesve.

Në fund të fazës së negociatave, marrëveshja u nënshkrua sipas Ligjit të vjetërsuar për investime strategjike të huaja – një statut që nuk ka qenë në fuqi në asnjë vend në botë për të paktën 25 vjetët e fundit. Ky Ligj fillimisht kishte për qëllim të tërheqë investitorë të huaj.

Por, në fakt ajo që ky Ligj bën është dhënia e të drejtave të pakufizuara për investitorët të bëjnë çfarë të duan, edhe në rastet kur Qeveria ose një palë e tretë hap një rast kundër tyre, investitori mund të largohet me miliona dollarë pa përfunduar punën që ata kishin rënë dakord ose që ndonjëherë ishin përgjegjës ndaj institucioneve të Kosovës.

Nuk ka logjikë ekonomike apo mbrojtje të interesit publik në këtë marrëveshje. Nëse dikush e bën matematikën, është e qartë se kjo Qeveri ka bërë një gabim të madh ekonomik – një pasojë e të cilit do të mbetet në derën e një Qeverie të ardhshme.

Në çdo vend tjetër, kryeprokurori do të niste hetime mbi marrëveshjen, meqenëse janë shkelur të gjitha procedurat, përfshirë Ligjin mbi prokurimin publik dhe ligjet mjedisore, dhe shteti është dëmtuar në një shkallë që do të konsiderohej si shkelje e Kushtetutës. Çfarë thotë marrëveshja, e cila është gjithashtu e rrezikshme, është se kontraktori kërkon “qymyr të një cilësie të caktuar dhe ujë të një cilësie të caktuar”.

Kjo do të thotë se Qeveria do të merret me tharjen e qymyrit dhe pastrimit me ujë për të mundësuar operimin e termocentralit. Ky është problem i madh, dhe jo vetëm nga pikëpamja financiare. Terminologjia ligjore e përdorur po ashtu krijon hapësirë që investitori të kërkojë fonde shtesë në çdo kohë nga Qeveria – pasi që Qeveria pashmangshëm do të mbetet mbrapa në përmbushjen e kushteve të parapara në marrëveshje.

Të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera duhet të ishin adresuar në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Shoqëror, në të cilin Banka Botërore dhe Qeveria kanë shpenzuar miliona euro në 15 vjetët e fundit – dhe nuk ka prodhuar. Natyrisht, dështimi për të vepruar është politik, sepse Ndikimi i Vlerësimit Mjedisor dhe Shoqëror do të tregonte se sa e pavlefshme është kjo kontratë në aspekt ekonomik dhe financiar, dëmet që do t’i shkaktonte shëndetit publik dhe shkatërrimit e degradimit të mjedisit.

Pyetja tjetër është, pse Qeveria jonë nuk e ka Bankën Botërore garantues për këtë projekt? A ka pasur ndonjë vendim nga bordi i Bankës Botërore për mbështetjen e këtij termocentrali?

Më në fund, unë deklaroj publikisht se kurrë nuk kam pasur ndonjë investim në sektorin e energjisë dhe nuk kam asnjë interes personal në lidhje me ndonjë investim të energjisë në Kosovë apo diku tjetër.

Haki Abazi është kreu i Institutit për Demokracitë në Zhvillim, think tank me seli në Washington.