Takimet "Diaspora Flet" | Foto: Facebook

Të Suksesshmit e Diasporës- Takime me të Rinjtë e Kosovës

Takimet ‘Diasora Flet’ që kanë filluar të mbahen nëpër qytetet e Kosovës janë në vazhdën e shumë aktiviteteve që i zhvillon organizata “Germin”.

Sipas Hana Halilajt, “Germin” ka ardhur si nismë prej nevojës dhe rëndësisë së madhe që diaspora ka pasur dhe ka për Kosovën.

“Edhe duke marrë parasysh që përbëjnë grupin më të madh social në Kosovë, ndihma e tyre qysh prej viteve të 60-ta është e pamohueshme dhe ka qenë e madhe, si nga ana financiare ashtu edhe shoqërore, politike, kulturore”, shpjegoi Halilaj për KALLXO.com.

Takimet “Diaspora Flet” u mundësojnë të rinjve kosovarë bashkëbisedim me profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga diaspora.

“Na kemi dashtë me ftu profesionistë edhe me ftu njerëz që atje tashmë e kanë një biznes të vetin, ose kanë punuar edhe që vazhdimisht janë të interesuar me ju ndihmu njerëzve në Kosovë”, tha Halilaj.

Ajo tregoi përkushtimin e diasporës për Kosovën.

“Shumica prej diasporës në momentin e parë, në mundësinë e parë që e kanë, mundohen me ndihmu diçka për vendin pavarësisht asaj që është shumë e vështirë për ta me kriju këtu diçka për shkak të kushteve edhe për shkak të mundësive që institucionet këtu i krijojnë edhe për shkak të hapësirës që institucionet ua japin” tha Hana Halilaj, përfaqësuese e organizatës “Germin”.

Ish-kandidatja për kongresiste vjen në Gjilan

Takimet “Diaspora Flet” nëpër komuna do të kenë bashkëbisedues prej diasporës nga ato komuna ku zhvillohen ato takime.

“Mendoj që është shumë më personale për ta edhe shumë më e bukur edhe nihen shumë më mirë me dhanë kontribut tamam në qytetin e tyre, edhe pse nuk është që është ndonjë dallim”, shtoi Halilaj.

Në çdo panel do të jenë jenë minimumi dy pjesëtarë të diasporës që do të bashkëbisedojnë me të rinjtë, por në disa raste në panel do të jenë edhe më shumë të ftuar.

“Takimet janë joformale kështu që mbahen nëpër kafe, nëpër hapësira publike që jo gjithsesi duhet me qenë shumë serioze dhe këtu është ideja që me qenë një bashkëbisedim, edhe mos me u dok si diçka që t’i shkon për dëgju dikë ekstra tu fol, po mu mundu me i dhanë edhe mendimet e tua”, tha Halilaj.

Albana Krasniqi, drejtoreshë e fondacionit “Gift of Life” do të jetë paneliste në qytetin e Pejës, takim që do të mbahet me 28 korrik.

“Gift of Life” mbledh fonde për fëmijët me probleme në zemër, kurse Albana Krasniqi është përgjegjëse për Kosovë edhe ka plot fëmijë edhe familje që kjo organizatë u ka ndihmuar.

KALLXO.com kishte shkruar vitin e kaluar për pengesat që kjo organizatë po has në Kosovë.

http://kallxo.com/rruga-pengesa-e-sherimit-te-zemrave-te-femijeve/

Sot dhe të hënën në Kamenicë dhe Gjilan në “Diaspora Flet” do të jetë e pranishme Suzana Shkreli ish-kandidatja për kongresiste të ShBA-së.

Suzana Shkreli ka përfunduar studimet në Universitetin e Oakland-it ku edhe u diplomua në degën e juridikut. Ajo aktualisht shërben si prokurore e qarkut Macomb në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku angazhohet për mbrojten e tyre nga dhuna fizike dhe abuzimi seksual.

Brikena Muharremi do të jetë paneliste në takimin që do të mbahet në qytetin e Mitrovicës me 2 gusht.

