Ilustrim për punën praktike | Jeta Dobranja- Trembelat

Të Papaguar, të Mbingarkuar dhe pa Siguri

U takova me Tanita Zhubin, një njëzet e ca vjeçare e punësuar në një organizatë joqeveritare lokale dhe një shoqe e imja e vjetër, në një ditë pranvere. Ndërsa kujtonim kohët e vjetra, përfunduam duke folur për ditët kur kemi punuar në një institucion të artit në Prishtinë. Ajo kishte filluar praktikën shumë kohë para se unë t’i bashkohesha, dhe në njëfarë mënyre më kishte udhëzuar në detyrat e përditshme. Megjithëse kanë kaluar shumë vite që atëherë, gjërat bëhen më të qarta në retrospektivë.

“Nuk disha se çka duhet me ba”, më tha ajo. “Çfarëdo që kish’ nevojë me u ba, ata ma gjujshin mua: me vendosë postera, me ble gota të plastikës, me e organizu logjistikën për evente, bile edhe m’bajshin asistente administrative”.

“A ke mësu’ të paktën najsen gjatë asaj kohe?” E pyeta.

“Profesionalisht? Jo bash. Mendova se të paktën tu ndejtë me njerëz të ndryshëm kisha mësu najsen edhe kisha kriju një rrjet me njerëz. Por hiç s’ke ashtu”, mu përgjigj Tanita, para se të thoshte me shpoti: “Edhe pse kam mbërri me e zhvillu ‘aftësinë’ që mu pajtu me njerëz edhe kur ata vetë nuk kanë idenë se çka janë tu folë.”

Përvoja e punës praktike si ajo e Tanitës është e zakonshme në tregun e Kosovës, e që është i stërngopur me të rinjtë pasi që 60 për qind e popullsisë janë nën moshën 35 vjeçare si dhe po aq për qind janë të papunë.

Globalisht, punëdhënësit po shpenzojnë gjithnjë e më pak kohë, para dhe mund në trajnimin e punonjësve. Si rezultat, e gjithë barra e zhvillimit të aftësive dhe kualifikimit të mirëfilltë, si dhe shpenzimet për këtë, bie mbi vetë punonjësit.

Varësisht nga sektori, në Kosovë vendet e punës të nivelit fillestar janë të pakta. Ndërkohë, trajnimet përbrenda vetë ndërmarrjeve janë një gjë e rrallë, të paktën që mund të vërehet nga shpalljet për vende pune. Shumica e këtyre shpalljeve kërkojnë që aplikantët të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë përvojë pune nga dy deri në pesë vjet në fushën përkatëse.

Kështu pra, për shumë të rinj të papërvojë dhe të papunë, puna praktike është e vetmja mënyrë për të fituar aftësitë e nevojshme dhe përvojën e punës në mënyrë që të kenë së paku një mundësi të vogël për punësim.

Megjithatë, duke qenë që ligjet aktuale nuk e adresojnë mjaftueshëm çështjen e punës praktike, praktikantët shpesh shfrytëzohen duke u mbingarkuar me punë, duke u dhënë detyra të parëndësishme e pa mundësi reale të zhvillimit të aftësive, nuk kanë mentorë, shpesh punojnë pa kontratë, si edhe u mohohet kompensimi për përpjekjet e tyre.

“Njeri kryn praktikë për me e përmirësu ‘pakon e përvojave’ dhe jo me qenë vullnetare, apo për me u shfrytëzu”, tha Linda Gjokaj, bashkë-themeluese e iniciativës ‘Pay My Internship’, një OJQ e themeluar rishtazi. Pasi biseduan me të rinj të shumtë dhe duke u bazuar në përvojat e tyre personale, ajo së bashku me një grup të miqve vendosën të luftojnë kushtet e padrejta të praktikës së papaguar, të cilat ajo i quan  “shkelje e të drejtave të njeriut”.

Organizata e Gjokajt është unike në mënyrën se si i qaset punës praktike si çështje e të drejtave të punës. Ata janë pëqendruar në rritjen e ndërgjegjësimit për praktikat e papaguara dhe jokualitative, si dhe avokimin për një ligj të veçantë që do të rregullonte këto çështje.

“Praktikantët kanë shpenzime, e sidomos nëse kanë me udhëtu në një qytet tjetër. Të paktën këto shpenzime duhet me u mbulu, e mos me e përmend se ata në të vërtetë punojnë si punëtorë të rregullt”, tha Gjokaj, duke shtuar se ligji aktual është shumë i paqartë.

