Telenovela e Korrupsionit të Kosovës

Më se një javë më parë, portali kosovar Insajderi ka publikuar incizime të përgjuara telefonike mes Adem Grabovcit, kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, dhe anëtarëve të tjerë të partisë së tij, përfshirë edhe Presidentin e tanishëm Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli. Regjistrimet janë mbledhur nga EULEX-i gjatë një hetimi mbi dyshime të shpërdorimit të pozitës nga Grabovci gjatë kohës kur ishte zëvendësministër i Transportit dhe Telekomunikimit. Ndonëse Grabovci nuk i është nënshtruar ndjekjes penale, pas publikimit të përgjimeve, prokurorët e EULEX-it kanë thënë se do ta “rishikojnë” rastin. Megjithatë, vetëm një ditë pas publikimit të bisedës së parë, Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se përgjimet nuk shfaqin përmbajtje penale.

Një numër i përgjimeve të njëjta ishin publikuar edhe në vitin 2013. Por, afera Pronto (siç quhej atëherë) ishte më shumë një përvjedhje pikante në bisedat private të Grabovcit, Thaçit, Veselit, etj., sesa një ekspoze e nepotizmit të partisë qeverisëse. Për dallim, në përgjimet e vitit 2011 të publikuara rishtazi, Grabovci emëron anëtarë të bordeve, përjashton persona që nuk janë pjesë e partisë së tij në thirrje të hapura dhe ndikon në emërime nëpër ministri dhe agjenci të pavarura. Pak pas publikimit të përgjimeve më 1 gusht, Grabovci u përgjigj, “Nuk është krim të punësosh njerëz.”

Posi.

Gjithë kjo më përcillte teksa bridhja përreth qytetit të vjetër të Prizrenit dhe mbaja një çantë me mbishkrimin “Corrupt Prizren” (Prizreni i Korruptuar), mbishkrim i cili aludon drejtpërdrejt te kryetari i komunës, Ramadan Muja. Edhe pse është dënuar me dy vjet burgim me kusht për shpërdorim të detyrës, Muja vazhdon ta drejtojë qytetin. Shpejt mësohet se të korruptuarit e këtij vendi nuk tkurren dhe largohen nga turpi, dhe nuk ka aspak turp në rehatimin e njerëzve dhe gjetjen e vendeve të punës.

Këtë vit, Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015, ku Kosova radhitet bashkë me Moldavinë në vendin e 103-të në botë. Një raport i EULEX-it që hetonte deklaratat e Maria Bamieh se vetë misioni është i korruptuar, gjeti se korrupsioni në vend është i gjithëmbarshëm dhe është sfida përfundimtare e misionit.

Edhe pse mandati i EULEX-it është zgjatur për dy vite tjera, përgjimet e fundit tregojnë se korrupsioni është aq endemik saqë edhe dy vite pranie ndërkombëtare nuk do të garantojnë sundim të ligjit në Kosovë. Duhet të ndodhë diçka me të vërtetë radikale që gjërat të ndryshojnë.

Teksa ndiqja një grusht protestuesish në Prishtinë të mërkurën mbrëma, ndryshimi kurrë nuk është dukur më larg. Më shumë se njëqind njerëz ishin grumbulluar për të hedhur letra toaleti në drejtim të ndërtesës së qeverisë dhe për të brohoritur “Mut e keni bo”. Megjithatë, ata pak që dolën për ta shprehur pakënaqësinë e tyre u shpërndanë brenda diku 15 minutave. Ndërkohë, njerëzit në sheshin e ngjeshur të Nënës Terezë – diaspora që viziton gjatë verës, vendasit që shijojnë kafenë e tyre në korzo – shikonin, paksa të zbavitur.

Insajderi pretendon se ka rreth 1,000 incizime, dhe deri më tash ka publikuar një numër të vogël të tyre veçmas. Deri tani janë publikuar disa “dosje” por pavarësisht implikimeve, protestat (tri deri më tash) nuk kanë marrë hov. Për dallim, serializimi i tyre është bërë drithërues dhe e ka shndërruar aferën Pronto 2 në një telenovelë ku pritet të zbulohet aktori yll i radhës. Një databazë e tipit të Wikileaks do të ndihmonte të shihej më lehtë përhapja e ndikimit të zyrtarëve partiakë në institutcione, ndërmarrje publike, agjenci dhe universitete. Publikimi i një numri të madh të regjistrimeve po ashtu do e pamundësonte Kryeprokurorin Lumezi t’i mohonte përgjimet aq shpejt.

