Të Respektohet Vendimi

Me një aktvendim, javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i ka dhënë të drejtë 19 vjeçares Arjeta Halimi për të vijuar mësimet në shkollën “Kuvendi i Lezhës” në Viti, duke bartur shaminë në kokë.

“Gjykata kushtetuese e ka pranuar kërkesën, e ka shqyrtuar dhe e ka shpallur si të papranueshme.
Pra, la marr atë vendim që ndalohet bartja e shamisë në shkolla”, ka thënë avokati Sami Kurteshi. “Kosova është shtet laik, në bazë të atij koncepti”.

Ombudspersoni e ka përshëndetur faktin që çështja ishte dërguar në Gkykatën Kushtetuese.
“Ne e kemi për detyrë që pasi një vendim i gjykatës të dalë, që në këtë rast ka sqaruar se nuk lejohet bartja e shamisë, atëherë atë ta respektojmë”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka thënë se ky vendim përmbys çdo tjetër përpara tij.

Lëvizja e Gjykatës është një vendim i rëndësishëm pasi vjen në kohën kur debatet për pranimin e shamisë në shkolla publike, futjen e lëndëve fetare në to dhe ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës kishin qenë në qendër të kërkesave të komunitetit mysliman dhe sidomos rrymave më ekstreme.

Për të realizuar kërkesat, thirrej në parimet e të drejtave të njeriut për të pasur të drejtë elementare zgjedhje.

Deri më 15 janar 2009, Arjeta Halimi ka vijuar mësimin në këtë shkollë të mesme, kur edhe filloi të bartte shaminë. Ajo pretendon se i është shqiptuar vërejtje gojore nga drejtoria e shkollës për bartjen e shamisë, e cila drejtori kishte edhe mbështetjen e Drejtoratit Komunal të Arsimit, gjë që e kishte detyruar ta ndërpresë shkollimin.

Arjeta kishte filluar procedurat e ankesës tre muaj pas ndërprerjes së shkollimit, duke iu drejtuar Drejtorisë Komunale të Arsimit në Viti, Departamentit për Inspektorat Arsimor në Gjilan dhe Gjykatës Supreme e cila lëndën e përcolli tek Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Më 17 nëntor 2009, Gjykata e Qarkut në Gjilan miratoi padinë e Arjetës ndaj Drejtorisë Komunale për Arsim të Vitisë, me të cilin ishte obliguar Drejtoria t’ia njohë të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i nxënëses së rregullt në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti.

Mosekzekutimi i këtij vendimi nga ana e Gjykatës së Qarkut në Gjilan ka shtyrë Arjeta Halimin të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse ky veprim është kushtetues.

Kushtetuesja, me anë të aktvendimit të publikuar të enjten në faqen e saj zyrtare në internet, ka gjetur se Arjeta nuk ka tentuar të vijojë shkollën pas datës 15 janar 2009 dhe se kurrë nuk kishte paraqitur kërkesë për ekzekutim e aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut, gjë që ka qenë e obliguar ta bënte.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata i referohet rastit gjyqësor Dogru vs Franca (dhjetor 2008) i cili rast njeh “që në një shoqëri demokratike, në të cilën disa fe bashkëjetojnë brenda të njëjtës popullatë, mund të jetë e domosdoshme të kufizohet kjo liri me qëllim të pajtimit të interesave të grupeve të ndryshme  dhe për të siguruar respektimin e besimeve të të gjithëve”.

Gjithashtu, arsyetimi i aktvendimit rikujton se neni 8 i Kushtetutës, përcakton se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Këtë vit çështja e shamive qe aktualizuar, pasi nuk kaluan në Kuvend amendamente të një ligji që hiqte pengesën për bartjen e tyre.

Lëvizja “Bashkohu”, një organizatë joqeveritare, ka organizuar një sërë protestash pas faljes së namazit të xhumave, duke kërkuar që shteti të heqë normat që ndalojnë shamitë në shkolla. Protestat qenë mbajtur deri tash në Prishtinë, e së fundi është paralajmëruar se protestat do të përhapen edhe nëpër qendrat e tjera të Kosovës.

E Plotësuar