Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Tentativat e Legjitimimit të Punësimit Jomeritor

Komuna e Vitisë e ka pranuar një mësimdhënëse në punë përkundër që nuk ishte më e suksesshmja në mesin e konkurrentëve.

Madje, Komuna e Vitisë i ka bërë disa tentativa për të legjitimuar punësimin jomeritor duke u thirrur në kritere të pashkruara, siç është gjinia dhe mosha.

N. H. është pranuar mesimdhënëse e lëndës së gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.

Ajo nuk ishte kandidatja më e suksesshme në konkursin e hapur nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë (DKA).

Më shumë pikë se ajo kishte pasur kundërkandidati Vullkan Terziu.

“N. H. ka tubuar 13.5 poena nga paneli intervistues, në krahasim me Vullkan Terziun i cili ka tubuar 14 poena. DKA-ja përparësi në këtë rast i ka dhënë N. H., duke u bazuar në pozitën-statusin e saj familjar, nënë dhe mosha e saj 50 vjeçare, gjininë dhe rrethana të tjera, udhëtimin, pritjen e gjatë për punë etj”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë për KALLXO.COM.

Vullkan Terziu pas këtij vendimi ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Vitisë për ditur arsyen e mospranimit si mësimdhënës i gjeografisë në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.

Por në përgjigjen e DKA-së kundrejt kësaj kërkese thuhet se N. H. i ka plotësuar më për së afërmi kushtet ligjore për këtë pozitë.

“Ju njoftojmë se Drejtoria Komunale e Arsimit (komisioni intervistues) për vendin e punës (pozitën) profesor për lëndën e gjeografisë së ShML ‘Kongresi i Manastirit’ në Pozharan ka pranuar kandidaten N. H., e cila ka kualifikimin baçellor  Gjeografi – Ed.Qytetare, e cila më për së afërmi i ka plotësuar kushtet ligjore për këtë pozitë”, është thënë në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit për kërkesën e Vullkan Terziut.

Kandidati Vullkan Terziu nuk hoqi dorë dhe vazhdoi me ankesë në Departamentin e Inspeksionit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në përgjigjen e këtij departamenti u konstatua se Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë ka bërë shkelje ligjore me rastin e pranimit të kandidatit për mësimdhënës të lëndës së gjeografisë në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.

“DKA-Viti ka pranuar kandidaten N. H. mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë, e cila nga komisioni intervistues është vlerësuar me më pak pikë 13.5 krahasuar me Vullkan Terziun i cili ka 14 pikë”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Inspeksionit.

Me rastin e gjetjes së parregullsive Inspektorati i Arsimit i ka dhënë rekomandim Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë që menjëherë të anulojë kontratën e punës që i është lëshuar N. H.

“Të rishpallë konkurs për pozitën mësimdhënës të gjeografisë në ShML ‘Kongresi i Manastirit’ Pozharan, afati 8 ditë”, nënvizohet në përgjigjen e Inspektoratit të Arsimit kundrejt ankesës së Vullkan Terziut.

Kandidati Vullkan Terziu tregoi për KALLXO.COM se pas vendimit të Inspektoriatit ka biseduar me drejtorin e arsimit në Komunën e Vitisë, i cili ka insistuar se të dy kandidatët ishin të barabartë.

“Kur e kam pyetur drejtorin e arsimit për shkeljet ligjore dhe për rastin e inspektimit nga SIA, drejtori është përgjigjur me arsyetimin: ‘prisni, përfundoni njëherë studimet në nivelin master’ dhe insistonte se kemi qenë që të dy kandidatët e njëjtë, gjë që nuk është aspak e vërtetë”, u shpreh Vullkan Terziu për KALLXO.COM.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë nuk i ka zbatuar rekomandimet e Inspektoriatit të Arsimit dhe nuk e ka anuluar vendimin për pranimin e N. H., por ka bërë ankesë te kryeinspektori i MASHT-it. Edhe atje kanë marrë vendim negativ.

“Pas rekomandimit të Inspektoratit të Arsimit (SIA), nuk e kemi anuluar vendimin mbi pranimin, për arsye se e kemi shfrytëzuar të drejtën në ushtrimin e mjetit juridik- ankesës te Kryeinspektori i MASHT-it, ku Kryeinspektori e ka refuzuar ankesën e DKA-së”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë për KALLXO.com.

Komuna e Vitisë ka vazhduar tentativat për të legjimuar rekrutimin e mësimdhënëses. Pas refuzimit të kësaj ankese, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë ka shtruar ankesë te sekretari permanent i MASHT-it për të cilën ende nuk kanë marrë përgjigje.

“N. H. ende është duke punuar në ShML ‘Kongresi i Manastirit’ në Pozharan, deri në përfundimin e procedurës në rrugë administrative. DKA-ja do të veprojë dhe do ta zbatojë çdo vendim të sekretarit permanent të MASHT-it”, nënvizohet në përgjigjen e DKA-së së Vitisë për KALLXO.com.

Komuna e Vitisë po e pret vendimin e shkallës së fundit, si tentativë e fundit për të legjitimuar zgjedhjen e mësimdhënsës e cila nuk kishte pasur rezultatin më të mirë në intervistim.

“Në fund DKA-ja, do ta zbatojë ç’do vendim të instancës së fundit në procedurë administrative që do të bie sekretari permanent i MASHT-it”, përfundon përgjigja e DKA-së së Vitisë për KALLXO.COM.

KALLXO.com ka shkruar edhe për ankesa tjera në lidhje me padrejtësitë e punësimit në arsim.

http://kallxo.com/tre-vjet-ne-kerkim-te-punes-si-mesues/

http://kallxo.com/mesimdhenesi-padit-drejtorine-e-arsimit-per-mosplotesim-te-normes/