Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

Tenderomania në Komunën e Ferizajt

Tërheqja e operatorit më të lirë dhe më pas nënshkrimi i kontratës me operatorin më të shtrenjtë është një “strategji” e zbuluar në Komunën e Ferizajt nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kjo “strategji” i ka kushtuar buxhetit të Komunës së Ferizajt. Për të paktën 10 për qind janë shtrenjtuar kontratat në fjalë.

Kjo “strategji” që e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Ferizajt është gjetur në dy raste nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Me rastin e rishikimit të projektit ‘Asfaltimi i Rrugëve në Fshatin Mirasalë’, ishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik në shumë 286,333€ si ofertues më i shtrenjtë se operatori tjetër me ofertë 266,306€”, thuhet në raportin e auditorit.

“Shkaku i shpërblimit të ofertuesit më të shtrenjtë ishte se ofertuesi më i lirë kishte tërhequr dosjen e tenderit nga tenderimi pas procesit të hapjes së ofertave”, sqaron auditori.

Rast i tillë i shpërblimit të ofertës më të shtrenjtë si rezultat i tërheqjes nga tenderimi pas procesit të hapjes së ofertave ishte edhe te projekti “Asfaltimi i Rrugëve në Fshatin Gaçkë”.

“Kontrata ishte lidhur në shumë 244,300€ apo 33,518€ më e lartë se oferta më e lirë”, thuhet në raportin e auditorit.

E në një tender tjetër auditori ka gjetur se komuna nuk e ka paguar kompaninë me të cilën kishte kontratë, por mjetet prej 30 mijë eurove ishin paguar në llogari të një kompanie tjetër.

“Sipas zyrtarit të prokurimit kjo është bërë ngase operatori i njëjtë i ka dy firma. Sipas rregullave financiare, pagesa duhet të ekzekutohet në llogarinë e prezantuar nga kontraktuesi kur kontrata është nënshkruar”, thotë raporti.

Komuna e kishte anuluar një tender në mënyrë të dyshimtë për gabime në paramasë, por në ritenderim paramasa s’ndryshoi.

Ky ndryshim ishte bërë në tenderin “Zgjerimi i Rrugës Komogllavë – Tërstenik”, i cili ishte hapur më 20.07.2016. Të njëjtin tender më 10.08.2016 komuna e kishte anuluar me arsyen që janë bërë gabime në paramasë.

Anulimi, sipas auditorit, ishte bërë para hapjes së ofertave, sipas nenit 62 të LPP-së. Më datën 17.08.2016, ishte bërë njoftimi për ritenderim.

Auditori ka krahasuar dokumentacionin teknik të tenderit të parë dhe ritenderimit dhe ka gjetur se paramasat ishin identike dhe nuk vërehet ndonjë ndryshim.

Por, në ritenderim, komuna kishte rritur kërkesat teknike dhe financiare për operatorët, duke i eliminuar operatorët më të vegjël.

“Por, ndryshimet ishin bërë në rritjen e kërkesave të kapacitetit ekonomik dhe financiar dhe kapacitetit teknik dhe profesional. Kërkesa për kapacitetin ekonomik dhe financiar fillimisht ishte që OE të ketë qarkullim financiar jo më pak se 1,500,000€ për tri vitet e fundit, ndërsa në ritenderim ishte rritur në jo më pak se 2,000,000€. Ndërsa, kërkesat për kapacitetin teknik dhe profesional në tenderin fillestar ishin së paku tri projekte të ngjashme në tri vitet e fundit, të cilave në ritenderim u kishte caktuar edhe vlera 1,500,000€”, thuhet në Raportin e Auditorit për Komunën e Ferizajt.

E gjetura e radhës së auditorit vë në pah se operatori ekonomik ka paguar sigurinë e tenderit vetë për tre muaj përkundër kontratës 2 vjeçare.

“Gjatë rishikimit të dosjes së tenderit për projektin e asfaltimit të rrugës në fshatin Mirasalë në shumë 286,333€, ne kemi gjetur se kërkohej që fituesi para nënshkrimit të kontratës duhet të paguante sigurimin e ekzekutimit prej 10% nga vlera e kontratës për periudhën e përmbushjes së projektit. Edhe pse ky projekt ishte dy (2) vjeçar, sigurimi i ekzekutimit është bërë vetëm për tre (3) muaj. Raste të tilla janë identifikuar edhe në tetë (8) dosjet tjera të rishikuara”, thuhet në raportin e auditorit.