Puna praktike adresohet në Ligjin e Punës sipas të cilit punëdhënësit kanë të drejtë të vendosin për pagën, kohëzgjatjen e praktikës (maksimumi gjashtë muaj për të diplomuarit e shkollave të mesme dhe një vit për të diplomuarit nëpër universitete), si dhe të drejta të tjera që mund të dalin nga një marrëveshje pune. Nga ana tjetër, praktikanti duhet të ndjekë të gjitha rregullat dhe rregulloret e vendit të punës. Meqenëse ligji nuk përcakton të drejtat e praktikantit si dhe nuk përmend çështjet si orët e punës dhe punën jashtë orarit, kjo krijon zbrazëti ligjore që lejon punëdhënësit të kërkojnë nga praktikantët të punojnë jashtë orarit dhe gjatë fundjavës pa kompensim.

Për më tepër, në shumë raste praktikantët nuk kanë kontrata fare pasi ligji thekson vetëm se “punëdhënësit mund të nënshkruajnë kontratë”, duke lënë shumë praktikantë pa mbrojtje ligjore.

Duke pasur lehtësinë e një tregu të punës të mbushur deri në grykë me punëkërkues të rinj pa kurrfarë sigurie sociale, punëdhënësit janë në një pozitë më të mirë të diktojnë kushtet e kontratës, kohëzgjatjen dhe cilësinë e praktikës.

Kjo ndodh edhe në institucionet shtetërore, ashtu siç i ndodhi Norës (pseudonim), një studenteje të re të sapodiplomuar e cila kreu praktikën pa kontratë në Ambasadën e Kosovës në Berlin.

Nora, që tani nuk ka punë të qëndrueshme, ishte në kërkim të praktikës në Gjermani që kishte lidhje me temën e diplomës, pasi hulumtimi i saj ishte i fokusuar në bizneset e diasporës kosovare. Ajo i shkroi Ambasadës së Kosovës në Gjermani me shpresën se praktika atje do t’i jepte më shumë qasje në informacion dhe në komunitetin e biznesit të diasporës.

“Kur e panë emailin tim që po kërkoja punë praktike, ata menjëherë më thanë po”, shpjegoi ajo.

“Më vonë kuptova se ata kishin shumë nevojë për punëtorë, por nuk ishin të gatshëm të punësonin dikënd të ri. Për atë arsye ata më pranuan mua si praktikante”, tha Nora, duke shtuar se vetëm me këmbënguljen e saj ajo arriti t’i jepte kuptim praktikës së saj.

“Ata më kanë shti në një dhomë me letra dhe dosje të gjujtuna gjithkund nëpër tokë dhe tavolina, të cilat ishin aplikacione dhe dokumente të ndryshme zyrtare. Kështu që më është dashtë mi organizu dhe sistematizu ato, e masandej krejt mi digjitalizu. M’u deshën disa javë me i rregullu ato.”

“Në fund kam marrë një letër rekomandimi dhe një rresht tjetër në CV-në time, edhe pse në bazë të përvojës teme, punëdhënësit munden edhe mos me ta konsideru praktikën si përvojë të vlefshme”, përfundoi ajo.

Qeveria, ashtu sikurse edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, e konsiderojnë praktikën një nga mënyrat për të zgjidhur problemin e papunësisë së të rinjve dhe nivelin e ulët të aftësive të fuqisë punëtore, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në të kaluarën, Ministria e Financave kishte nënshkruar një memorandum me Universitetin e Prishtinës për të punësuar deri në 600 praktikantë vetëm në vitin 2016 , ndërsa Ministria e Diasporës paraqiti një program për praktikë për 3,000 studentë dhe të diplomuar të rinj . Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare si GIZ, USAID dhe UNDP gjithashtu mbështesin programe të ndryshme për punësimin e të rinjve, duke përfshirë mundësitë e praktikës.

Shpesh praktikat pasqyrojnë nevojat e drejtpërdrejta të një punëdhënësi të caktuar dhe mund të jenë të parëndësishme për punëdhënësit e tjerë, madje edhe brenda të njëjtit sektor. Për shembull, programe të tilla si “Bankierët e Rinj” të ProCredit Bank ose programi i praktikës së Raiffeisen Bank janë më të fokusuara t’i mësojnë praktikantët për produktet e tyre sesa si funksionon sistemi bankar.

