Tentimi i Dështuar për Punësimin e Dhëndrit të Kryeshefit

Punësimi i Rasim Veselit në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica”, në të cilën është kryeshef Faruk Hajrizi, vëllai i gruas së Veselit, është konsideruar konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Rasim Veseli ish- drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Mitrovicë në qeverisjen e Avni Kastratit të PDK-së, planifikonte të gjente punë në ndërmarrjen e udhëhequr nga vëllai i gruas së tij. 

Veseli konsiderohet si një ndër personat më të fuqishëm gjatë qeverisjes së PDK-së në këtë komunë, të cilit i ishte besuar projekti i kthimit të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. 

Rasim Veseli, i cili është kushëriri i Kadri Veselit, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), në fillim të këtij muaji është pranuar në punë si inxhinier në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” që udhëhiqet nga miku i tij, Faruk Hajrizi.

Hajrizi që udhëheq këtë ndërmarrje publike nga viti 2008, ngjashëm si Rasim Veseli është anëtar i kryesisë në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.

Por para se të nënshkruhej kontrata e punës mes Veselit dhe ndërmarrjes publike, ka reaguar Agjencia Kundër Korrupsion.

Ky institucion u alarmua pas interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me këtë çështje. 

Agjencia Kundër Korrupsion konkludoi të premten më 25 prill se rasti i pranimit në punë të Veselit është konflikt interesi.

” ..për faktin se z. Veseli… është dhëndër i kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje”, shkruan në opinionin e AKK-së. Aty shënohet se AKK-ja interpretoi ligjin bazuar në kërkesën e Faruk Hajrizit, kryeshefit ekzekutiv, por nuk shënohet data se kur e ka kërkuar ai këtë. 

Gazeta Jeta në Kosovë me 24 prill kishte kërkuar interpretim për këtë rast nga Agjensioni Kundër Korrupsion.

Ndërkohë Kundërkorrupsioni përveç referimit në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është bazuar edhe në dokumentin qeveritar të MZhE-së- Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative në Ndërmarrjet Publike.

Ky dokument udhëzon zyrtarët e ndërmarrjeve publike se si t`i shmangen konfliktit të interesit.

Ndër të tjera thuhet se konflikti i interesit mund të paraqitet kur një punëtor ka një anëtar të familjes në ndërmarrje dhe ai person ose anëtar i familjes është drejtor apo zyrtar i ndërmarrjes”. 

Veseli, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë pas interpretimit të ligjit nga AKK-ja, tha se do të tërhiqet nga punësimi në këtë ndërmarrje publike, të mbikëqyrur nga Qeveria e Kosovës.

“Jo absolutisht kontrata nuk ka me u nënshkru. Normalisht do të provoj dikund tjetër”, tha ai me  25 prill pasi që AKK-ja bëri publik vendimin.

Por para se Kundër korrupsioni të jepte këtë vlerësim Veseli kishte tjera bindje lidhur me konkurrimin e tij.

Thoshte se i ka plotësuar kriteret dhe se angazhimi i tij nuk përbënte konflikt interesi.

“Unë nuk kam dalë para tij [Faruk Hajrizit] në intervistë, por para komisionit që më ka vlerësu. Kryeshefi nuk ka pasur ndikim këtu “, tha Veseli për Gazetën Jeta në Kosovë, kur u kontaktua me 24 prill para se AKK-ja të vendoste lidhur me këtë rast. 

Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” kishte hapur konkurs me 19 mars të këtij viti. Rasim Veseli  ishte në mesin e pesë aplikuesve për pozitën Inxhinier për mirëmbajtje në të cilën edhe u pranua. 

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Faruk Hajrizi, vëllai i gruas së Veselit, tha se nuk ka mundur t’ia mohojë askujt të drejtën e konkurrimit, pasi kjo do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut.

“Mendoj se komisioni i përbërë nga tre anëtarë, pa kurrfarë presioni ose imponimi, ka bërë zgjedhjen jo vetëm të kandidatit në fjalë, por edhe të të përzgjedhurve tjerë si aplikantët më të suksesshëm “, tha Hajrizi.

Reagimi i MZhE-së

Përveç Kundërkorrupsionit, me këtë konkurs është marrë edhe Njësia për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike.

Sipas, Ramadan Sejdiut, drejtor i kësaj njësie, njëri nga aplikuesit e konkursit të muajit mars në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica”, pretendon nuk është respektuar kushti i përgatitjes profesionale që është kërkuar.

Ai nuk tregoi se kush është aplikanti që është ankuar. 

Por, sipas tij, pas ankesës është kërkuar nga drejtuesit e ndërmarrjes që të bëhet pezullimi i përkohshëm i konkursit dhe të bëhet auditimi i brendshëm i tërë procesit, prej shpalljes e deri të vlerësimi i kandidatëve. 

Në konkursin e 19 marsit te përgatitja profesionale për pozitën Inxhinier për mirëmbajtje, kandidati është dashur të këtë të mbaruar Fakultetin teknik dhe të ketë përvojë 5 vjeçare të punës. 

Rasim Veseli kur u kontaktua nga gazeta tha se për këtë pozitë ai kishte shkollimin e duhur.

“I kam përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar, kam pasur Fakultetin teknik dhe përvojën e punës”, tha Veseli.

Veseli- që e kishte problem konfliktin e interesit për punësim në këtë kompani- megjithatë figuron si inxhinierë i diplomuar i Teknogjisë në Fakultetin Teknik- në dokumente të Komunës së Mitrovicës. 

Ai në cilësinë e inxhinierit ishte pjesë e ekipit komunal për planifikim, si pjesë e programit të përbashkët në mes të Komunës dhe UN-Habitat-it që kishte për qëllim mbështetjen e planifikimit hapësinor në Mitrovicë. 

ETIKETA

28 Prill 2014 - 14:58

Liridona Hyseni 28/04/2014 - 14:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Tentimi i Dështuar për Punësimin e Dhëndrit të Kryeshefit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend