Të Rrosh mes Ironisë e Dredhisë

Edhe pse në Kosovë historia ka kthyer faqen, sidomos pas ngjarjeve të vitit 1999, pikërisht në këtë kohë, shumëçka është hapur e shumëçka është tkurrur në mënyrë bizare. Kemi parë në këtë periudhë pakica që ngriten, e shumicë që është fuqizuar dhe më shumë. Kemi parë marrëdhënie të shthurura, identitete të reja, vizione të çuditshme, nisma, debate e qëndrime nga më të ndryshmet. Kemi parë fanatikë intelektualë të mbrojnë të vërtetën e vet dhe të rinj luftarakë të dalin guximshëm kundër tabuve të historisë.

Kemi parë njerëz frikacakë e njerëz të guximshëm që megjithatë gjithnjë përfaqësuan vetëm një pakicë. Kemi parë masat për mbijetesë dhe rolin që asnjëherë s’mundën ta luajnë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Kemi parë grupe aktivistësh tradicionalë e modernë që kurrë s’mundën të bëhen njerëz të mëdhenj. Kemi parë nacionalistë të mëdhenj dhe identitete lokaliste idhnake më të prapambetur se nacionalizmat e mëdha. Kemi parë konflikte të ashpra, intolerancë të madhe dhe mekanizma mbrojtës që vështirë dihet se ku kanë mbirë. Kemi parë demokratë fanatikë e komunistë fanatikë, të cilëve me gjasë një pjesë u beson verbërisht e një pjesë nuk e di se në çfarë beson, vetëm jo në atë që është shenja më e madhe e qytetërimit, lirinë.

Kemi parë ata që e mbrojnë ideologjinë pëkundrejt jetës, ata që nuk e dallojnë të vërtetën kundrejt dukjes, kemi parë ata që akuzojnë për totalitarizëm dhe vetë e ushtrojnë atë. Kemi parë ata që luftojnë jo kundër mashtrimit, por mashtrojnë; kemi parë se si afishohet tkurrja e ekzistencës; se si gjithçka bëhet vetëm për të përmbushur nevojat vetjake, por jo e asnjëherë për kuptimet e thella.

Në gjithë këtë kohë, që nga ndërrimi i faqes së historisë, në këtë vend i janë thur lavde përmbysjes së vlerave dhe triumfit të mekanizmave automatik ideologjik e social.

Në gjithë këtë kohë të propagandës kemi parë se si zvogëlohet e reduktohet jeta në një buzëqeshje ‘reklamuese’ e politike.

Në vitet më të vështira të këtij vendi, në këto që gati u bën dy dekada, kemi parë se si karikaturizohet jeta në tërësi. Me gjasë edhe pyetja ‘se i kujt është faji’ ka nisur të zhduket nga muhabetet e përditshme, meqë askush nuk mund ta zbusë situatën. Mes qenieve, nevojës së shfaqjeve, rolit dhe domethënieve, njerëzit kanë humbur kuptimin e besimit e të përgjegjshmërisë. Ndaj kanë humbur edhe betejën.

Janë të shumtë e të panumërt shembujt e reagimeve, të statuseve apo të komenteve që i hasim në rrjetet sociale e në media përditë të politikanëve të vjetër e të rinj, të atyre që e mbajnë për avangardistë apo të përfaqësuesve të shoqërisë civile, të gazetarëve, të njerëzve e të profesioneve të ndryshme. Nga pamaturia, padituria, qëllimshmëria, nga defektet në komunikim apo moskujdesi i një paraqitjeje reale, përditë gjejmë të folur e postime që u ngjajnë recitimeve bajate e stereotipeve. Jo “double coping” por kopjim i shumëfishtë në çdo lëvizje të jetës sonë, më shumë se kurrë. Llafe, ide dhe njerëz që përsëriten pa pushim.

Ndonëse Kosova ka kohë që ka kthyer faqen, telashet në këtë vend janë të të gjitha llojeve, madje frikësuese, telashe të mëdha e zorrë të lidhura ngushtë. Që nga politika e deri te ‘artistikja’, që nga bosat e deri te lypësit, nga të pasurit e deri të varfrit, skena që përsëriten e njerëz që binden lehtësisht me çfarëdo lloj historie mediatike.

Në këtë kohë totalitarizmi psikologjik, humbjeje e trishtimi, ngazëllimi apo dëshira për fitimin e lirisë së plot, ngjan në një fantazi pështjelluese. Të jetosh në mënyrë ironike e dredhuese, apo të jetosh mes ironisë e dredhisë, me gjasë është më e lehtë, se sa të përballesh e të luftosh për jetën dhe vlerat e saj. Kur revolucionarët, demokratët apo edhe dashuruesit e lirisë maskohen me totalitarizmat ideologjik, atëherë lufta individuale bëhet e pamundur. E pamundur përballë predikimit e vetë tiranisë.

Është e qartë se disa nga ‘zotnitë’ i kanë bërë mirë hesapet – edhe pa hanxhitë. Nëse në të shkuarën shoqëritë kanë gjetur mbështetje në ideologjitë e ndryshme pas zhgënjimeve e shpresave të humbura përgjatë luftërave të mëdha, neve na mbeti të mbështetemi në ideologji të shthurura e të modernizuara në emër të lirisë.