Një tjetër shembull i rëndësishëm që tregon qasjen e sektorit privat ndaj punës praktike është edhe programi akademik dhe i punës praktike i KEDSit, ndërmarrjes së privatizuar kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike. Së bashku me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Turk Bogazici, ata ofrojnë një program të përzier të kurseve akademike dhe punës praktike për 50 studentë në vit përmes Akademisë së KEDS-it. Programi është në vitin e tij të katërt dhe ka përgatitur rreth 200 pjesëmarrës.

“Është një program njëvjeçar në fund të të cilit studentët kanë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht dhe zhvillojnë aftësi kryesisht të lidhura me KEDS dhe rrjetin e shpërndarjës së energjisë elekrike”, tha Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, duke iu referuar diplomës që studentët marrin në Akademinë e KEDS-it.

Programi i lavdëron meritat e veta, duke e nënvijëzuar se praktikantët paguhen dhe shumica e tyre gjejnë një vend pune brenda KEDS dhe KESCO si pjesë e zotimit të tyre për Përgjegjësinë Sociale të Korporatës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të KEDS-it, Hysni Gashi tha se Akademia e KEDS-it luan një rol më të fshehtë. Sindikata pohon se ata përdorin Akademinë e KEDS-it për të krijuar punëtorë të kualifikuar vetëm për veten e tyre, si dhe për të punësuar punonjës me kontrata afatshkurtra. Po ashtu, sindikata pretendon se KEDS-i në mënyrë të paligjshme dhe kolektive është duke larguar punëtorët më të vjetër me kontrata të përhershme.

“Ata kanë shkarkuar 320 punonjës dhe kanë punësuar 160 punëtorë të rinj që kaluan nëpër trajnimin e Akademisë së KEDS-it, duke i paguar ata pothuajse dy herë më pak sesa që paguanin ata që i kanë pushuar nga puna”, tha Gashi, duke shtuar se Akademia e KEDS-it është një taktikë e marrëdhënieve me publikun që përdoret për përmirësimin e imazhit të KEDS-it.

Ndërkohë, disa kompani, argumenton Linda Gjokaj, mbështeten në punën pa pagesë të praktikantëve për të mbijetuar.

“Disa portale kanë vetëm dy punonjës me kohë të plotë dhe tre praktikantë që qarkullojnë vazhdimisht”, tha Gjokaj.

Ky ‘sistem’ i punës praktike gjithashtu riprodhon pabarazinë: pasi praktikantët e papaguar bartin kostot e punësimit të tyre, jo të gjithë mund të përballojnë të punojnë deri në një vit pa të ardhura. Si rezultat, individët me të ardhura më të ulëta që hyjnë në tregun e punës kanë vështirësi të kryejnë punë praktike me të cilat do t’i përmirësonin CV-të e tyre. Shpesh ata janë të detyruar të punojnë punë me kualifikime të ulëta, të cilat ndryshe nga praktikat, ofrojnë para të gatshme në këmbim.

“Ish kanë super me e vazhdu fakulltetin edhe mu zhvillu ma shumë, për shembull me punu me fëmjë me vështirësi në mësim”, tha Agroni, 30 vjeçar, student i psikologjisë, i cili punon si roje sigurie. “Por kush ka me ma pagu qiranë edhe bukën nese unë kryej punë pa pare?”

Vendet si Gjermania, Franca, Spanja dhe Irlanda tashmë kanë ligje që i detyrojnë punëdhënësit të ofrojnë kompensim për praktikat, edhe pse këto masa janë kritikuar nga aktivistë që i shohin si të pamjaftueshme.

Ndonëse, vështirë se dikush nuk pajtohet që praktikat mund të jenë një hap i rëndësishëm si fillim në karrierën profesionale, por pa ekzistimin e masave ligjore për të mbrojtur të drejtat e praktikantëve, një shfrytëzim i tillë mund të pritet vetëm të vazhdojë.

Por të paktën ka vend për përmirësime të vogla. Për shembull, vendi aktual i punës së Tanitës nuk mund të paguajë praktikantët e tyre për më shumë se 80 euro në muaj, por ata ofrojnë kontrata dhe mentorë, që është një përmirësim mjaft i vogël, por i domosdoshëm.

“Nuk kërkohet shumë përpjekje për të përmirësuar këtë. Nëse fondacioni i vogël si ai me të cilin po punoj mund ta bëjë këtë, edhe të tjerët munden”, përfundoi ajo.