Ajo është avokate dhe aktiviste në Londër. Është shqiptarja e parë që ka marrë licencën e avokates në Angli. Ka përvojë disavjeçare në këshillimin e departamenteve qeveritare britanike për çështje të ndryshme ligjore.

Shemsi Bunjaku do të jetë në panel së bashku me Brikena Muharremin në në takimin “Diapora Flet” që do të mbahet në qytetin e Mitrovicës.

Bunjaku ka studiuar një vit menaxhment në Norvegji për të vazhduar me tre vjet të tjera studimi në gazetari dhe ka specializuar në degën Media Digjitale.

Që nga viti 2005 Shemsi Bunjaku është i punësuar si gazetar lajmesh në televizonin publik të Norvegjisë – NRK. Si gazetar, ai ka fituar çmimin për gazetari hulumtuese. Ky çmim i është ndarë atij për ndikim pozitiv në ndërtimin e demokracisë, juria ka vlerësuar punën e tij për luftimin ndaj padrejtësive dhe përmirësimin e jetës së shumë njerëzve në nevojë.

Aktivitetet e “Germin” Anembanë Globit

“Germin”-i është një nismë për avokimin e të drejtave politike dhe shoqërore të diasporës në Kosovë. Disa prej programeve të kësaj organizate janë dialogu i strukturuar për të drejtat e diasporës, ky është edhe projekti i parë që është një nismë që ka për synim të krijojë bashkëpunim në mes të shqiptarve që jetojnë jashtë vendit dhe institucioneve publike në Kosovë.

“Fillimisht ideja është me zhvillu këtë nismë edhe në Kosovë, e pastaj me vazhdu edhe në vendet e tjera ndoshta në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi e Serbi edhe kjo nismë ka për qëllim me lehtësu përfshirjen e diasporës në proceset politikbërëse duke përdorur teknologjinë bashkëkohore dhe kanalet joformale për avokim kolektiv”, tha Hana Halilaj.

“Germin” ka një platformë digjitale e cila përfshin hartën interaktive, kalendarin e ngjarjeve dhe hapësirën për shkrime. Në hartën interaktive është një hapësirë ku të gjitha organizatat shqiptare në diasporë mund të regjistrohen.

“Deri tash janë të regjistruara 191 organizata në databazë dhe vazhdimisht janë duke u regjistruar, më pas është kalendari i ngjarjeve ku ato organizata të cilat regjistrohen në databazë e kanë hapësirën për me i vendos ngjarjet e tyre në kalendar ku më pas edhe organizatat e tjera dhe njerëzit që janë të interesuar munden me hy me i pa”, shtoi Halilaj.

Hapësira për shkrime ua mundëson njerëzve nga diaspora shprehjjen e mendimeve rreth ngjarjeve të caktuara.

Si pjesë e aktiviteteve të që i organizon ‘Germin’ janë edhe fokus grupet që deri tani i ka mbajtur në Londër, në Nju Jork, në Uashington, në Detroid, më pas në Oslo, në Bern e të tjera do të mbahen edhe në Gjermani e në Vienë të Austrisë.

Një aktivitet tjetër është edhe ‘Google Hang Out’ të cilat janë diskutime virtuale dhe bëhen me pjesëtarë nga diaspora rreth temave të caktuara.

“Kemi pasur një ‘Google Hang Out’ rreth sigurimit kufitar apo kartonit të gjelbër, ku është diskutuar rreth problemeve që diaspora ka edhe rekomandime se çka mundet me u bo rreth kartonit të gjelbër edhe sigurimit kufitar”, shtoi Halilaj.

Takimi i parë “Diaspora Flet” është mbajtur në Suharekë me 5 korrik me të ftuar Ganimete Bajraktarin pjesëtaren e diasporës në Austri dhe Orhidea Ramën nga shteti i largët i Kamboxhas.

Takimi në qytetin e Prizrenit do të mbahet me 27 korrik, kurse në Ferizaj me 31 korrik.

Vazhda e takimeve “Diaspora Flet” do të përmbyllet në Prishtinë me 18 gusht me panelistë, Aneta Mihallin dhe Mikra Krasniqin.