Protestat po ashtu do të merrnin hov nëse partitë opozitare që po protestojnë kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në parlament (disa me gaz lotsjellës, të tjerë me fjalë) do t’i përgjigjeshin thirrjes për një hetim mbi përgjimet (megjithë faktin se disa deputetë dhe aktivistë të Vetëvendosjes kanë qenë pjesë e protestave). Ndoshta edhe partia e Kryeministrit, LDK-ja, mund t’i bashkëngjitet luftës. Eh, po ngutem pak dhe po harroj se vetë bijve të Mustafës u është dhënë një tender për t’i rregulluar automjetet e qeverisë nga Zyra e Kryeministrit dhe se Fatmir Limaj, kryetari i Nismës, është duke u gjykuar për shpërdorim të detyrës sa ishte Ministër i Transportit dhe Telekomunikimit.

Përgjimet e publikuara deri më tani dëshmojnë diçka që shumë njerëz e kanë ditur për një kohë të gjatë – sistemi është mashtrues dhe udhëheqësit tanë të pandershëm. Sidoqoftë, ato gjithashtu kanë treguar se shumë qytetarë të Kosovës do të vuajnë nga thuajse çdo padrejtësi në heshtje – së paku derisa të mbushet kupa dhe të përfundojmë në kaos. Në Sbunker, Besnik Pula argumenton se njerëzit nuk janë tronditur nga afera Pronto 2 sepse kanë qenë të vetëdijshëm se nepotizmi është i pranishëm për shumë kohë para publikimit të bisedave (një sekret publik), por që të mishërohet mospajtimi publik, njerëzit duhet të besojnë se ndryshimi është i mundshëm. Kjo lloj shprese, argumenton ai, mund të sillet vetëm përmes një qasjeje tjetër – një dialog i ndryshëm nga ai që kemi pasur deri tash.

Pajtohem me argumentin e tij, por gjithashtu druaj se jo vetëm shpresa, por edhe dhuna i bën gjërat të mundshme dhe të përfytyrueshme. Është problematike që protestat e organizuara nga qytetarët me parullën #Protestoj, që sjell në mendje Revolucionin Laraman (por të dështuar) të Maqedonisë, të tërheqin kaq pak vëmendje dhe mbështetje. Atë se çfarë kalimtarët pasivë dhe shitësit në sheshin “Nënë Tereza” nuk e kanë të qartë është se qëllimi rëndon shumë paçka që njerëzit protestojnë paqësisht.

Duket se studentët protestues që ushtruan trysni te rektori i atëhershëm, Ibrahim Gashi, për të dhënë dorëheqje e kanë ditur shumë mirë se pa u bërë ca përleshje me policinë, ata nuk do bëheshin lajm. U spërkat sprej verbues dhe u hodhën gurë por në fund Gashi u largua nga detyra.

Vitin e kaluar, mbështetësit e Vetëvendosjes dhe nënat e të pagjeturve protestuan kundër komenteve ofenduese të Aleksandar Jablanoviq i cili ishte pjesë e kabinetit të Mustafës atëkohë. Dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë u lënduan (dhe u arrestuan 160 njerëz) para se Kryeministri të pushonte ministrin serb që i quajti anëtarët e familjeve të të pagjeturve “egërsira” për shkak se protestuan kremtën e Pashkëve Ortodokse në Gjakovë.

Së fundi, ndërtesa e Kuvendit u sulmua nga doras të panjohur, me gjasë me zollë, dhe një granatë është gjetur në shtëpinë e Kryetarit të Komisionit për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Murat Mehës. Këto janë ujëra të paeksploruara edhe për një shoqëri që ka histori të protestës për të drejtat civile, pavarësinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Dhuna e kohëve të fundit që ndaj të cilës jemi dëshmitarë mund të jetë shkaktuar ose nga zhgënjimi, ose mund të jetë sajim. Sidoqoftë, është posaçërisht kjo dhunë që mund ta mundësojë atë çka shpresa e zbehtë nuk mundet: ndryshimin. Por me çfarë çmimi?

Korrupsioni si Krizë e Vlerave Morale dhe Qytetëruese